Lexues

domenica, febbraio 26, 2023

Një derr interesant -tregim nga E. Kaceli




Në mes të ditës, përmes sheshit të madh të qytetit (se qyteti i vogël ka edhe një shesh të vogël) i pashqetësuar nga njerëzit e shumtë që vijnë e shkojnë; i pashqetësuar nga makinat e shumta e të markave e viteve nga më të larmishmet; i pashqetësuar nga zyrtarët dhe zyrtaret e shumta që iu bie rruga dy herë në ditë (kur ikin në punë dhe kur kthehen nga zyra) qëndronte një derr.

Po. Po. Një derr. Një derr me praninë e të cilit tash jemi mësuar të gjithë. Me përjashtim të vizitorëve që vijnë herë pas here në sheshin e madh të qytetit të vogël.
Sipas të gjitha gjasave, derri për të cilin po flasim, është një nga derrat më interesantë të botës derrnore të qytetit tim të vogël me dy sheshe.
Një shesh të madh. E një shesh të vogël.
Nëpër sheshin e madh kryqëzohet rruga e zyrtarëve të vegjël me poste të vegjël,  dhe rruga e zyrtarëve të vegjël me poste të mëdhenj.
Ndërsa në sheshin e vogël një herë në vit, çohet flamuri kombëtar me praninë e të gjithë zyrtarëve.

Është një derr i bardhë me pulla të zeza. Qimet e tij shkëlqejnë nga pastërtia dhe nga ushqimi i mirë. Me ç'duket është një derr që ushehet shumë mirë me vitamina e proteina të cilësisë së lartë. Një derr vita -protaminoz sipas veterinerit më të vjetër të qytetit!
Qimja i shkëlqen njëlloj si fytyra e ndonjë zyrtari që lyhet me lloj –lloj kremrash e spërkatet me lloj –lloj parfumrash për ti pëlqyer sekretares së tij leshverdhë. (Sipas statistikave zyrtare 95% e sekretareve i kanë, ose i bëjnë, leshrat e verdhë)
Mbase dhe derri ynë ka ndonjë mikeshë leshverdhë? Ku i dihet? Punë derrash!

Megjithëse duket që është një derr në majmëri, derri ynë nuk harron të ngrejë kryet kur kalon ndonjë lesh... pavarësisht nga soji i leshit që disponon zyrtarja –kalimtare. Thundrat e tij duket sikur nuk kanë rënë asnjëherë në baltën e gropave të qytetit. Madje edhe kur bie shi këmbët e këtij derri nuk janë të zhytura me pak baltë. Mund të themi se derrit të asfaltit i mungon vetëm kollarja për tu quajtur Derr i Rangut të Lartë...
E për këtë arsye po e thërrasim me emrin e përveçëm: Derr. Në shenjë respekti. Në shenjë mirënjohjeje për karakteristikat që ka, dhe nuk ka asgjë të përbashkët, me derrat e vërtetë dhe me derrat e rremë të qyetit tim.

Pra një Derr interesant! I pashqetësuar nga askush. Çdo ditë paraqitet krenar e mospërfillës në mes të rrugës. Njerëzit, që e shohin më shumë se një herë, kur kalojnë pranë tij ulin kryet e nuk bëzajnë. Ndonjëri, krejt instiktivisht, tund sapak kokën në shenjë përshëndetjet pa e pasë mendjen cilin përshëndeti.
Pasi kryet i kthehet në pozicion normal, njeriu i shkretë kujtohet. Kthen i shqetësuar dhe vëren se njeriu, që sa përshëndeti, na qenka një derr. Një Derr, i cili ia ktheu përshëndetjen me një hungërimë te mbytur, ashtu siç mund të hungërijnë vetëm derrat që shëtisin lirisht nëpër rrugët e qytetit, të patrazuar nga askush.

Jo rrallë, prej njerëzve që kalojnë rrugës, Derri dëgjon të zhvillohet ky dialog i përafërt:
-Shiko! Shiko! Prapë Ai...
-Kush?
-Ai pra, Derri i Përditshëm.
-Përse habitesh? Ai vjen prej kohësh këtu. Është shumë i veçantë.
-Çfarë?
-Ndoshta nuk të besohet por ky Derr vjen këtu vetëm në mëngjez nga ora 8 deri aty nga ora nëntë. E në drekë nga ora 14 -15.
-Përkoka me orarin zyrtar.
-Krejt saktë.
-Megjithëse mund të them se është me të vërtetë një Derr interesant..

