Në shkretinën e ditëve të shkreta
Një i çmendur mbolli një lule
Krejt me çudi rrugtarët e shkretinës e panë
(Me mbjellë një lule në shkretì!)
Në shkretinën e ditëve të shkreta
Ujë nuk kishte pasë kurrkund
(Në shkretinë uji asht një gjà e rrallë)
I çmenduri i shkretë
për me rritë lulen,
përditë shtrydhte zemrën nga pak.
Krejt pak
shtrydhte zemrën.
Lulja rritej,
rritej,
e rritej e shëndetshme.
(Zemra dhe trupi mpakej përditë e ma fort)
Në shkretinën e ditëve të shkreta, një ditë
Rrugtarët panë një lule të madhe, të bukur, bojë gjaku
Karvani i shkretanëve të rrugës së shkretinës u ndal. I pari
i karvanit këputi lulen. E vuni si shèj në këmishën e bardhë.
E prapë karvani i shkretanëve u vu të ecë nëpër rrugën e ditëve
të shkreta. Ndërsa për të çmendurin që dha shpirt për me rritë një lule në mes
të shkretinës nuk i ra ndërmend askujt. Askujt. Askujt…
Itali, fundviti 2014