Lexues

martedì, aprile 14, 2026

Paradoksi i Gegnishtes: Mes Elitës Letrare dhe "Gegnishtes së Katundit" nga E. Kaceli


Gegnishtja sot po jeton një lloj dualiteti sa magjepsës, aq edhe melankolik. Nga njëra anë qëndron gegnishtja letrare, e papërsëritshme, e Fishtës, Mjedës, Gurakuqit, Migjenit, Camajt, e Koliqit etj. -një arkitekturë gjuhësore monumentale dhe precize. Nga ana tjetër, është realiteti i përditshëm: një mozaik mijërangjyrësh, ku "gegnishtja e katundit" mbizotëron mbi normën e kultivuar.

Miti i 100 Shkrimtarëve
Gegnishten, letrare, zyrtare, e flet pak kush, e shkruajnë, korrekt, veç nja 100 vetë (prapë m’duken shumë!) tjerët flasin e shkruajnë gegnishten e katundit të vet!
Mbase edhe ky numër duket bujar! Kjo 100 që dinë ta shkruajnë gegnishten letrare në mënyrë korrekte, nuk është thjesht një provokim. Është një diagnozë e ftohtë e realitetit tonë kulturor. Pas vitit 1972, gegnishtja e kultivuar mbeti jashtë institucioneve, duke u shndërruar gradualisht në një lloj "latinishteje shqiptare" me ndryshimin se latinishtja quhet "gjuhë e vdekur" ndërsa gegnishtja u shëndrrua në: "gjuhë e vrarë, e burgosur, e arrestuar!"
Kush e përdorte merrte emërtimin: Reaksionar i Gjuhës Shqipe!

Saktësia vs. Improvizimi: Gegnishtja letrare kërkon një disiplinë gramatikore (paskajoren, trajtat e shkurtra, lakimet specifike) që nuk mësohet më në shkolla! Gjuha ka rregullat sintaksore, morfologjike, gramatike, fonetike, fonologjike, leksikologjike, semantike, pragmtike (gjuha në veprimin e përditshëm)- terma që tingëllojnë të huaja për gegnishtasit e katundit!
Pa këto baza, shkrimi kthehet në improvizim.

Fragmentizimi: Pa një rregullator qendror, gjuha gege po atomizohet! (po rrudhoset, pluhuroset)! Kush nuk e zotëron normën letrare, përfundon duke shkruar ashtu siç flet në rrethin e tij të ngushtë, duke i bartur tiparet e gjuhës së lagjes apo fshatit direkt në letër.

Kur "Katundi" zë vendin e Librit
Forca e gegnishtes ka qenë gjithmonë te gjallëria e saj, poetika, fjalëformimi i pafund, muzikaliteti, por dobësia e saj sot qëndron te mungesa e unitetit! Kur secili përdor fonetikën dhe leksikun e zonës së vet, gjuha humbet fuqinë e saj për të qenë universale.
Shumë shkrues të Veriut, shkruajnë fiks siç flasin vetë në sofrën familjare! Kjo don me thanë se kufizojnë, pa dashje, dritaren e komunikimit vetëm me ata që të rrethojnë!
Krijohet kështu një lloj barriere e padukshme, por e dëmshme: Gegnishtja Letrare dikur ishte një urë që lidhte krejt Veriun dhe trojet shqiptare, ndërsa "gegnishtja e katundit" rrezikon të mbetet një rreth i mbyllur.

Një Rezistencë Kulturore
Rreziku nuk është se gegnishtja do të zhduket si e folur! Ajo jehon fuqishëm në rrugë, muzikë, folklor, dhe shtëpi. Rreziku i vërtetë është humbja e fisnikërisë së saj akademike! Tash 35 vjet e këtej nuk ka pasë asnjë përpjekje serioze për të krjuar të paktën një gramatikë minimale të gegnishtes letrare! Pa këtë gjitha diskutimet janë krejt boshe! Njohësit e paktë të gegnishtes letrare (gjuhë zyrtare deri në vitin 1972) duhet të kishin organizuar të paktën një mbledhje për këtë!
Të shkruash saktë në gegnishte sot nuk është thjesht çështje dëshire; është një akt rezistence intelektuale. Ata "100 veta" që e mbajnë gjallë normën korrekte janë rojet e fundit të një katedraleje gjuhësore që, për pjesën tjetër, po kthehet dalëngadalë në një rrënojë të bukur, por të pashfrytëzueshme.
Mungesa e gegnishtes në Altarin e Gjuhës Shqipe është krejt e pajustifikueshme, dhe jashtëzakonisht e dëmshme!
Humbja e kohës vetëm zgjat agoninë e një pasurie të jashtëzakonshme kombëtare që po e mbysim të gjithë nga pak!


