Lexues

lunedì, maggio 11, 2026

Surrealizmi dhe fati i individit, në shoqëritë globaliste, në poezinë e Edmond Kaçeli-t.


Nga Emi Krosi

Poezia dhe pse, po jeton kohët më të vështira, ajo e gjen udhën deri tek lexuesit e saj besnikë. Lexuesit, në kohë reale falë edhe rrjeteve sociale, janë të njohura me stilet dhe mënyrat e shkrimit, por vetë poetët luajnë me një ndjeshmëri të rafinuar, duke prodhuar shumëllojshmëri por edhe kompleksitet në krijimtari. Brenda këtij kompleksi, ndërveprimi midis imagjinatës krijuese dhe kushteve socio-shoqërore, hapsira dhe koha në të cilat operon autori, është burimi i shumicës së formave të vështirësive, ku konceptohet sesi poezia/poema, të jetë një entitet autonom (Sim: 1998: 12). Ndonjëherë duket se imagjinata duhet të shkëputet nga kufizimet e së kaluarës, duke hedhur poshtë mitet e konsumuara nga koha, qasja ndaj së kaluarës dhe ndaj "realitetit", të dyja këto përfundimisht, vendosin një simbolikë postmoderne. Poezia nuk është një çlirim i emocioneve, por një arratisje nga emocionet; nuk është shprehje e personalitetit, por një arratisje nga personaliteti. Por, sigurisht, vetëm ata që kanë personalitet dhe emocione e dinë se çfarë do të thotë të duash të arratisesh nga këto gjëra, ndërsa “pacifikimi i poezisë” dhe “çmobilizimi i poetit”, përbëjnë edhe karakterin antimoralist të poezisë (Steiner: 2001: 213), që është përgjithësisht e supozuar të jetë e vetëkuptueshme, pasi poeti nuk ka ndonjë “strategji konvervatore”, për puritanizmin (pastërtinë) e poezisë së tij. Jo gjithmonë ndodh kështu.

Disa poetë kritikohen për dis/harmoninë apo për “ftohtësinë” e vargjeve dhe moskombinimin e fjalëve siç në “Skllevër të hiçit” (Kaçeli: 2026). Libri poetik hapet me poemën “Këpuca e vjetër” përmes vargjeve: o këpucë e vjetër sa mosha/shoje grimë prej kalldrëmit të viteve /vazhdon të ecësh nëpër udhë të panjohura /këpucë e shpirtit tim -arnuar me dhimbje..., (2026: 7), një sfidë e qëllimshme ndaj lexuesit. Pse e qëllimshme? Sepse autori i drejtohet këpucës, si veshje e gjymtyrëve të poshtme: këmbëve. Ngjizja simbolike e antroplogjisë njerëzore, d.m.th këmbëve (që nuk përmenden fare) por janë vetëm imazh i ecjeve/udhëtimeve,  pra jeta njerëzore, është udhë…udhë..udhëtim pafund. Ecja nëpër shtigjet e vështira të jetës, me këpucët e grisuar dhe të arnuara, sepse autori ka “kryqin” e fatit mbi kurriz, pra ka përvëjon e jetës: ai ka JETUAR, por libri mbyllet me poemën prej 19 pjesëshe  “Haluçinacionet e të veshurit me rrobën e ushtarit”.

Por vetë poezia sendërtohet mbi receptimin:

