Këtu prehet Don Kishoti
Ish i fortë e ish i zoti
botën mbrapç desh ta kthente
e me ushtëzë ta mbërthente!
Në kryeveprat e letërsisë botërore kam veçuar qysh prej
kohësh "Don Kishotin e Mançës" të Miguel de Cervantes Saavedra. (Sa herë më ka
shkuar ndërmend emri i tij i gjatë!) dhe "Ushtarin e mirë Shvjek" të Jaroslav
Hašek. Është e kotë të
thuri lëvdata të pafundme për këto dy kryevepra nëse nuk i keni lexuar të paktën
dy herë!
Kësaj radhe
po e lë Shvjekun në aventurat e tij si ushtar model i një Perandori që mizat i
dhisnin portretin, për tu marrë për disa radhë me Hidalgon, Kalorësin e Fytyrës
së Vrerosur Hirësinë tij Don Kishotin e Mançës!
Trim i
çartur e fisnik në marrëzinë e tij, një ditë të bukur i hipi kalit më të famshëm
në botë, Rosinantit, e i ndihur bujarisht e jo krejt marrëzisht, nga shqytari besnik,
rondokop e kryetul Sanço Pança, u nis të luftonte kundër... Mullinjve të erës!
Pa e ditur
se një ditë do të ringjallej e rimishërohej në një fshat në qoshe të Tiranës, që
do të bëhej menjëherë i famshëm ndër mediat kombëtare e ndërkombëtare në
Surrel, Shqipëri!
Mori për
grua Dylqinjën e Tobozës, që e kishta fantazuar qysh në moshë të re, mori emrin
e fshatit ku u rimishërua, dhe nga Don Kishoti i Mançës, u vetëshpall Don
Kishoti i Surrelit.
E në vijim
autovendosi titujt: Don Kishoti i Surrelit, Kalorës i Reformës në Drejtësi, Lider
i Rilindjes, Kryelider i Ballkani Perendimor, Hero Kombëtar i 7 miljon Shqiptarëve,
Mishërim dhe Udhërrëfyes i Besimeve Fetare, Parashikues i Fatit, Kryeinxhinier
i Perandorisë së Arnautistanit...
E një mori
titujsh që për arsye vendi dhe kohe po i lëmë pa i përmendë me shpresën e mirë
se Heroit të Lizës nuk do na i mbesë hatëri! Se kur i mbet hatëri këtij farë
burri, del nga hullitë e nuk ka Taulant Ballë ta kthejë në metrò!
Don Kishoti
i Surrelit ndryshon në disa drejtime krejt të vogla nga ai i Mançës, gjëra krejt
të parëndësishmë si:
-Surrelsi ka
lexuar një numër zero librash kalorësie se përndryshe do të kishtë një gjuhë më
të moderuar!
-Surrelsi në
vend të Rosinantit përdor mjetet më luksoze e
më të shtrenjta për tu zhvendosur nga Surrel Selia në zyrat e Hyqymetit,
ose nëpër rrugët e Vilajetit, kur takohet bythë më bythë me popullin që e don
kaq shumë!
-Ka
ndryshuar edhe Sanço Pança! Herë e thërrasin Taulant, herë Alfred, herë Ulsi, herë
Elizë, herë Erion, herë Blendi, herë Pandi, herë me zhabë (barkalec) e herë pa
zhabë, herë mashkull, e herë femër!
-Nuk po
flasim për Dylqinjën! Surrelsi ka ndërruar disa, deri kur gjeti Dylqinjën e vërtetë
jo të Tobozës, por Dylqinjën e Sistemit Bankar!
I ndan edhe
një pikë e veçantë: Don Kishoti i Mançës, në të dyja volumet i shpall luftë të
përjetshme Mullinjve të Erës.
Don Kishoti
i Surrelit i ka shpallë luftën më të ashpër çdo lloj mediet vizuale, të
shkruar, digitale, sociale e tërci -vërci! Me parimin: Blej të gjithë ata që
shiten, gjobit, pusho nga puna apo arresto ata që nuk pranojnë çmim, vijon të vërtisë
shpatën digitale të kërcënimit për të gjithë ata që nuk mendojnë si ai, dhe për
të gjithë ata që e dinë se Don Kishoti një ditë do të ikë nga zyrat e Hyqymetit!
Çudia më e
madhe qëndron në faktin se asnjë nga vasalët (meshkuj apo femra) e tij të stërshumtë
e kryeulur, nuk marrin guximin të luajnë rolin e berberit të dhe doktorit të
fshatit të Mançës, që me delikatesë ia vinin në dukjë marrëzinë gjeniut të Mançës
kur luftonte më Mullinjtë e erës!
Askush nuk
merre guximin ti thotë Don Kishotit të Surrelit: Dy beteja nuk mund ti fitosh
kurrë: Betejën me Mullinjtë e Erës dhe Betejën me Shtypin e Lirë! Kush ka marrë
guximin t'iu shpallë luftë ka humbur dhe do të humbase përherë! Tung!
Nessun commento:
Posta un commento