Lexues

domenica, novembre 11, 2018

Opozitarë, Vëllezër, Derra!


Satirë:

-nga Edmond Kaceli

Të gjitha kafshët janë të barabarta, por derrat janë më të barabartë! -Ky perifrazim i mikut tim të adoleshencës, të madhit George Orwell, vjen parasysh sa herë shikoj derrat që na rrethojnë, e na komandojnë e na udhëheqin!
Në vijim të udheheqjes derrore në Fermën tonë të kafshëve më bie ndërmend ajo shprehja e famshme e thënë nga një derr udhëheqësi (në shqip: burrë i zoti) para do kohëve:
Opozitarë por vëllezër!
Tani se si mund te bëhet derri opozitar për vëllain derr, vetëm dreqi i derrit e di!
Ekziston edhe një barcoletë filozofike e famshme për derrat:
Në pazar të kafshëve në Milot, një fshatar i kërkoi shitësit që derrkucët,  të mos jenë baxhanakë! (Baxhanakë në shqip përkthehet kunat me gratë motra)
Arsyeja ishte se baxhanakët nuk kanë konkurrencë me shoqi -shojnë, dhe nuk do të majmeshin si duhet!
Fshatari, rritës derrash me shumë përvojë, i lypi vëllezër!
Përfundimi logjik! Ka një luftë të ashpër për ushqim e derrat e majmen më fort kur janë vëllezër!
Vëllezër por opozitarë!
Kështu hanë më fort e jetojnë më të lumtur, e majmen më të lumtur, duke u ushqyer në lugun (tharkun) e derrave!
Pra, pavarësisht se cili derr është në krye të udhëheqjes për momentin, parimi është i njëjtë: Opozitarë por vëllezër! Kështu majmëria bëhet e pafund!

P.S. Çdo aludim për Shqipërinë, pozitën, opozitën, qeverinë, kryeministrin, presidentin, parlamentin, gjykatat, e gjithë strukturat e administratës atje, është i pavend dhe i dënueshëm konform ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare!

lunedì, novembre 05, 2018

O çmendi që quhesh Shqipëri!

Është një vend tmerrësisht i trishtë
Është një vend pafundësisht i çmendur!
Është një vend i trishtë, një vend i çmendur është

Një vend ku dhe dielli lind i trishtë
jeton trishtimin e vet
mbytet në një det të trishtuem
për të lindë të nesërmen më i pafat
majë një mali që ndjell vetëm trishtim
majë një mali të çmendur në lartësinë e vet!

Diell i çmendur! Diell çmendurisht i trishtë!
Njerëzit më të çmendur se dielli!
(Njerëzit e këtij vendi pasi çmendën njëri -tjetrin
iu kthyen Zotit - E çmendën dhe Zotin!)

Është një vend i trishtë, një vend i çmendur është
Është një vend tmerrësisht i trishtë
është një vend pafundësisht i çmendur
i trishtuar pafundësisht
                                    I lumtur
marrëzisht
në trishtimin dhe çmendurinë e tij!

...Në qoshkun më të përhumbur të Botës
nën qiellin më të ndryshkur të Botës
nën diellin më të trishtuar të Botës
vijon të ndodhet Shqipëra!

E. Kaceli, Itali 2018