sabato, aprile 11, 2026

Lezha kthehet në kryeqytetin e fotografisë! nga E. Kaceli

Pamje e Lezhës nga Laguna (Photo E. Kaceli)

Organizohet i pari Festival Mbarëkombëtar i Jetës së Egër dhe Natyrës 

LEZHË – Më datat 18 dhe 19 Prill, qyteti i Lezhës do të jetë qendra e një aktiviteti unik që bën bashkë artin, natyrën dhe turizmin.
Bashkia e Lezhës organizon të parin Festival Mbarëkombëtar të Fotografisë, një nismë që synon të kthejë fokusin e publikut dhe turistëve drejt pasurive të jashtëzakonshme natyrore të kësaj zone.
Ky aktivitet dy-ditor do të mirëpresë rreth 35 fotografë të apasionuar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nisma vjen si një bashkëpunim i ngushtë mes Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë Lezhë dhe një grupi fotografësh nga Kosova, të specializuar në zhanrin “Wildlife” (jeta e egër).

Një vizion që tejkalon përmasat lokale
Projekti vjen si vazhdimësi e politikave të Bashkisë Lezhë për promovimin e kulturës dhe turizmit. Bashkia e Lezhës, e kryesuar nga kryetari i saj, Pjerin Ndreu, është e shquar tashmë për krijimin, mbështetjen dhe zhvillimin e aktiviteteve të tilla kulturore dhe artistike, promovuese që i kalojnë përmasat lokale. Nën këtë lidership, Lezha po pozicionohet çdo ditë e më shumë si një qendër e rëndësishme e eventeve me impakt mbarëkombëtar, duke e kthyer qytetin në një udhëkryq të vlerave artistike dhe zhvillimit turistik.

Një lidhje simbolike mes fotografëve shqiptarë
Përzgjedhja e Lezhës për këtë festival nuk është e rastësishme. Koordinatori i aktivitetit, fotografi i njohur nga Prizreni, Liridon Shala, e lidh këtë nismë me peshën historike të qytetit:
"Lezha është vendi ku u lidhën shqiptarët në 2 Marsin e Vitit 1444, aty ku filloi gjithçka për mbrojtjen e Kombit, në një kohë kur kombi rrezikohej të zhdukej
Ky festival bashkues shënon një lloj lidhjeje të re, njëlloj Kuvendi mes fotografëve shqiptarë, një bashkim përmes artit për të dokumentuar bukuritë tona, ku Lezha është e rrallë në bukuritë e saja!"
Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanej, thekson se "ky aktivitet është një mjet i fuqishëm për promovimin e potencialeve turistike, duke u fokusuar në zonën e Kune-Vainit, ku ndërthuren peizazhet e virgjëra me një biodiversitet të mahnitshëm!"
Xhanej shton se aktiviteti mund të shtrihet edhe në vitet e ardhshme!

