Lexues

domenica, aprile 28, 2024

Qeveria shqiptare vendos të ndërtojë Urën e Nucit të Manatisë! Satirë nga E. Kaceli



Qeveria Shqiptare e udhëhequr nga Lideri i Ballkanit, Frymëzues i Europës, Proamerikanit nr1,  Liderit Botëror, Largëpamës, i Përndritur, i Gjithëndritur, i Pagabueshëm, i Pakorruptueshëm, i Pazëvendësueshëm, i Pavdekshëm, (e të tjerë e të tjerë),  Edi Rama vendosi më së mbrami me ndërtua Urën e Varun të Nucit të Manatisë.

Gjithçka ka me u ba konform projektit të Nucit të famshëm! -Konfirmon Qeveria!

Ura do të jetë e varun. Njërën këmbë të mbështetur në Malin e Rrencit, Shëngjin dhe këmbën tjetër të mbështetur diku në zonën e Pulias, Itali. (Për vendin e saktë në Itali pritet konfirmimi i Kryeministres Taliane Giorgia Meloni)

Për fatin e math të shqiptarëve që kanë mbetur në Atdhe, ura do të vijojë të jetë me 13 korsi! Sipas Idesë së Nucit, 12 korsi do të jenë për shqiptarët që duan të emigrojnë në drejtim të Italisë, dhe një korsi do të shërbejë si korsi emergjence, dhe në të njëjtën kohë për shqiptarët që duan të rikthehen nga emigrimi!

Krahu i punëës do të merret nga kampet e refugjatëve afrikanë e afganë në Shëngjin dhe Gjadër!

Fillimisht ura, dy ditët e para, do të shërbejë falas, e më pas do të jepet me koncension si trau i kufirit me Kosovën!

 

Për të gjithë ata që nuk e dinë:

Nuci i Manatisë, Dritë i baftë shpirti e pushoftë në Paqe, ka qenë dhe mbetet një ndër figurat më të veçanta që ka nxjerrë Lezha e në mënyrë të veçantë Manatia, ai fshati i bukur e karakteristik krejt afër qytetit!

Me Nucin unë kam histori të bukura e tepër të veçanta. Si unë edhe gazetarët e tjerë ku veçoj miqtë e mij të hershëm gazetarët Alfons Zeneli e Marash Mirashi.

Nuci ishte simboli i njeriut të varfër dhe idealistit në kufijtë e marrëzisë njerëzore!

Vitet '90, pas shëmbjes de jure të komunizmit, shënuan edhe krijimin e qindra partive e partiçkave me emra gjithëfarsoj!

Një parti të tillë pati fatin ta krijonte në Lezhë Nuci i Manatisë! Partinë e quajti: Partia e Gjendjes Ekonomike Shqiptare! Në fakt edhe Nuci i vorfën ishte simboli i gjendjes ekonomike shqiptare të atyre viteve! I varfën deri në skaj! Me një xhaketë të shkyer, por gjithmonë të pastër, ndihmash nga Europa, e një palë pantallonash të arnuar që më kot mundoheshin me ba një kostum veshjet për Themeluesin dhe Kryetarin e Partisë Gjendja Ekonomike Shqiptare!

Në kohë të lirë unë, Alfonsi e Marashi, pasi lodheshim nga idetë e kryetarëve të shumtë të partive të tjera, rrinim në fund të ditës me Nucin e shkëmbenim idetë pranë një gote me fërrnet! Gjate këtyre intervistave me Nucin ai na pati spjeguar edhe idenë brilante të ndërtimit të urës. Ide që më së mbrami Qeveria Shqiptare ka vendosur ta vërë në zbatim së shpejti!

Më mirë vonë, se kurrë!

 

 

Ja dhe shkrimi origjinal në  “Koha jonë” të datës 14 janar 2001.

Urë e varur për kalimin e detit!

Lezhë- Ndërsa partia socialiste është e mbërthyer në krizën e brendëshme, dhe opozita me në krye partinë demokratike, është në krizë të jashtme, lezhjanët kanë filluar të mendojnë seriozisht për të nxjerrë popullin shqiptar nga kriza. Zgjidhja origjinale është dhënë nga i shumënjohuri Nuci i Manatisë. (Për informim: Nuci është themeluesi i partisë kombëtare "Gjendja ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri e Diasporë!". Partia e Nucit deri tani përbëhet nga fraksioni i Berberëve të qytetit, nga fraksioni i të Papunëve të prefekturës, nga fraksioni i Politikanëve dhe pijanecëve lokalë, nga fraksioni i Korrespondentëve lokalë të mediave Kombëtare dhe Ndërkombëtare, dhe nga disa fraksione të tjera që akoma nuk janë identifikuar mirë si të tilla.)
Sipas kryetarit Nuc, partia Gjendja Ekonomike është e angazhuar seriozisht për nxjerrjen e vendit nga kriza në këtë fillim viti. Partia po mbledh fonde dhe po kërkon burime finacimi nga të huajt që e quajnë veten shqiptarë, dhe nga shqiptarët që e quajnë veten të huaj, për ndërtimin e një ure të varur që do të lidhë Shqipërinë me bregdetin italian!
Sipas inxhinierëve projektues brenda dhe afër partisë, SuperUra do të ketë njërën këmbë në Shëngjin dhe tjetrën në Bari. Ndërkohë që hyrja do të bëhet nga Puka ku do të lidhen kavot siguruese.
Vetë kryetari Nuc ka deklaruar se "Ura e varur do të jetë me 13 korsi". Kur u pyet nga fraksionistët e korrespondetëve lokalë të mediave Kombëtare dhe Ndërkombëtare se për ç'arsye SuperUra do të jetë pikërisht me 13 korsi, kryetari Nuc sqaroi se “12 korsi do të shërbejnë për shqiptarët që dëshirojnë të ikin nga Shqipëria. Ndërkohë që korsia e 13-të do të jetë në dispozicion të atyre që dëshirojnë të kthehen, aksidentalisht, në Shqipëri!
Vetëm kështu mund të zgjidhet kriza, nëse problemi i SuperUrës së varur merret seriozisht!

Edmond Kaceli

 

sabato, aprile 27, 2024

Fragment i një poezie të pashkruar… nga E. Kaceli

 

Në ëndërr (Krijuar me IA nga ©Kaceli)
Në ëndërra lindim
prej ëndërrash vijmë
rritemi me ëndërra

...dhe vdesim duke ëndërruar

 
Itali, prill 2024

lunedì, aprile 08, 2024

Nyje... nga E. Kaceli

Nyje... krijuar me IA nga Kaceli


Në mjegullën e kujtimeve të vjetra ecën një burrë
drejt pafundit, pa ditë çfarë e pret atje, larg
gjurmët e hapave shkrihen në të hiçit humnerë
gjith'si yjet, kur rrëzohen n'errsinën e natës, varg
 
Hijet vallëzojnë rretheqark tij, paprerë
Të fshehtat varrosur në tokën e kujtesës
n'sa Zërat e të Parëve pëshpërijnë në erë
Rrugën i udhëheqin, drejt misterit, shpresës
 
Ndoshta atje, përtej horizontit të amullt
gjendet përgjigjia, domethënia e fshehur
o ndosht' à vetëm udhëtimi që njihet, i vagullt
kërkim i pafund, për me ditë fundin, i etur!
 
Burri vazhdon marshimin si ushtari n'front
ndërmjet mjegullave të kohës e shpirtit
E, n'sa dielli perëndon në horizont
Kupton se asht një grimcë kot n'pafundin e gjithit!

Itali, prill 2024