Lexues

martedì, luglio 19, 2022

Wildlife: GPS Lejlekëve të zinj të Kamenicës, Kosovë! nga E. Kaceli

 -Shënohet kështu i pari rast në Ballkan i vendosjes së sistemit modern GPS në trupin e Lejlekëve të Zinj


Të ndalosh kohën! -Një mision i pamundur. Por jo e pamundur të jesh kundër rrjedhës! Të jesh kundër rrjedhës! Të bësh atë që njerëzit e quajnë çmenduri ose thënë ndryshe pasion i çmendur për natyrën e vendit tënd!

Emocionuese, unike! -Kështu e kanë quajtur, njëzëri, suksesin e tyre të radhës, aktivistët dhe mbështetësit e organizatës Wildlife Albanian Photographers procesin e vendosjes së sistemit GPS në trupin e Lejlekëve të Zinj që folenizojnë prej disa vitesh në Kosovë!

Vetëm pasioni i çmendur mundet me motivu një grup njerëzish idealistë, shqiptarë të Kosovës, të merren me një shpend në rrezik zhdukjeje, dhe mjaft i rrallë jo vetëm në viset shqipfolëse por edhe më gjërë!(Për fatin tonë të mirë idealistë shqiptarë gjinden ende!)

Bëhet fjalë për Lejlekun e Zi (Ciconia Nigra) shpend mjaft i veçantë, e i rrallë jo vetëm në trojet shqipfolëse por edhe në Europë! Një çift i Lejlekëve të zinj, prej disa kohësh folenizon dhe shtohet në komunën e Kamenicës, Kosovë!

Nisma më e fundit e shoqatës së fotografëve shqiptarë të natyrës së egër ka qenë montimi i sistemit GPS në trupin e lejlekëve të zinj që bujtin në zonën e Kamenicës, si dhe matjet përkatëse morfologjike dhe unazimi, që tregon datën dhe vendin e vendosjes së unazës.

Operacioni, për kushtet natyrore të terrenit dhe mangësitë logjistike, ka rezultuar mjaft i vështirë, por ka përfundur me sukses!

Ky sukses, sipas Institucionit shkencor prestigjoz gjerman Maks Planck, vendosja e sistemit GPS në rastin konkret, shënohet, si rasti i parë në krejt Ballkanin!

Furnizimi i GPS dhe unazave të përshtashme të vendosura në trupin e lejlekëve të zinj është mundësuar nga Instituti gjerman Maks Planc dhe nga Universiteti i Kozencës në Itali.

Sipas fotografit dhe dokumentaristit të jetës së egër Arian Mavriqi, ekpi  realizues përbëhej nga ekspertët të fushës shkencore prof. Qenan Maxhuni, e dr. Ferat Makolli. Fotografi i natyrës dhe biznesmeni Sefer Susuri, i kudogjendur, edhe financiarisht, në aktivitetet e shoqatës. Të ndihmuar dhe të asisituar, për të shmangur incidentet, nga ekspertët e shoqatës së Kosovës për Shpëtim Milaim Kelmendi, Mentor Maloku dhe Blerton Nuha. Një ndihmë të pakursyer në përmbushjen e këtij misioni dha kompania e mirënjohur  Lg Construction Group shpk, me Kujtim Gashin, Leonard Bytyqin, Fatlind Aliaj, e Blend Demiraj.

Vendosja e sistemit Gps, një përvojë e njohur në gjithë botën shkencore, shërben për studimin e migracionit të shpendëve, sjelljeve të tyre gjatë migracionit, rrugën që ata ndjekin gjatë procesit, stacionet ku ndalojne, etj duke i ndihmuar shkencëtarët e fushës të arrijnë në konkluzione sa më të sakta shkencore!

Edmond Kaceli



domenica, luglio 03, 2022

Wildlife: Fotografohet në Kosovë simboli i natyrës shqiptare

 

Dhia e egër  Foto Arian Mavriqi

Fotografohet, me super cilësi, në ambjentin e sajë natyral, në një zonë të Kosovës, simboli i bjeshkëve shqiptare, dhia e egër (Rupicapra rupicapra).

Dhia e egër ballkanike është një specie e rrallë, e konsideruar në rrezik zhdukjet nga gjuetia e paligjshme! Ajo është shpallur e mbrojtur edhe nga Konventat Europiane të Natyrës së Egër! Pavarësisht se gjithmonë bie pre e papërgjegjshmërisë së gjuetarëve dhe gjuetisë së paligjshme!

Fotografia është realizuar nga fotografi i mirënjohur Arian Mavriqi, i specializuar, veçanërisht, në fotografimin, filimimin dhe dokumentimin e jetë së egër në trojet shqiptare e më gjërë!
Për hir të së vërtetës, dokumentimi i dhisë së egër, është realizuar edhe herë të tjera por në cilësi që len për të dëshiruar dhe nga mjete jo profesionale, ose në distanca tepër të largëta!

Vështirësia e fotografimit është jashtëzakonisht e madhe për arsye të habitatit ku jeton. Habitat i karakterizuar nga terreni i thepisur, e lartësia e konsiderueshme e Alpeve, mbi nivelin e detit.

Me shaka Mavriqi thotë se "Preferoj më shumë me fotografu Djallin se dhinë egër në gjendje të lirë në habitatin e sajë natyral!"
 
E. Kaceli