Lexues

lunedì, novembre 20, 2017

Me çfarë kanë udhëtuar partizanët?

Pamflet

Të shpejtë këta trimat partizanë! Me 17 nëntori çliruan Tiranën. Hop më 20 çliruan Pukën! Tak fap më 23 nëntor çliruan Lezhën! E në vijim, sa hap e mshil sytë, më 28 në darkë, duke u zbardhë 29 nëntori çliruan qytetin e madh të Shkodrës! Me çka dreqin udhëtonin kaq shpejt partizanët në 1944-ën!
Të shpejtë, shumë të shpejtë këta trimat e kuq!

Gjysma e dytë e nëntorit është e mbushur plot e përplot me të ashtuquajturat Festa të çlirimit të disa qyteteve të rëndësishme në zonën veriore të vendit.

Kështu: Historianët thonë se kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana u çlirua nga gjermanët më 17 nëntor. Krejt dakord! I rrethuam gjermanët, i vramë e i sakatuam. Rrëmbyem radiostacionin... bëmë edhe një paradë feste. Festa zgjati, dy ose tre ditë...

Pikërisht, ndërsa festohej çlirimi i kryeqyetit dhe gjermanët e shkatërruar keq nga forcat partizane(!) tërhiqeshin nga Shqipëria, filloi çlirimi i pjesës së mbetur të vendit.
Sipas historisë komuniste, ndërsa në Tiranë festohej fitorja, filloi dhe çlirimi i pjesës tjetër të Shqipërisë së Veriut.
(Mirdita, fqinjë e Lezhës, ishte çliruar rreth një muaj më parë!)
Më 20 nëntor rezulton të jetë liruar prej gjermanëve Puka, me 23 nëntor Lezha!
E rreth një javë më pas çlirohet Shkodra!
Gjithçka u bë pas luftimeve të ashpra, shumë të ashpra e shumë- shumë të ashpra. Deri këtu jemi në rregull me historinë komuniste!
(Këtu ka një problem të vogël!  Psh. në luftën për çlirimin e Lezhës nuk rezulton asnjë gjerman i vrarë, dhe asnjë partizan i rënë në ditën e çlirimit, apo para e pas ditës së çlirimit!)

Unë kam dyshuar dhe vijoj të dyshoj gjithëherë, siç thoshte dhe Marksi (apo Lenini?!) "Dysho për të gjitha!"
Për 14 ditë! -si është e mundur që një ushtri e kequshqyer, e  keqveshur, e keqorganizuar, e pastërvitur, pa asnjë mjet transporti motorik, të ketë lëvizur dhe luftuar për 15 ditë, e të ketë çliruar, me luftime të jashtëzakonshme, një linjë të tillë nga Tirana deri në Shkodër?

Të ecësh nga Tirana në Shkodër me makinat e kohës së sotshme, në rast trafiku, bën gati një ditë. E jo të ecësh maleve e kodrave të veriut, me armë në dorë, me barkun bosh, nën breshërinë e plumbave të ushtrisë më të egër të kohës. (Më duket gjermanët lëviznin dhe me mjete të motorizuara, e shkatërronin dhe urat e pakta që lidhnin të vetmen rrugë kryesore nacionale)
A ka mbetë gjallë, ndonjë nga ish-veteranët, apo historianët tanë të shquar, që më kthjellon trurin: Me çfarë lëvizën partizanët kaq shpejt? Se mua më duket të kenë lëvizuar si në filmat fantastiko -shkencorë...
Mos u merrni me sqarime bosh! Vetëm më thoni me çfarë udhëtonin partizanët në '44 kur për një javë çliruan linjën nga Tirana në Shkodër!
Ma gëzofshi ditën e Lirimit që bie në datën kur t'iu mbushet rradakja!

E.Kaceli

Nessun commento:

Posta un commento