Programi: Nga terreni te ekspozita e hapur
Aktiviteti është konceptuar në dy faza kryesore:
Dita e Parë – Eksplorimi: Fotografët do të zbresin në terren për të kapur momente autentike nga jeta e egër, shpendët ujorë dhe peizazhet ku drita natyrore e bregdetit krijon kompozime unike.
Dita e Dytë – Ekspozita: Fotografitë më të bukura të realizuara do të printohen dhe do të ekspozohen në kavaleta në një ambient të hapur, duke i ofruar publikut një vështrim artistik mbi bukuritë e fshehura të Lezhës.
Ky festival nuk është vetëm një garë estetike, por një ftesë për të rizbuluar natyrën dhe për të promovuar "Turizmin e Gjelbër" përmes fuqisë së imazhit.

giovedì, marzo 26, 2026

Gruaja e Alii-ut poezi nga E. Kaceli


Është e zezë gruaja e Alii -ut
Perlë e errët në gjerdanin e dritës
perlë e zezë -një bukuri e pashoqe
Kur kalon shkallëve, mermeri thërrmohet
nën peshën e shikimeve tona
të gjithë meshkujt e dashurojmë në heshtje
duke i fshehë dëshirën sho -shoqit,
rrëzojmë sytë para grave për ëndrrën e ndaluar
E lutemi në heshtje, pas perdes, natën,
Që Alii të ikë larg! Të tresë fort larg!
Më guximtarët nesh, përtypin mendimin e zi:
"Këput zverkun! Lëre këtu! Vdeksh Alii!"
 
Për ata që nuk e dinë Alii është një i zi, nga Niger
një skulpturë e gjallë ebani, i fortë
me muskuj të lëmuar, e sytë e një toke të largët
N'sa ne qorrohemi prej Perlës,
gratë e pallatit hanë të gjallë Alii-un
bukurinë mashkullore që i len pa frymë!
E njashtu, në errsirën e dhomave, gratë ëndërrojnë:
Shohin në ëndërr që Ajo të zhduket, të humbë (të vdesë!)
bashkë me burrat e tyre lakmitarë!
për të ndejtë vetëm, vetëm ato,
dhe dëshira përvëlonjëse me emrin Alii!

sabato, febbraio 21, 2026

Krijesa



Unë jam biri i heshtjes
Filiz' i ujit që gërryen shpirtin
Foshnja e fjalës, njomëzaku i dritës

Jam kërthin'i vdekjes dhe jetës
pjella e besimit dhe mosbesimit
Ngatërruar në mijëra fije kultesh të rreme

Jam vocrraku i zjarrit që djeg njeriun
Mëkatar pa mëkat
Jam Njeriu -udhëtar i përkohshëm
Thjeshtë i pafat!

mercoledì, gennaio 14, 2026

Telat e kitarës nga E. Kaceli




Gjashtë tela kitare
gjashtë shpirtna,
gjashtë varrë.
 
Dy për dy sytë
lidhi, shpoi, përgjaki,
Bani me rrjedhë notat këngë gjaku
Krejt si plagët e syve të plasun
 
Tjetrin tel bane hark, shigjetë
lene të shpojë zemrën
zemrën që nuk rreh më!
Qysh prej njëmijë shekujsh
 
Telin e katërt bane kryq
kryqëzoje me telin e pestë
Ndërto î kryq dhimbjet, ngule fort,
n'trupin tand rrënuar kujtimesh
 
Të gjashtin tel, të mbramin,
shtrëngoje nëpër duar,
përgjaki der' sa t'mos mundesh
me i këndu prapë dhimbjes.
E kështu ka me plasë trupi i kitarës
Mbytun në gjakun e vet...
 
Itali, janar 2026

giovedì, gennaio 08, 2026

Hija e komunistit -Prozë poetike nga Erik E. Kaceli

 
Dialog... (Imazh gjeneruar me IA)

Pashë hijen e dikujt
ulur në metronë e linjës
Dukej fort i zemëruar me mua...
Më sheh, ashpër! Më pyet me zë të egër:
"Beson në Zot?"
Syzmadhuar nga frika përgjigjem:
"Jam më i pafajshëm se aq!
-nuk jam komunist!"
Plaku, lëshon shishen e vodkës në çemento
Me zë të fortë, bërtet fort:
"Isha komunist! Kam mbetë komunist!
Kurrë, kurrë më, nuk e lëshoj Partinë!"
Frika shëndrrohet në të qeshur,
përpara se të ngjitem në tren i thërras:
"Partia gjithmonë të ka ndaluar të bëhesh tapë!
Nuk je komunist!... Je thjeshtë i alkoolizuar!"
 
Itali, janar 2026