Lexues

sabato, settembre 19, 2020

Kështu thyhen kufinjtë! -Wildlife Albanin Photographers

nga Edmond Kaceli

Fotografia në shërbim të thyerjes së kufinjve virtualë në mes Shqipërisë e Kosovës! Madje edhe më gjërë. Fotografët shqiptarë të natyrës së egër kanë organizuar, e nuk po ndalen të organizojnë,  një sërë ekspozitash fotografike në Shqipëri e Kosovë.

Ekspozita të ngjashme janë realizuar edhe në vende të ndryshme të botës, veçanërisht nën mbështetjen e përfaqësive diplomatikë të Kosovës. Fotografitë e florës dhe faunës janë bërë pjesë integrale e pasaportës prezantuese të pasurisë që ofrojnë trojet shqiptare. Përmendim në mënyrë të veçantë ekspozitat pranë përfaqësive diplomatike të Kosovës në USA, Mbretërinë Bashkuar, Tiranë etj.

Ekspozita në Ambasadën e Kosovës, Tiranë credit S. Aliqkaj

Këto ditë drejtuesit e organizatës  WAPH kanë marrë një ftesë të posaçme nga Bashkia e kryeqytetit të Shqipërisë për tu përfaqësuar me një ekspo -fotografike në Tiranë.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë, në 5 vjetorin e krijimit të sajë, ka ftuar organizatën në hapjen e një ekspozitë me fotografitë më të mira të realizuara në Liqenin e Tiranës. Ftesa zyrtare është nënshkruar nga Drejtoresha e Agjencisë Eriada Fino.

Arian Mavriqi -kryetar i organizatës thotë: Ftesa nga Tirana është një tjetër surprizë e veçantë, siç është dhe Tirana e veçantë!

Për ne është kënaqësi, që në vazhdimësi, po marrim të tilla ftesa per ekspozita apo ekspedita! Kështu na jepet mundësia e takimit live ndërmjet miqve fotografë nga mbarë shqiptaria!

Përveç prezantimit te punës tonë, shkëmbejmë ide, dhe tregojme eksperiencat gjatë fotografimeve në terren. Ftesat dhe takimet e tilla japin frytet e tyre edhe te fotografët e rinj sepse promovohet dhe njihet puna e pasioni i tyre. Ky promovim ka shumë rëndësi për të ardhmen e tyre në lëminë e fotografisë së jetës së egër!

Liqeni i Tiranës  credit I.Sinani

Pas takimit-ekspeditë, dhe ekspozitës në Liqenin e Shkodrës, ekspozita e radhë e po organizohet në Parkun Kombëtar të Blinajës, Kosovë.

Fotografët kanë paraqitë së paku nga dy punime prej të cilave, nga një komision ekspertësh fotografë, zgjidhen ato më të mirat si pjesë e ekspozitës.

Ekspozita në Parkun e Blinajës, ka mbështetjen dhe bashkëpunimin e veçantë nga Presidenca e Kosovës, me pikësynim promovimin e turizmit dhe natyrës së egër shqiptare.


Liqeni i Blinajës credit L. Dragusha


giovedì, settembre 03, 2020

Triptik... nga E. Kaceli

 

VJESHTË

Prej pemëve bien gjethet.

Prej zemrave bien dashuritë e thara.


NËSE TI VDES…

 … mbi varrin tënd

(atëherë)

do të mbij unë –Lulja e Pikëllimit.

 

ËNDËRR

Helmuar prej dashurisë.

Helmuar prej ëndërrave.

Helmuar prej çdo gjëje të mirë

që jeta ma dha me tepri.

U rrëzova. Rashë.Me shpresë

për t’më ngritur ti.

martedì, settembre 01, 2020

Takim emocionant me Ujkun e Zi, specie e rrallë!

 

nga Edmond Kaceli

Emocionant ka qenë takimi i dy fotografëve të natyrës së Egër, me specien e rrallë Ujku i Zi, konsideruar si një nga bukuritë e rralla të natyrës në botë.

Fotografët shqiptarë nga Kosova, Arian Mavriqi dhe Besnik Jakupi, arrijnë të fotografojnë dhe të filmojnë, Ujkun e Zi, në zonën e Kamenicës, Kosovë. Lokacioni i saktë mbahet sekret për arsye të mbrojtjes nga gjuetia e paligjshme. Pasi ky lloj ujku, për shkak të ngjyrës së zezë, e rrallë në botën e ujqërve, kërkohet shumë në tregun e zi. E për këtë arsye gjuetia e tij në vendet e botës ku është i përhapur mbrohet me ligje të posaçme.

Fotografi Besnik Jakupi tregon: Ishte herët , rreth orës gjashtë të mëngjezit, ora kur bashkë me mikun dhe kolegun, Arian Mavriqi, dalim zakonisht për të fotografuar jetën e egër.Papritmas pamë diçka që u fsheh në mes arave me misër. Fillimisht kujtuam se ishte një qen apo diçka e tillë. Duke kontrolluar në zonën ku ishte fshehur, dalluam se përmasat, ngjyra dhe mënyra si por reagonte kundrejt nesh, nuk ishin të zakonshme për një qen. Arritëm të afrohemi deri në distancën diçka rreth 30 -40 metër. Vetëm atëherë krijova bindjen se kishim të bëjmë me të ashtuquajturin Ujku i Zi, specie e mbrojtur në Botë. Bindje që u përforcua më pas, nëpërmjet fotografive dhe video-s që arritëm të realizonim në ato momente magjike!


Fotografi Arian Mavriqi, thotë: Ishte një ndër daljet tona fotografike rutinë në komunën e Kamenicës, Kosovë. Në momentin e parë emocionet ishin të papërshkruara! Ndërsa ai shikonte, si me dyshim, në drejtimin tonë arritëm të realizojmë disa shkrepje të njëpasnjëshme. Për fat të keq ky lloj ujku, i rrallë, kërkohet shumë nga gjuetarët e papërgjegjshëm dhe në tregun e zi. Do të ishte humbje e madhe për natyrën e trojeve shqiptare. Shpresojmë në vetëdijësimin e shoqërisë që të ruhen këto pasuri tonat sepse një bukuri të tillë në vendet e tjera munden vetëm ta ëndërrojnë.



Sipas studimeve të Stanford University, USA, dhe laboratorit të gjenetikës, Itali, ish Instituti Kombëtar për faunën e Egër, (sot Istituto superiore per la protezione e la ricerca ambientale, ISPRA) ngjyra e zezë e vjen si pasojë e një kryqëzimi të quajtur të kundërt (ujkonjës ngjyrë gri me qen me ngjyrë të zezë), rreth 10 mijë vjet ma parë.

Sipas shkencëtarëve gjenetistë italo -amerikanë, Ujku i Zi, lloj mjaft i rrallë, në mënyrë të veçantë në Europë, është variant melanik, i ujkut gri (Canis Lupus). Shkencëtarët spjegojnë se mutacioni melanik, është një mutacion i trashëguar që shfaqet me ndryshimin e ngjyrave në më të errëta, konkretisht të zeza në rastin tonë, në organizmat që normalisht kanë tjetër ngjyrë.

Evidentimi dhe fotografimi i Ujkut të Zi është një tjetër sukeses i jashtëzakonshëm, jo vetëm personal i fotografëve Jakupi e Mavriqi, por edhe i punës së palodhshme që organizata e Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër (Albanian Wildlife Photographers), me qendër në Kosovë, po bën në vijimësi për evidentimin e specieve të natyrës së egër që pasurojnë trojet shqiptare.