-pamflet nga Edmond Kaceli
Më vjen me qeshë kur në komentet, analizat, lajmet,
pallavrat publike, konferencat e paguara të shtypit, rrëmujat parlamentare etj.
dëgjoj të lakohet, në të gjitha gjinitë, rasat dhe format, fjala : Mafie!
Si për ta zbukuruar e bërë më tërheqëse, më ekzotike, e
shoqërojnë me togëfjalëshat: Kodi i Mafies, Heshtja e Mafies, Mesazhe të
Koduara, Marrëveshje Mafioze, Kërcënime Mafioze, Organizata Mafioze...
Mafia e kuqe, Mafia blu, Mafia rozë...
E lakojnë aq shumë, e zbukurojnë aq shumë, sa edhe mua që
jam skeptik nga natyra, gati më mbushet mendja se Shqipëria është bërë me të vërtetë
një shkëmb graniti Mafioz në brigjet e Adriatikut dhe Jonit!
Për ti shpëtuar psikozës së turmës mbylli sytë vetëm për
disa sekonda! I hapi pasi numëroj deri në tridhjetë e një! Hedh sytë rreth e
qark për të parë se ku dreqin shihen e ku dreqin fshihen gjithë këta mafiozë të
mbaruar!
Zhgënjehem! Sinqerisht zhgënjehem! Zhgënjehem deri në
skaj, kur përreth shoh vetëm do hajdutë
të rëndomtë të veshur firmato me petkun e pushetit, me rrashtën e kresë katër
gisht të trashë, që iu duket vetja Mafiozë të thekur!
Mafiozë të thekur që nga Mafia nuk arrijnë të kuptojnë as
emrin, e jo më filozofinë e metodat e veprimit të sajë!
Këta kokëtrashë, (në kuptimin e materies gri) që shiten
si Mafiozë, e që kërkojnë të çojnë mesazhe mafioze, nuk janë tjetër vetëm ca
banditë të rëndomtë katundi, ose ca çuna mamaje që në vizën e parë të drogës iu
hyn vetja në hatër. E prej qoshes së kolltukut politik, grabitur banditit të mëparshëm,
këndojnë nën hundë: Mafioz'i lagjes jam!
Aq trima janë sa këta mafio -lapera sa kur dikush, rastësisht,
për drejtësi, a për presion prej banditëve kundërshtarë, iu tund prangat përpara
syve, fillojnë të dridhen ditën e parë, të qajnë në TV ditën e dytë! E ditën e tretë të çudisë nisin të adresojnë mesazhe!
Kërcënojnë sikur të ishin me të vërtetë trima të çartun që
nuk iu "han palla" për drejtësinë shqiptare, pasi ata janë e drejta,
dhe e vërteta!
Nuk e lënë me kaq interpretimin e mafio -komicitetit! Por
rreken të na mbushin mendjen se cili grup banditësh politikë plotëson më shumë
kushtet e të qenit Mafioz! Duke u sforcur në poza fjalësh, batutash, zbardhje
dhëmbësh, veshje shik, diplomash fallso, ideshë të shlyera e intelegjencë me
miligram, për me na mbushë mendjen se nuk janë banditë të rëndomtë që rastësia,
dhe mbështetja banditeske, i solli në krye të çorbës që gatuhet në politikën
shqiptare!
Zotërinj banditë politikë pa dallim ngjyre politike (se
ide dhe besim fetar nuk keni), qetësojuni dhe harrojini interpretimet, mesazhet
qesharake dhe fiksimin budallor se jeni Mafiozë!
Jeni thjeshtë ca hajdutë -banditë të rëndomtë të veshur
me rroba politikanësh, që një ditë prej
ditësh, kur t'iu vijë radha, do të përfundoni xhiron tuaj të banditizmit, ashtu
siç e mbarojnë karrierën hajdutët dhe banditët e rangut tuaj, jo Mafiozë!
Nessun commento:
Posta un commento