Lexues

martedì, gennaio 19, 2021

Lutje e sinqertë Zotit! nga E. Kaceli

Një kujtim, një poezi, një kushtim...


Kjo poezi prej katër rreshtash, ndoshta nuk ia vlen me e quajtë as edhe poezi!
Diku e paskam shkrujtë në letër të pastër, aty nga viti 1991. E nuk më kujtohej a e kam publiku në shtypin e kohës!
Vetëm kur miku im i kahershëm Arben Ndoi e shkroi (fjalë për fjalë) në profilin social të poetit dhe mikut tonë të përbashkët, poetit dhe gazetarit,  Marash Mirashi, (miqtë si Arbeni ishin lexuesit dhe redaktorët e parë të poezive tona) u kujtova e iu vuna kërkimit në fletoret e mija të dikurshme!
E gjeta me mundim.
E thashë me vete: Hajt se ndoshta e kam publiku edhe në ndonjërin nga tre librat e mij poetikë!
I pari "Simbiozë" Lezhë 1994, ma shumë asht si fletore se sa libër! Bile i mungon edhe ISBN-ja, për faktin se në atë kohë iu mungonte të gjitha botimeve që dilnin nga shtypi i kohës.
Habia ma e madhe : Në faqen e fundit të librit kisha publiku edhe këto katër vargjet me titull:
 
Lutje e sinqertë Zotit!
O Zot!
-ndihmomë të çmendem
ndonëse jam i shkalluar
në këtë botë të marrë.

janar 1991
 
Gjithsesi duke falenderuar edhe një herë mikun tim Arben Ndoi për kujtesën e mrekullueshme, (30 vjet nuk janë pak) po e lë në gjykimin tuaj se a mundet me u quejtë poezi apo jo! (Sinqerisht mua më duket poezi, e vetja, nganjëherë,  më duket edhe pak si poet!)

sabato, gennaio 09, 2021

Në kështjellat e mbretërve... poezi nga E. Kaceli



Në kështjellat e mbretërve të dikurshëm
të presin vetëm mure hijerënda
e perde më të rënda se hijet!
Hije të mykura që marrin frymë prej shekujsh!
 
Nuk ka rëndësi hiç
nëse je në Stamboll, Torino, Romë,
a në Piramidën e Diktatorit në Tiranë!
(Diktatori urrente mbretërit! -thonë)
E njëjta hije rëndon mbi muret, njerëzit
që hyjnë e dalin si hije mes hijesh
objekte të vdekura që flasin
thika që kullojnë gjak!
 
Portrete mbretërish, mbretëreshash, princash,
statujash gjithaq, e krena të preme!
-pa dyshim, dashnoret që prenë koka kundërshtarësh
nuk mungojnë me bukurinë vrastare!
Intrigat zgjaten mureve nën pluhurin historik!
Hije historike ngatërrohen me sho-shoqen.
 
Në shtëpitë e mbretërve, pafundësisht, një heshtje varri!
Aq shumë hesht koha, sa dhe heshtja bie në çudi!
 
Në çatitë e kështjellave, pallateve luksozë, piramidave,
                                                           në kërkim të lirisë
thyejnë heshtjen vetëm zogjtë!
Zogjtë, tmerrësisht të lirë, që dhjesin 24 orë rrjesht
parvazet, çatitë, muret, statujat, oborret, e lavdive të rrejshme!
 
Në kështjellat e mbretërve të dikurshëm
të presin vetëm mure hijerënda
të presin muret më të rënda se hijet!
Dhe një ciceron pesë eurosh, që spjegon lavdinë e largët!
                                                                 Itali, janar 2021

mercoledì, gennaio 06, 2021

Pamflet: Boll u hapët b... me numrin e ambulancave! -nga E. Kaceli

 -Fshati ku rri unë ka 250 (dyqind e pesëdhjetë) banorë e 4 (katër) ambulanca!

 U shkye Qeveria e ndritur e shqiptarëve me reklamimin e 36 makinave -ambulancë për Urgjencën Kombëtare! Pikërisht për urgjencën kombëtare!

Ka disa ditë që mediat e qeverisë dhe qeveria e mediave nxjerrin në paradë suksesin më të madh të qeverisë: 36 ambulanca i shtohen flotës së ambulancave shqiptare!