a)     receptimi i realitetit të njeriut të harruar dhe braktisur, në vargjet: në shtëpinë e babës nuk hyjnë më njerëz/ Vetëm trishtimi, dy pleq -hije malli/dy trasta ilaçesh gjith’farëlloj/dhe shpresa shpresa për videothirrjen e radhës! (2026: 38) me shënimin: [Itali, mars 2020] braktisja është një dhimbje dhe farsë e çmendur. Nuk është as imagjinatë/trillim/rrëfim poetik, por realitet i dhimbshëm, dy pleq, dy hije, dy trasta me ilaçe dhe pritje pafund…vetë vargjet kërthasin/ulërijnë/bërtasin/thirrmojnë/dhembin/vajtojnë për lëngatën e vetmisë dhe braktisjen e vendit në çdo cep, në çdo fshat, qytezë dhe qytet. Më shumë ikin se kthehen. Dhe kur kthehen, arroganca e shtetit të tyre “rivret”, “rikthen”, “rivendos” në udhëkthimet ashtu si klithmaja dhe brimta e realitetit krejt gri në poezinë; “Nevojë për besim”, përmes vargjeve: nëse punët nuk shkojnë mirë në vendin tim, dhe Qeveria thotë se kjo nuk është e vërtetë! /Qeveria ka të drejtë./Nëse vriten njerëz rrugëve të qytetit tim/ dhe zëdhënësi qeveritar mohon ç’ka pane/30 mijë sytë e qytetit tim/Qeveria ka të drejtë./Por…Nëse në shtëpinë time ka ndodhur diçka e keqe/ (Për shembull jam zënë me gruan,/për shpenzimet e muajit) /dhe testimet zyrtare thonë se familjet shqiptare/janë në lumturi të plotë/Unë dhe gruaja duhet të shtrëngojmë dhëmbët,/ dhe ti japim të drejtë Qeverisë./ Pasi Qeveria është ajo që ka të drejtë… (2026 : 23), ku ironia dhe neveria bashkohen bashkë. Vetë përsëritja e tofjalëshit:[qeveria ka të drejtë], na rrëfen sesa tragjike është një vend ku shteti i lë qytetarët në mëshirë të fatit.

     b)    Receptimi mbi gjendjen surreale; (eksplorimi i pavetëdijes si një formë e vërtetë e realitetit) ku pavetëdija do të thotë të hysh në kujtimet e shtypura, frikërat tona themelore të pashpjegueshme dhe ta shndërrosh atë potencial në diçka krijuese. Surrealistët, u intriguan prej pavetëdijes dhe irracionales (Breton: 1992: 87), se surrealistët ishin një koleksion shkrimtarësh, që ishin po aq të interesuar të depërtonin në nivelet e përvojës sonë të vetëdijshme sa edhe në depërtimin në shtresat e ekspertizës sonë racionale. Ata mbanin qëndrimin se mendja e pavetëdijshme, që na formëson kryesisht identitetin tonë ndaj padrejtësive politike dhe historike.

c)     Receptimi i situatave të absurdit, (poezia e absurdit, është një poezi e errët, plot ankth, tmerre, frikë, vetmi, që poetët e guximshëm në çdo kohë i rikthehen makthit të kohës ku jetojnë). Pranimi i vetmisë, është e vetmja gjë që i ka mbetur artistit, përmes obsesionit, ankthit dhe zhgënjimit, se është ndjenja e fajit që njeriu përjeton (Beckett: 1986:48). Në këtë rrymë, poetë që iu qasen absurdit, kishin probleme me shoqërinë ku jetonin. Koha e “mbarsur” me trazira, me frikë dhe trauma kolektive dhe sociale, zëzohet fuqishëm përmes protestës individuale kundër përditësisë, si revoltë e brendshme. Ashtu si ekzistenca njerëzore, por edhe bota është në vetëvete një absurd, si konflikt, që vjen nga përballja e të dyve që e lind atë. Nga njëra anë ekziston dëshira njerëzore për ta kuptuar botën në tërësi, për ta njohur atë me të gjitha kuptimet dhe nga vlerat njerëzore, ndërsa nga ana tjetër, kjo dështirë njerëzore është penguar, pasi bota është tipike rezistente, ndaj të gjitha formave të kuptueshmërisë (Camus: 1991:24), ashtu si në vargjet: qeshi dhe unë me krahasimin absurd/me trishtimin tim abdsurd,/të marrë,/të çmendur të rrallë (2026:30).