Por Derri ynë nuk e vret mendjen. Ai hungëron nën hundën e tij –noçkë, të petëzuar e gjithë dhjamë. Indiferent, kreshpëron qimen, pa u hutuar nga anjë kalues nëpër ambjentin rrotull tij...

Lezhë, Shqipëri ’95 -Alba, Itali, '23

domenica, febbraio 12, 2023

Shqiptarët e Londrës ndryshe... nga Edmond Kaceli


Foto E. Kaceli

Janë anatemuar aq shumë shqiptarët që jetojnë në Angli kohët e fundit sa është krijuar përshtypja që pjesa më e madhe e tyre nuk merren me asgjë tjetër veçse me mbjellje, kultivim, shpërndarje droge, vjedhje shtëpish, banda të armatosura, veprimtari klandestine dhe asgjë tjetër!

Në këtë etiketim ka ndihmuar jo vetëm mediat dhe politika e ditës britanike por edhe mediat shqiptare që cilat kërkojnë të bëjnë lajm edhe kur nuk ka lajm! Në kurriz të emigrantëve shqiptarë në Angli!

Në fakt e vërteta është krejt ndryshe! Kush ka të afërm që punojnë e jetojnë në Londër, ku është përqëndrimi më i madh i shqiptarëve emigrantë, e di shumë mirë edhe të vërtetën ndryshe. Një e vërtetë që flet në heshtje, për shqiptarët e ndershëm që punojnë, jetojnë me punë të ndershme, shkollojnë fëmijët në shkollat më të mira britanike, dhe kërkojnë të jenë dikush me emër të mirë në shoqërinë angleze krahas komuniteteve të tjera që përbëjnë tërësinë e një Londre multietnike dhe multikulturale!

Nëse mund të flitet për një raport mes shqiptarëve që janë problem me sistemin e drejtësisë në Angli dhe me shqiptarët që kërkojnë të punojnë , jetojnë e zhvillohen normalisht, që integrohen dhe janë të integruar në jetën londineze, balanca e peshores anon të paktën mbi 90% në kahun e këtyre të fundit!

Për këtë duhet patjetër të vizitosh Londrën me rrethinat e sajë. Jo ta vizitosh për të parë bukuritë e jashtëzakonshme të Londrës turistike, por për të prekur e folur, për e me realitetin e shqiptarëve ndryshe!

Shqiptarëve që i sheh menaxherë të sukseshëm restorantesh nga më luksozet, pronarë kafenesh, menaxherë ndërtimtarie, informaticienë, ofrues shërbimesh  dinjitoze...Sepse Anglia iua ka dhënë këtë mundësi dhe ata e kanë shfrytëzuar!


Në vendin e mundësive të jashtëzakonshme ne kemi arritur të shfaqim talentin në atë çka bëjmë më mirë! -Kështu thotë Niko Doda, menaxher ndërtimi, prej vitesh në Londër. Ndërsa pijmë një kafe italiane në Bar Restorant Kursal me pronarë shqiptarë! Dy hapa më tej është "Bardhoshi -Bar Restaurant" me kuzhinën tipike shqiptare, dhe menunë e shkruar në shqip dhe anglisht!

Niko më shoqëron edhe në disa nga punimet në fushën e ndërtimtarisë që ndërmarrja multietnike prej 70 punëtorësh, që menaxhon, ka rindërtuar apo ndërtuar nga themelet.

Niko thotë se shqiparët janë jashtëzakonisht kërkues në drejtim të nivelit të jetesës, dhe dallohen nga komunitetet e tjera se janë të përkushtuar në masën më të lartë ndaj punës dhe familjes.

Në fakt kudo në Londër sheh "gjurmë" shqiptarësh! Në supermaketin afër hotelit ku qëndrova surpriza më e madhe ishin pijet e prodhimit shqiptar, dhe sidomos uji "Lajthiza", konkuruese në tregun e produkteve ushqimore që mbërrijnë në supermarketet londineze nga e gjithë bota!

