Lexues

sabato, marzo 31, 2018

Dita e Ringjalljes...


Është ditë e Ringjalljes
Krishtit, për të vdekur, iu desht vetëm një ditë
                                -një ditë torturash pa fund
Është dita e Ringjalljes
Ne vdesim përditë, prej vitesh vdesim
Vdesim -dhe nuk dimë ç'është Ringjallja!

Kohë vdekjesh nën torturën monotone të pritjes
Asnjë e papritur në vezën e Pashkëve!
Priftërinjtë dhe politikanët flasin përditë
-për Ringjalljen tregojnë të njëjtën përrallë!
I besojmë! -e kërkojmë të lajmë mëkatet tona
në lumin e tharë prej dy mijë vjetësh!
mëkatët tona që asnjëherë nuk i bëmë.

Nuk e di se ç'dreqin kanë të përbashkët me Ringjalljen!
As priftërinjtë e sotshëm me Krishtin e kryqëzuar nuk më ngjajnë!
Politikanët na kryqëzojnë të gjithëve, duke na mbushë me rrena ringjalljet
Priftërinjtë e të gjitha racave dhe feve nuk dinë ç'ka është e vërtetë!
As ne nuk ngjajmë me Krishtin! -edhe pse kryqëzohemi përditë!
Të mbërthyer në kryq kërkojmë ti ikim dhimbjes
Ringjallja larg! Shumë më larg se vetë Largësia!

Është kohë Pashket! Ringjallja ka ikë në fund të botës!
Veza është thyer! Qingji i Pashkëve është therur...
                                          -nuk mbetet tjetër zgjidhje:
Ngarko Kryqin e dhimbjes në shpinë! Nisu!
Të paktën ndjej të jesh pak Krisht në një ditë të vetme
-edhe pse je duke rrejtë veten deri në kryqëzimin tjetër!

Kohë Pashkësh, Itali, 2018
Edmond Kaceli

Nessun commento:

Posta un commento