     d)    Receptimi postmodern, (filozofi postmoderne, [Jean-François Lyotard], e konsideron këtë fenomen, si reduktim të dukurive specifike, në një rend artificial i të vërtetave universale, tipike për të menduarit modern), ku varësia e njeriut modern, është fakti i çrregullimeve të ideve, në kuptimin më global, “për të organizuar masën e ngjarjeve që vijnë”, nga bota njerëzore dhe jo-njerëzore, duke iu referuar gjenezës së historisë universale të njerëzimit. Perceptueshmëria poetike, përmes ndikimit dhe fuqisë imagjinative, që eksploron kufijtë e kohës, ku në krijime të caktuara, imazhet e absurdit plotësojnë fjalët, ndonjëherë pothuajse duke zëvendësuar ato krejt, ku poetika vetëprojektohet si imazhe mendimesh (Eco: 1984:28) në vargjet: në fillin e hollë tragjik të moskuptimit/në pezullin e brishtë mes ikjes dhe qëndrimit/në ëndërrën dhe zhgjëndërrën e filozofisë jetike/ në dilemën e jetës shpirtërore a fizike (2026: 73). Në sipërfaqe, moderniteti dhe postmoderniteti duken pole të ndara, sepse e para pranon autoritetin qendror të një subjekti njerëzor, si metanarrativën, bashkë me parimet gjithëpërfshirëse si edhe nocioni i të vërtetës, ku realiteti fizik plotëson virtualen, me shumë probleme të gjuhës dhe përfaqësimit të traditës moderne perëndimore, që janë në marrëdhënie të kontrollit dhe lidhjes mes fjalës dhe shkrimit (Derrida: 1997: 255), ashtu si vetëm poezia dhe poeti që vetëshkatërron imazhin e shpirtit njerzor të thërrmuar nga modernizmi (jo si term letrar dhe filozofik), por si dëshirë dhe model jetese.

    e)     receptimi përmes ironisë/ satirës dhe sarkazmës /paradoksit ironia dhe superrealja janë parime postmoderniste, ku stimulimet zëvendësojnë të vërteten, ku kuptimi mbi të vërtetën ndërmjetësohet nga stimulimet e së vërtetës (Dado:2020:129), pra realiteti shqiptar i sotëm stimulohet përmes ironisë, në vargjet: pshurrët e shkërdhyet/ mandatet e popullit/ trimat e Partisë/ Ju Heronjtë e Gopit!/Por ju jeni burra/ këngë iu thur’ populli /“Trimat i merr topi/ meshkujt i ha Gopi!” (2026: 115) nga poezia “Heronjtë e gopit”, me nëntitullin [satirë], si elemente dhe të menduarit, në raportet e poezisë me realitetin, kemi një përmbysje të realitet dhe shtrembërimim të tekstit (Gross: 2011:146), duke sendërtuar një realitet të djeshëm dhe hipër/realitetin e sotëm të Shqipërisë.