Se në ç'gjendje është kjo flotë, shqiptarët e nevojshëm për këtë shërbim e dinë, e kanë provuar, dhe e provojnë në kurriz të të tyre!

Shqipëria llogarit rreth 2 miljon banorë të përhershëm në një territor 28 mijë km kator!

Sipas matematikës së thjeshtë: 2 miljon për 36 ambulanca i bie nje copë ambulancë për 56 mijë banorë!

Në komunën Albaretto della Torre, Cuneo, një komunë në zonën kodrinore, Organizata Lokale e Kryqit të Kuq, disponon katër makina ambulanca me të gjithë kushtet. Komuna regjistron rreth 250 (dyqind e pesëdhjetë) banorë!

Nëse Kryeministri dhe ministria e shëndetësisë shqiptare ka nevojë për llogari në interes të sajën, të thërrasë kryetarin  e demokratëve Lulëzim Basha! Sepse edhe kur partia e Lulit ishte në pozitë, me mbarëqeverisjen e sajë, sigurisht ka ndikuar në mbarëvajtjen e flotës tokësore të shërbimit të urgjencave!

Imagjinoni kryeministrin italian Conte të dalë në Piazza della Repubblica, ose perballë Colosseum -it e të thotë: Sot Qeveria Italiane siguroi 360 ambulanca të reja! (Po e rris numrin në raport me popullsinë)

Po ikni o të çmendur e fshihuni dikund se është turp!

Fotografia e mëposhtme, është marrë nga arkivi në Web i "Gazzeta d'Alba" gjatë festimeve të 20 vjetorit të të organizatës së kryqit të kuq në komunën që përdora për krahasim. Besoj dallohet qartë numri i ambulancave!


sabato, gennaio 02, 2021

Covid-19: Largohet nga jeta zbuluesi dhe mbrojtësi i Tulipanit Shqiptar

Shkruan Edmond Kaceli


Sëmundja e shekullit, covid-19, i merr jetën zbuluesit dhe mbrojtësit të Tulipanit Shqiptar, biologut e botanistit Besnik Hallaci, Kukës. Lajmi i rëndë ka tronditur jo vetëm familjarët dhe të afërmit por edhe miqtë e tij kudo që ndodhen. Zoti Hallaci luftonte, i intubuar, prej disa ditësh, në betejën për jetën me virusin vrastar.

I veçantë dhe tronditës erdhi ky lajm dhe për familjen e madhe të Organizatës së Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër,  ku Hallaci kontribuoi vazhdimisht me profesionalizmin, pasionin, këshillat dhe njerëzillëkun e  tij të jashtëzakonshëm!


Kryetari i Organizatës gjithëshqiptare të WAPH, fotografi Arian Mavriqi shkruan: I pabesueshëm ky lajm për ikjen tënde të parakohshme Besnik! Në çdo iniciativë ishe aty me ne, për të na ndihmuar kur kërkohej ndihma jote. Mungesa do të thotë shume për Oganizatën tonë vëlla, do të na mungosh shumë i dashur Besnik! Zoti të mëshiroftë! Në emër të Organizatës  iu shprehim ngushëllime familjarëve, miqve dhe gjithë atyre që e njohën Besnikun!

Biologu dhe botanisti Besnik Hallaci do të kujtohet për shumë vepra të tij të mira dhe emrin e mirë që la në Kukësin e tij që e deshti deri në fund! Por ajo çka e bëri të pavdekshëm, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, mbetet zbulimi i species së rrallë të Tulipanit Shqiptar, Tulipa Albanica, emërtuar nga vetë ai.


Përndryshe Tulipani i Kukësit, u zbulua nga Besniku në zonën e Kolsh- Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, në vitin 2003. E më vonë grupi i ngritur ku merrnin pjesë edhe biologu Luan Vata, prof.Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, profesoresha Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë, do të vërtetonin me prova gjenetike dhe shkencore zbulimin e rrallë që bëri pasioni dhe aftësitë profesionale të Besnikut.

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit. Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike. Bima e çertifikuar është sot një nga 113 tulipanët që njeh bota.  

Besnik Hallaci me punën dhe përkushtimin e tij  të pazakontë kishte zbuluar gjithashtu edhe 7 bimë të reja për Kukësin, 3 prej tyre të panjohura më parë për florën shqiptare, Dianthus superbus (karafil), Silene lerchenfeldiana (klokëz), Aristolochia merxmuelleri (petrik).