Lexues

domenica, luglio 12, 2020

Në Shkodër lind Wild Europe - Nga Jetmir Troshani, Shkodër, Shqipëri

Credit Granit Hysenaj
E gjitha kjo nismë e re e Wildlife Albanian Photographers gjen mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tirane, Europe House në Shqipëri, të cilëve iu shkon një falenderim i veçantë!


Ka qenë një sukses i pazakontë aktiviteti përshendetës, i datës 12 korrik në Shkodër i organizatës shqiptare të fotografëve të jetës së egër! Takim i ëndrruar dhe menduar prej kohësh, që më së fundi u bë realitet, pranë liqenit të Shkodrës.

Gjej rastin, së pari, të falenderoj Bashkinë e Shkodrës dhe gjithë stafin përfaqësues, për mbështetjen, gadishmërinë dhe entuziazmin që ka shprehur dhe praktikisht ka realizuar duke na mbështetur, dhe duke na premtuar për të na rimbështetur edhe në nismat tona të ardhme. Një vlerësim i veçantë shkon për kryetaren e bashkisë së qytetit të Shkodres, zonjën Voltana Ademi, jo vetëm për konsideratën, por edhe pasionin e vëmendjen e saj ndaj natyrës dhe nismës sonë. Aspirata jonë është që këtë takim ta kthejmë në një traditë të mirëfilltë të përvitshme.

Pikërisht kam gjithashtu kënaqësinë e shtuar t’ju informoj se grupi organizativ i Wildlife - Albanian Photographers ka kohë që punon për shtrirjen e bashkëpunimeve të mëtejshme me fotografë të jetës së egër nga vende të ndryshme të Europës.


Përfshimja në këtë projekt -risi të rradhës kërkon rritje, jo vetëm të përgjëgjësisë, por edhe të një cilësie më të mirë të fotografisë. Jam krejt i sigurtë se edhe kësaj here, do të ecim me hapa dinjitozë përpara duke paraqitur shqiptarinë në dritën më të mirë të mundur, ashtu siç e meriton.

Për të rritur cilësinë e punës duhen gjetur mënyra bashkëpunuese të cilat mundësojnë ngritjen e nivelit të fotografisë tonë si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo artistike. Një nga format më efikase dhe aktuale për këtë është realizimi i ekspeditave fotografike.

Shumë shpejt një e tillë do të realizohet në Rrjoll-Velipojë, e cila do të inaugurohet nga tre fisnikët tanë Ruzhdi Ibrahimi, Lutfi Muaremi dhe Vebi Sulejmani, të cilët pa dyshim do ta kurorëzojnë me sukses, duke na sjellë jo vetëm risi në lloje, por edhe në shkrepje cilësore.

Në këto ekspedita qëllimi gjithnjë është shkëmbimi i eksperiencave trajnuese dhe edukative me shpresën për të arritur lartësinë e një niveli të denjë ndërkombëtar e të barabartë me fotografët e evidentuar të natyrës së egër në Europë.

Kujtoj, ky takim, patjetër është fryti i një ëndrre që filloi në Kamenicë e Pejë, Kosovë, në Mars të vitit 2018 me Granit Hysenin, Besnik Jakupin dhe Arian Mavriqin, të cilëve më pas iu bashkova edhe unë, dhe shumë e shumë fotografë të tjerë të talentuar shqiptarë të natyrës së egër!

Ne së bashku, kemi vendosë të guxojmë përtej së tashmes, për t’i dhënë jetë një qëllimi edhe më të madh, pikërisht daljen përtej kufijve ekzistues, duke përfshirë edhe fotografë të jetës së egër nëpër Europë. Ky rrugëtim i ri dhe i përbashkët do të quhet “Wild Europe”.

Ndërkohë që një pjesë e ekipit organizator do të vazhdoj të udhëheqë nismat e Wildlife - Albanian Photographers, pjesa tjetër në lidhje të vazhdueshme do të punojë në kurimin e suksesit të këtij projekti të ri, i cili në kohë ka për qëllim të lidh të dy grupet në një entitet të vetëm.

Në tërësi, bashkëpunimet tona të ardhmen, pandryshueshmërisht vazhdojnë të synojnë mbrojtjen dhe promovimin e jetës së egër në trojet tona shqiptare dhe më gjërë, nëpërmjet syrit artistik të fotografëve tanë si brënda ashtu dhe jashtë kufijve të trevave shqipfolëse.

Shkoder, korrik 2020 Credit Raim Kurtaj