     f)   receptimi i klithmës/ulërimës/bërtimës socio-shoqërore, ku këlthitja, thirrma e brutalitetit, ergërsisë, poshtërimit të njeriut si person dhe njeriut socio-shoqëror, që fati e përplas nëpër sintomat e ankthit që kurrë nuk mbarojnë. Qenia dhe Asgjëja/Hiçi si gjendje të pakuptimta, ashtu si dhe ekzistenca e njeriut absurd, nuk gjejnë shumë justifikime të jashtme, për situatat e tyre. Varësia e njeriut modern, është fakti i çrregullimeve të ideve, në kuptimin më global, “për të organizuar masën e ngjarjeve që vijnë”, nga bota njerëzore dhe jo/njerëzore, duke iu referuar gjenezës së historisë universale të njerëzimit. Megjithatë, duke qenë se universi është i ftohtë dhe indiferent ndaj kërkimit të kuptimit të esencës njerëzore, ne gjithmonë do të përballemi me situata absurde, ku përpjekjet tona për të gjetur kuptimin dështojnë, për më tepër, izolimi dhe tjetërsimi i përkasin edhe gjendjes njerëzore (Perloff:1990: 18), nëpërmjet vargjeve: në Qytetin e Vogël sundojnë/ Zyrtarët Shpirtxhuxhë/ Zyrtarët vogëlakë, /trutharë,/barkaliqë /zyrtarët me kollaret e lidhura trashë/ Zyrtarët, që , për hir të modernizmit,/shpërlajnë/ Fytyrat e duhanta me parfume grashë./E zyrave shëtisin Minifundet e sekretareve/ Minifundet zgjedhëse të ngjyrës së kollareve/ Kështu bindet populli (i lumtur) se shtetarët/ Nuk janë kurrsesi impotentë ndaj grave/ E gratë e shkreta, gratë e pafaj,/në orarin zyrtar, në krahë dashnorësh/ shkrihen në vaj…(2026: 110), nga poezia: “Qyteti i vogël”. …”. Këndvështrimi i autorit, spotanisht apo qëllimisht, trajton tema të forta thellësisht sociale dhe tronditëse, ku përditshmëria, ankthi, përjetimet, shqetësimet, normalja dhe jo/normalja, realja dhe jorealja, absurdi dhe neveria, vinë përmes poezisë ku ashpërsia e realiteti ulëret fuqishëm. Shumë poezi, janë aq “të ftohta”, saqë vetë njeriu është një vetmi që ndien ftohtësinë e realitetit modern globalist, të zvetënimit të njeriut të “vogël” dhe të “tepërt”.

    g)    Receptimi stilistiko - gjuhësor; zakonisht gjuha e poezisë post/moderniste është e  “pashpirtshme”, e “pandjeshme” e “rrëmujshme”, por autori e ka ndërtuar gjuhën e tij si një pasuri fjalëformimi, ku vetëm me fjalën [zero], ka formuar një çerdhe fjalëformimesh si;

-       fjala zero = [zero+njeriu, zero+grade zero + shpirti, zero +herë, zero + ditë, zero

+plagë, zero +gjak, zero + shpirtë]. Nuk mungon dhe gegnishtja e folur e zonës që ndeshet mes vargjeve duke i dhënë një tjetër melodi vargut, si p.sh:  me të gjitha mëkatet që si bâna kurrë qysh se leva, fmì, e der sa u bana burrë/E me u bâ hì!

-       fjala mjegull = [mjegull + mjegulluar + mjegullime + të mjegullta + mjegulle + mjegullnajë + mjegulli], duke treguar një pasuri leksiko-gjuhësore dhe stilistike.

-       Fjalëformimet: xhamkrisur/ shpërlarë/përgjatë/marrëdhënie /fatkeqësi/ filogjenezë/ sapolindur/ kësisoj/ përditshëm/ përdreq/askundit/ përgjaki/ njëmijë/ udhëkryq/ përjetshme/ pangjyrë/ moskohë/ moskthim/ fatkeqësi / përgjithshme/ bregdetit/frymëmarrjen/ përkëdheljen/ pashpresë/ mirëpaguara /këmbëkryq /asgjë /mosqenia /udhëkryq /katërqind /zëdhënësi/ programatik/papërsëritshëm/shpirtçmendur/ trupçmendur /shumëngjyrëshe /gjithëfarlloji/ videothirrjen/ gjysëm i kryqëzuar/ paçlirë/ paanë/ brimtarësh/ çakorduar/ gurndjellës/ mosqenies/tejskaj/ mosfatit/atmosferë/ përvitshme /fundviti/gjithkah/ hijerëndë/ përjashta/ mespërmes/ parrugë/ përgjakun/ grykëndryshkur/ gojëtharë/ çatishpuar/ kurrkushit/ moskamjes/ moskuptimit/ përplasur/ nëpërkëmbur/ përjargen/peshërëndë/ stërmundimeve/ paralajmëruar/ rrugëdalje/pabesa/ stërvjetër/hijerënda/ papremë/atëbotë/ vendnumëro/ shpirtmira/ shpirtzeza/ tiktaku/ përbindëshash/ fundjetë/ mbijetuar/shpirtxhuxhë/trutharë/ minifundet/lulëkuqet/ buzëplasur/hijerëndë/jashtëzakonshëm/ kryengritës /mbërtheckat /pasagjerë/mosthaniesh/ mjekërbardhë /krishtlindje /pulëbardhat/ shtypshkronje/fundmarsi/pesëqind/përbuzur/nëpërkëmbur/rrugëqëndrimet/përkryhen/urdhërthyesit/përgjakin/përbaltin/vetëveten/njëqind/zeronjeriu/zerogradë/zeroshpirti/zeroherë/ zeroditë zeroplagë /zerogjak /zeroshpirtë/ mangnetofonë/ jashtëmode/ barometri/ përnatshëm/ ëndërrvrarë/ gjashtëkëndëshat/ hakmerren/ gjithëpushtetshmit/ ndërgalaktikore/ nëntëdhjetë.

