Lexues

lunedì, giugno 11, 2012

Ikja ime e parë nga jeta...

 nga E. Kaceli

Përbuzur. Nëpërkëmbur. Harruar. Ika e dashur.
Miqtë dhe armiqtë e mi u gëzuan shumë sepse
ikja ime u hoqi një barrë të rëndë.
Miqtë, që nuk e dija se i kam aq të paktë
u çliruan prej miqësisë time dhe
prej ndihmës që unë, pa kursim,
u dhashë. Kur unë pata nevojë ata
nuk patën më nevojë. Përkrahja ime
u plak tepër shpejt. Ata fituan ç’ka deshën.
Unë humba ç’ka pata krijuar me mund
e sakrificë. Mes dhimbjesh. Ika prej
miqve.

Ika e dashur. Prej ikjes time armiqtë vetëm
duhej të gëzoheshin. Dhe u gëzuan.
Megjithëse nuk prisja kaq shumë armiq, unë
u gëzova së shumti ngaqë arrita t’i njoh
të gjithë.

E dashur! Mos u shqetëso për mua. Unë ika
thjeshtë sepse kërkuan të më nëpërkëmbin.
Kurrësesi nuk mund të bija
dakord. Dhe ja! –askush nuk pyet për mua.
Kjo ndodhi sepse asnjëherë nuk fola marrëzi,
përkundrazi, marrëzitë i patën me tepri të tjerët,
të cilët edhe tash thonë: “Shyqyr që shpëtuam
prej tij!”. Për këtë jam shumë i sigurtë. Siç
kam qenë vazhdimisht në jetë. Siguria ime
buron në drejtësinë. Aty ku fillon pasiguria
e të tjerëve.

E dashur! Unë po largohem prej këtij llumi njerëzor
i fyer. Kjo më shton dhimbjen dhe më ngjall shpresën.
I papërlyer mbeta. Të tjerët, të lodhur, ranë të flejnë mbi të.
Së shpejti do të çohen. Tepër vonë, të zhytur, kanë për
ta kuptuar se unë kam patur të drejtë. E pra
ndodh që gaboj. Ikja ime në këtë çast nuk është
gabim. I detyruar nga rrethanat e mbrapshta, pasi
të gjitha rrugëqëndrimet m’u zunë, ç’të bëja? Pa lavd
momental, mora ikën. Që nuk përqaset me
asnjë ikje tjetër. Moisiu iku dhe u kthye
me lakun në fyt. Të tjerëve duhet që unë t’iua heq
lakun.

Tradhëtisht më lanë në mes të shumë
rrugëve, nën mëshirën e të pamëshirshmëve që,
për çudi, u shtuan shumë atëherë kur veten ndieva
ligsht. Ani! –tash mësova prapë, kur vjen
dita e rrëzimit, të gjenden pranë, pa i thirrur,
ndihmës vullnetarë për në theqafje. Sport i
vështirë, veçanërisht kur sehirxhinjtë shtohen. Nuk
kanë faj. –As’herë kërkova rrëzimin e tjetrit
nën ngritjen time. Gabova e dashur.
Mos u shqetëso! –Shumë vetë thanë: “I bën mirë
të pushojë!” –Dëgjo! Hipokrizinë mjerake të çifutëve
përpiqen të përdorin,
pa art.

Lotët nuk më tradhëtuan. Erdhën vetëm kur
ua pata nevojën. Tani jam çliruar. Edhe po
të dëshiroj krejt ditën nuk mundem kurrsi të
lotoj. Lotët më janë shterrur. Syve të tharë
lëvizin imazhet e protagonistëve të teatrit absurd
të jetës. Komploti doli me sukses. Makbethi lau duart
dhe fjeti i qetë, pasi bëri edhe njëherë dashuri me ledin
Makbeth. Gjumi i tyre është i patrazueshëm.
Asnjë Makbeth nuk i thotë ledit: -Ja fantazma e
atij që vramë! –Kjo ndodh falë detergjentëve të cilët
me gjithë krizat që kaloi njerëzimi, nuk harruan të
përkryhen.

E dashur! Unë i dëgjoj tek zgërdhihen dhe
më vjen shumë mirë. Unë i dëgjoj tek thonë: Edhe hijen
e kishte të thartë. –Dhe më vjen shumë mirë. Unë i dëgjoj
tek më fyejnë; tek më gjuajnë me gurë, pas shpine, dhe
më vjen shumë mirë. –Mos u shqetëso!
Qëllimi i tyre u arrit. Kësisoj mbërrimë në
pikën më delikate.
Unë po largohem edhe nga ju
e dashur. Faleminderit që më braktise e fundit!
Sakrifica jote ishte e tepërt. Kur një njeri
cilësohet “klinikisht i vdekur”, mjeku më i madh
kryqëzon duart i pari. Faleminderit! Dikush
duhej të më përbuzte i fundit. Fati zgjodhi ty. Në
memoriet e njëri –tjetrit do të regjistrohen silu-
etat përkatëse, të përmbysura.

E dashur! –Jeta qenka e pamëshirshme për të
mëshirshmit. Në shtëpi nuk më pritën dhe
aq keq. Një kalinë e larme lehu pak më
tepër se duhej. Nuk arrita ta marr vesh arsyen.
Dhe qesha marrëzisht me lehjen. Deri në fund.
Shumëkush do të përhapë lajmin e mirë se unë,
mbase, u çmenda. Ki durim! Marrëzitë
e fundit, dëgjomi deri në fund. Shfrytëzoje rastin
e dashur! –Unë pata guximin të dëgjoj deri në
fund kundërshtarët e mi, që më shanë aq gjatë,
prej frikës së natyrshme më shanë
marrëzisht. Duke kompromentuar
të drejtën legjitime të fjalës
së lirë…

E ndiej. U bëra së tepërmi i mërzitëshëm.
Po i jap fund. Me besimin e palëkundëshëm se
do të rikthehem një ditë.
Ki besim! Ashtu siç kam edhe unë besim
në ringjalljen e Krishtit.

E dashur!
Lamtumirë e dashur!
Përgjithmonë.