Më e bukura të takosh lezhjanin Gëzim Pjetri, në profesionin e kamionistit, që edhe natën e Krishtlindjeve del nga shtëpia për të furnizuar supermarketet londineze. Gëzimi, që ka punuar kamionist në Itali për shumë vite, është nga ata që i quajnë emigrantë të dyfishtë! (Ka lënë Italinë dhe bashkë me familjen jeton e punon në Londër). Gëzimi thotë se ritmi i jetesës është shumë herë më intensiv se sa në Italinë e bukur, por nuk kemi pasë probleme integrimi! Mjafton të kesh vullnet për punë!

Mundësitë për ata që duan të punojnë janë të shumta! Pavarësisht nga lodhja e përditshme, rezultati në fund të ditës të tregon se nuk ke gabuar zgjidhje- thotë Klodina Cara, që ka krijuar klientelën e vet londineze në fushën e parukerisë në një nga zonat më të vlerësuar të Londrës!

Më mungon pak Venecia, thotë Idi Makaj, nga Shkodra, menaxher në një zinxhir restorantesh italiane në qendër të Londrës. Ëndërra ime është të kem një restorant krejt timin në Londër, e pse jo? - të rikthehem me një restorant timin në Venecia!

Në fakt ambicia për një jetë gjithnjë e më të mirë është tipari krakteristik i shqiptarëve jo vetëm të Londrës!

Kjo ambicie dhe talenti i pazakontë në fushën e informatikës, e ka bërë Adrian Gjytetzen një nga ekspertët e sigurisë informatike më të kërkuar që punën dhe jetesën e tij e ka ndërmjet Anglisë edhe SHBA-së! Adriani është një tjetër shembull i shqiptarëve ndryshe që suksesin e ka gjetur larg Atdheut, në Anglinë që i hapi dyert dhe i krijoji mundësinë e shfaqjes së aftësive të tij!

Ai thotë se Anglia është vendi i mundësive të jashtëzakonshme por duhet të jesh i aftë dhe të kesh dëshirën që ti shfrytëzosh mundësitë e krijuara! Përvçe talentit duhet të kësh dëshirë dhe vullnet për të qenë ndryshe!

I shkruaj të gjitha këto ndërsa lexoj shkrimin e një tjetër personaliteti shqiptar, poetit Laureat Rudolf Marku, që prej vitesh ka zgjedhur Londren si shtëpinë e dytë!

Rudolf Marku shkruan mbi paaftësinë e diplomacisë shqiptare e rrjedhimisht të qeverisë shqiptare, për të afruar përkujdesin minimal që një shtet normal duhet të ketë për nënshtetasit e tij në vendet ku emigrojnë! Duke folur për paaftësinë e diplomacisë shqiptare ne Londër mes tjerash thotë:

" ...kompleksit të dukshëm të inferioritetit të ambasadorit shqiptar, një zyrtar Gogolian a Çehovian, i papërgatitur, qesharak dhe mjeran njëherësh. Refreni i tij gjatë gjithë debatit është fjalia më e papërshtatshme për një përfaqësues diplomatik të një shteti të huaj: I do not understand!

Nuk është për t’u çuditur ky reagim i Ambasadorit Qirjako Qirko, një ish-prokuror i regjimit komunist shqiptar, i cili është mësuar të marrë në pyetje të pafajshmit, e jo të merret në pyetje. Në radhë të parë, edhe me vetë ligjet shqiptare, ky ish prokuror i komunizmit nuk duhej të kishte pasur vend në administratën shtetërore post komuniste, e jo pastaj të qe zgjedhur Ambasador në një vend kaq të rëndësishëm diplomatik siç është Mbretëria e Bashkuar."

Megjithatë, shtoj unë, pavarësisht kësaj shqiparët e Anglisë si Niko, Klodina, Besa, Ardiani, Gëzimi, Idi, e qindra të tjerë janë dëshmitarët më të kjartë se shqiptarët kanë shënuar dhe vijojnë të shënojnë një një emër ndryshe në historinë e emigracionit shqiptar në Londër Mbretërore!

Me Nikon, shembull i suksesit shqiptar ne Londer