Fjalë kyçe:  këpucë /shoje  /rërë /kripur /ora /deti/ mbytur /dallëndyshe /pranvera /flamur /lidhje rrugë/qen/absurd/ngjyra/qiell/erë/atdheu/hiçi/kryqëzim.

Fjalë katërshe dhe treshe me vizë në mes: njeriu -këpucë- boks -derri/kupë -mall -helmi/mallkim -kupë -mallë.

Enumeracion: lidhi, shpoi, përgjaki/ frymëmarrjen, fjalën, shijen e gjuhës, puthjen, përkëdheljen.../ çohemi, hamë, dhjesim, flejmë prapë/ përplasur, nëpërkëmbur, rrëmbyer, marrosur.

Fjalë me ngarkesë metaforike: në të çarat e shpirtit kripa mbjell ndryshk/ e zemra e qiellit fillon të pikojë gjak/ ngjyrën e përgjakun të vjeshtës.../ lotët e shiut krijojnë mijëra figura/pulëbardhat ngjyejnë krahët/ mjegull jeshile /shpirtna të zhytur në mjegulli.

 Plastikë lulesh...

plastikë dritash...


plastikë fjalësh...                                                    përsëritje + reçitencat    

plastikë urimesh...

Plastikë njerëzish gjithashtu...

Neologjizmat: brimtarësh / vogëlakë.

Sëfundmi: tashmë nuk mund të bëjmë sugjerime, kur dihet patetizmi me të cilën rekomandimet rreth/për leximin janë të kota. Libri, ka nevojë të flejë. Por, poezia është akoma zgjuar përmes këtyre vargjeve:   

Fragment i një poezie të pashkruar…

 Në ëndërra lindim

prej ëndërrash vijmë

rritemi me ëndërra

...dhe vdesim duke ëndërruar

 

Itali, prill 2024

    BIBLIOGRAFIA:

     1.      Beckett, Samuel (1986). The Complete Dramatic Work. London: Faber and Faber.

2.      Breton, André. (1992):  Excerpt from the First Manifesto of Surrealism in Art in Theory 1900 1990: An Anthology of Changing Ideas. Charles Harrison & Paul Wood, eds. Oxford: Blackwell Publishers.

3.      Camus, Albert. (1991): The Myth of Sisyphus and Other Essays. translated by Justin O’Brien. New York: Vintage Books.

4.      Derrida, Jacque.  (1997): Of Grammatology, The John Hopkins University Press: Baltimore.

5.      Eco, Umberto. (1984): The Role of the Reader. Bloomington.

6.      Gross, Piegay Nathalie. (2011): Poetika e intertekstualitetit, “Parnas”, Prishtinë.

7.      Kaçeli, Edmond: (2026): Skllevër të hiçit, “Fishta”, Lezhë. Perloff, Marjorie. (1990):  Poetic License. Essays on Modernist and Postmodernist Lyric. Evanston.

8.      Sim, Stuart. (1998): The Icon Critical Dictionary of Postmodern Thought. Cambridge

9.      Steiner, George. (2001): Grammars of Creation. London: Faber

Emi Krosi 
Maj, 2026.

Nessun commento:

Posta un commento