Nga Edmond Kaceli
Kam pasë dy kushërinj partizanë, shpirti u ndrit'të në
qiell e pushofshin në paqe!
Ishin dy vëllezër Nik Fran Kaçeli e Gjon Fran Kaçeli.
Historia fillon nga mënyra e rekrutimit me forcë që kriminelët e udhëheqjes
komuniste iu bënin djemve të Veriut gjatë
tranzicionit të tyre nga Shqipëria e Veriut për të shkuar në ndihmë të vëllezërve
kriminelë komunistë të Jugosllavisë!
Komunistët, nën petkun e liberatorëve(!) detyronin nga një mashkull për shtëpi të
bashkohej me zor në luftën e tyre. Luftë që kurrë nuk u bë lufta e popullit!
Kur erdhën në shtëpinë e Kaçelajve (Turkajve), sekuestruan nga një djalë për
familje. Gjyshi im, Prekan Zef Kaceli ishte djalë i vetëm. E axha i tij Fran
Gjergj Kaçeli, për mos me lanë hisen e vllaut për me "hupë në luftë"
duke pasë tre djem, dërgoi dy djemtë e tij, ngase kishte tre djem. Ky ishte
shpirti i Veriut!
Dy djemtë e axhës së gjyshit, Nika dhe Gjoni u kthyen të
dy të gjallë. Të gjallë por të sakatuar nga lufta. Nga Lufta jo në Shqipëri!
Por nga lufta në Jugosllavi! Nga lufta e përbashkët e kriminelëve komunistë për
bashkim -vëllazërimin me armikun më të madh të Shqipërisë, dhe të Shqipërisë së
Veriut në veçanti.
Sa herë kam dëgjuar prej tyre, me kuriozitet dhe frikë se
mos na spiunonte kush, për trimëritë dhe heroizmin e partizanëve!
Baci Nikë, kallxonte shpesh se:
Gjermanët ishin në ikje të vazhdueshme. E na trimat
partizanë, i ndiqnim mbrapa vetëm kur ishim të bindur se forca e armëve të tyre
nuk mbërrinin tek ne. Ata ik e na ec. Një herë që guxuam të afroheshim më shumë
se distanca e zakonshme, plumbat e mitrolozëve gjermanë na bënë të strukeshim për
disa orë rresht. Ndërsa kur kaluam kufirin në ndihmë të jugosllavëve, kena pa
tmerr me sy! Nuk kena shkrepë armë. Por në trupat tona bani kërdinë ùja (uria)
të ftoftit akull dhe sidomos tifoja e morrit! Po kena luftua me morrat. Shumë
prej nesh nuk u kthyen më nga ajo luftë!"
Nikës në spitalet partizane të jugosllavisë i kishin humbë
të gjithë gishtat e këmbëve prej dimrit. Ndërsa Gjoni kishte humbë njërën këmbë!
E tash deshta me dalë tek ata partizanët që u vranë në
Kelmen nga beteja e përgjakshme e komunistëve me Prek Calin dhe bashkëluftëtarët
e këtij tribuni të shqiptarisë. (Gazetari dhe poeti Marash Mirashi, e pati emëruar
në një shkrim të mbështetun në fakte historike "Robin Hudi shqiptar! -Kërkoni
në koleksionin e gazetës Koha Jonë,viti 91-92 )
Partizanët e thjeshtë, një pjesë e mirë e tyre të rekrutuar
me forcë si ushtarë të brigadave partizane, të injektuar shpejt e shpejt me
frikën e marrjes së pushtetit nga reaksionarët, pa asnjë përvojë minimale
luftarake, realisht, u vranë në një betejë vëllavrasjeje të ndërsyer nga udhëheqësit e kuq kriminelët Enver Hoxha dhe Mehmet
Shehu!
Plumbat dolën nga armët e malësorëve që mbronin jetën dhe
trojet e tyre kundër kolerës së kuqe. Por dorasit ishin kriminelët e kuq që bënin
llogaritë e një viti pas luftës! Llogaritë e të ashtuquajturit Pushtet Popullor
që do ti kishte "themelet e mbrujtura me gjak"!
Më vjen keq për ata partizanë, ushtarë (fshatarë) të
thjeshtë, që humbën jetën atë ditë, duke mos pasë rrugë tjetër. Përpara kishin malësorët
luftëtarë të sprovuar, e atdhetarë -armiqtë tradicionalë të Jugosllavisë e
komunizmit. Nga pas kishin komandatët e kuq -kriminelë të lindur e të bindur për
të shtruar Veriun me çdo kusht!
Nuk jam
ekstremist por historia nuk eshte ashtu siç e shkruan kriminelet e kuq! Prek
Cali nuk ka qenë bashibozuk por një ndër patriotët dhe burrat më të nderuar të
zonës së Veriut. Luftëtar dhe patriot, i tradhëtuar prej komunistëve dhe këlyshve
të tyre! Ai u dorëzua në "besë" të komunistëve të pabesë, duke iu thënë
bashkëluftëtarëve të tij kundër kolerës së kuqe " Nuk duhet me u vra vëllau
me vëllanë". Ai u dorëzua per të ndaluar vëllavrasjen e metejshme në Veri,
të nisur dhe të vazhduar nga udhëheqësit kriminelë komunistë. Komunistet e udhëhequr
nga krimineli i kuq Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, e vranë dhe i masakruan edhe
kufomën!
Shënim: Diskutimi për prishjen e shtëpisë së
tij, nuk më tërheq. Më duket lojë fjalësh. Prek Cali, si çdo i vdekshëm i kësaj
toke ka dritë -hijet e tij që vijnë nga shumë faktorë të ngatërruar të kohës, që
historianët e ardhshëm të Shqipërisë kanë për detyrë ti sqarojnë! Por Prek Cali
ka ngritë Kullën e Legjendës në zemrat e malësorëve të Veriut dhe në Historinë
e Shqipërisë duke i vënë në themel të Kullës shënimin e kufinjve, dhe guximin e
përballjes me kriminelët e kuq. Të tjerat janë përralla!