Lexues

mercoledì, marzo 23, 2022

Rruga e hidhur e Partisë Demokratike

 -Përpjekje për analizë nga Edmond Kaceli

Qysh me humbjen në zgjedhjet e qershorit 2013, dhe dorëheqjen e Berishës, Partinë Demokratike e kanë shoqëruar vetëm humbjet e njëpasnjëshme të betejave politike me kundërshtarin numër një të sajë Partinë Socialiste, dhe liderin aktual të së majtës Edi Ramën!

Paaftësia e e Lulëzim Bashës, emëruar direkt nga Sali Berisha, e çoi me sukses të madh, PD-në nga humbja në humbje!

E hidhur, por e vërtetë, është të pranosh se sa herë forcohej Lulëzim Basha, në pozitat e veta drejtuese brenda PD-së, dhe sa herë dobësohej roli i Sali Berishës brenda kësaj Partie, PD shënonte humbjen e radhës, humbje edhe më e madhe se humbja pararendëse!

Basha, ky humbës i jashtëzakonshëm, bashkë me shpurën e servilëve dhe beniaminëve të mbledhur përreth tij, të zgjedhur vetëm nga vendimet personale, ishte dhe mbetet ideatori dhe udhëheqësi i kësaj force politike, nga humbja në humbje!

Nuk po përmendi listën e të larguarve nga Lulzim Basha, brenda radhëve dhe figurave të PD-së, pasi ajo listë ua kalon disa herë edhe të larguarve nga vetë Saliu, kur ishte në krye të PD-së!

Gabimi përfundimtar ishte, në përpjekjen për të realizuar fitoren, largimi i Berishës! Llogaritë, Basha nuk u shqua asnjëherë për matematikë dhe logjikë në fushën e llogarive të të thjeshta, apo politike, i dolën më të gabuara se asnjëherë!

Me përpjekjen për tu larguar nga Berisha, për tu dukur ndryshe nga Berisha, duke emëruar në postet partiake "besnikët" e vet, e duke promovuar kandidatë lokalë, kandidatë për deputetë e deputetë, figura pa asnjë kontribut në PD, ai bëri gabimin e shkëputjes jo veç nga baza e votuesve të thjeshtë, e të mesëm, por edhe nga votuesit e mëdhenj të kësaj partie. Këta të fundit nuk duhet harruar se gjithmonë kanë  sadopak ndikim ndër votuesit e vegjël (realë)  të bazës!

Ardhja në PD e figurave që nuk i voton as gruaja apo burri i vet, mbetet një ndër arsyet themelore që kjo forcë politike koleksionoi humbje seriale! Shumë prej këtyre ardhjeve u frynë qëllimisht si ajka e intelektualëve shqipfolës, që në përballjen e parë e të fundit me elektoratin dolën ca "kunguj" që notojnë mbi ujë dhe fundi iu dihet që në fillim!

Nga ana tjetër shpallja "non grata" e Berishës nga Partia e Lulëzim Bashës, dhe e grupit të të panjohurve që afroi pranë vetes, e largoi përfundimisht udhëheqjen e qendrës së partisë nga elektorati i kësaj partie.

Mes alternativës: Basha, apo Rama (Bashën e quajtën shpesh vegël të Ramës) elektorati zgjodhi të mos votojë për asnjërin, ose në rastin e minizgjedhjeve të fundit preferoi më shumë Berishën se sa Bashën!

Me dorëheqjen e Bashës, grupi i të zgjedhurve nga Basha mbeti i vetmuar përballë Berishës dhe përkrahësve të tij që janë shumicë në PD, pavarësisht se na pëlqen apo jo!

Ky grup, jashtëzakonisht në minorancë, që me Bashën dolën forcë e tretë, e shumë larg Berishës, tani që iku Basha, iu kanë mbetur në dorë vetëm "çelësat e kashtës" ku ushqehen si politikanë të SHQUPI-it!

Ana qesharake e tyre është se kërkojnë të shesin sa më shtrenjtë veten, me shpresën e largimit vullnetar të Berishës, në emër të bashkimit!

Rikthimi i hidhur i PD-së tek Berisha, pas nëntë vjetësh, aktualisht mbetet si e vetmja rrugë e logjikës së ftohtë, për të kthyer këtë forcë politike në garën elektorale të balancimit të politikës në Shqipëri, që për hir të së vërtetës është dominuar këto vite, vetëm nga leshi i mjekrës, dhe luku i veshjes së Edi Ramës!