Lexues

sabato, gennaio 02, 2021

Covid-19: Largohet nga jeta zbuluesi dhe mbrojtësi i Tulipanit Shqiptar

Shkruan Edmond Kaceli


Sëmundja e shekullit, covid-19, i merr jetën zbuluesit dhe mbrojtësit të Tulipanit Shqiptar, biologut e botanistit Besnik Hallaci, Kukës. Lajmi i rëndë ka tronditur jo vetëm familjarët dhe të afërmit por edhe miqtë e tij kudo që ndodhen. Zoti Hallaci luftonte, i intubuar, prej disa ditësh, në betejën për jetën me virusin vrastar.

I veçantë dhe tronditës erdhi ky lajm dhe për familjen e madhe të Organizatës së Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër,  ku Hallaci kontribuoi vazhdimisht me profesionalizmin, pasionin, këshillat dhe njerëzillëkun e  tij të jashtëzakonshëm!


Kryetari i Organizatës gjithëshqiptare të WAPH, fotografi Arian Mavriqi shkruan: I pabesueshëm ky lajm për ikjen tënde të parakohshme Besnik! Në çdo iniciativë ishe aty me ne, për të na ndihmuar kur kërkohej ndihma jote. Mungesa do të thotë shume për Oganizatën tonë vëlla, do të na mungosh shumë i dashur Besnik! Zoti të mëshiroftë! Në emër të Organizatës  iu shprehim ngushëllime familjarëve, miqve dhe gjithë atyre që e njohën Besnikun!

Biologu dhe botanisti Besnik Hallaci do të kujtohet për shumë vepra të tij të mira dhe emrin e mirë që la në Kukësin e tij që e deshti deri në fund! Por ajo çka e bëri të pavdekshëm, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, mbetet zbulimi i species së rrallë të Tulipanit Shqiptar, Tulipa Albanica, emërtuar nga vetë ai.


Përndryshe Tulipani i Kukësit, u zbulua nga Besniku në zonën e Kolsh- Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, në vitin 2003. E më vonë grupi i ngritur ku merrnin pjesë edhe biologu Luan Vata, prof.Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, profesoresha Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë, do të vërtetonin me prova gjenetike dhe shkencore zbulimin e rrallë që bëri pasioni dhe aftësitë profesionale të Besnikut.

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit. Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike. Bima e çertifikuar është sot një nga 113 tulipanët që njeh bota.  

Besnik Hallaci me punën dhe përkushtimin e tij  të pazakontë kishte zbuluar gjithashtu edhe 7 bimë të reja për Kukësin, 3 prej tyre të panjohura më parë për florën shqiptare, Dianthus superbus (karafil), Silene lerchenfeldiana (klokëz), Aristolochia merxmuelleri (petrik).



2 commenti:

  1. I qofte dheu i lehte...Sa mire po te kishim me shume njerez qe bejne me dashuri dhe pasion dicka qe u vlen te gjitheva...Nje gur duhet te vere cdokush ,qe ta ngreme kete vend...

    RispondiElimina
  2. Ndjese paste!

    Ngushellime familjareve per kete studjues te talentuar qe ka pasuruar Kulturen tone

    RispondiElimina