Arti i fotografisë në përgjithësi, dhe fotografia e natyrës
së egër në mënyrë të veçantë, po merr një përhapje të pazakontë ndër shqiptarët
kudo që jetojnë.
Kjo në sajë të teknologjive moderne të fotografisë që e
kanë çuar këtë art të krijimit dhe fiksimit të imazhit, në majat më të larta!
Fotografia, në fakt, më shumë, është parë si pasion qysh
prej krijimit! Ata më me fat arrijnë ta shëndrrojnë këtë në profesion apo edhe
në nivele artistike që të befasojnë!
Ajo që më ka befasuar në këtë moment aktual të përhapjes
masive të fotografisë ndër shqiptarët është numri, gjithmonë në rritje, i
fotografëve të moshës më të vogël! Fotografët fëmijë janë fenomeni më i fundit
i këtij procesi!
Janë këta fëmijë fotografë, si Joel Hila, Divjakë,
vëllezërit Amal e Kejsan Mavriqi, Kamenicë etj. që po fillojnë të bëjnë
diferencën qysh në hapat e para!
Një prej këtyre fëmijëve fotografë, është edhe vogëlushi
nga Hajvalia, Prishtinë, Kosovë, Delbrin Demaj të cilin po kam dëshirë prej
kohësh ta prezantoj!
11 vjeçari Demaj vijon klasën e gjashtë në shkollën
"Shkëndia" Hajvali, komuna e Prishtinës. Pasionin për fotografinë në
përgjithësi, dhe për fotografimin e jetës së egër në mënyrë të posaçme, e ka marrë nga babai i
vet fotografi i njohur shqiptar Lulzim Demaj.
Mësuesja e biologjisë, Sheribane Xheladini, thotë se
Delbrini ka filluar të ketë një interesim dhe përparim jo të zakontë, për moshën,
në lëndën e biologjisë. Veçanërisht kur spjegohet për faunën dhe gjallesat e
egra! Në fokusin e Delbrin Demajt hyjnë portreti, peizazhi, e
ma së shumti, pasioni kryesor, wildlife! Ku pas një konkurimi seleksionues ka
arritë të marrë pjesë me një fotografi të këtij zhanri, në ekspozitën e përzgjedhur
të shoqatës Wildlife Albanian Photographers të organizuar më së fundmi në
qytetin e Prizrenit!
Delbrini thotë se i pëlqen të fotografojë martin
peshkatarin, pupëzën, e më shumë shpendët grabitqarë. Këtyre të fundit iu ka mësuar
edhe detajet e sjelljes që janë të domosdoshme për një fotograf të natyrës! Si hobby
i dytë mbetet sporti i futbollit, ku shkon rregullisht në shkollën e futbollit
pranë ekpit "FC Hajvalia 2020", duke shfaqë talentin e tij edhe në këtë
fushë!
Babai i Delbrinit, fotografi sportiv dhe i natyrës së egër
Lulzim Demaj, thotë se është shumë i kënaqur kur sheh që djali po kërkon të
trashëgojë ketë profesion të bukur. Ai ndjehet i surprizuar nga përparimet e të
birit në këtë hobby! Dhe është i lumtur kur shikon se pasioni e mban larg lojnave
elektronike, që shpesh kthehen në mani për moshat e vogla!
Të surprizuar ndihemi edhe ne të tjerët kur shohim përditë
realizimet dhe përparimet fotografike të vogëlushit nga Hajvalia, Delbrin Demaj! Të surprizuar dhe me shpresën
e urimin që të vijojë gjatë e me sukses këtë rrugë të bukur të trashëgimisë
kulturore shqiptare!