Esse nga E. Kaceli
Hej dreq! -kohë e ligshtë paska ardhë lum miku
virtual!
Ka ardhë një kohë e vështirë. Koha e
marrinave!
Koha që në mënyrën ma paradoksale e quajmë:
Kohë moderne!
Kohë interneti! Kohë rrjetesh sociale! Kohë...
Kohë dreqi!
Kohë krizash mendore! –them unë.
Të gjithë hiqemi, edhe unë, (pra të gjithë),
sikur jemi mentarët ma të mëdhenj të momentit, e mentarët ma të mëdhenj të ditëve
që ikin. Parashikuesit ma të mëdhenj të ditëve që do të vijnë!
Shkruajmë...
Shkruajmë marrina për 24 orë rrjesht. Mundohna...
Stërmundohna! -me i shitë në Tregun e Fjalës si kryevepra të mençurisë botnore!
Në Tregun e Lirë të Fjalës së përçudshme, të
fjalës së përdhosun!
Inflacioni i Fjalës së Marrë është, ku e ku,
ma i madh se inflacioni i secilës pare (monedhë) që shpiku njeriu.
Njeriu! Njeriu! -ky shpikës i madh, që nxjerr
rregulla e ligje, për të kufizuar lirinë e vet! Njeriu, që shpik përditë mënyra
të reja për vetvrasjen duke kujtuar se po sfidon Kohën! Kohën që Zoti ia ka
dhanë për përdorim të përkohshëm. E njeriu –shpikës mendon si me ia falë Qoftë
Largut!
Njeriu që gjithçka ka shpikë e mundohet të
shpikë, vetëm ilaç për marrinat nuk i shkon ndërmend me studiua, me e zbulua,
me e nxjerre në treg!
Klasike historia e biznesmenit që hapi një
shitore ku shkruante: Shesim mend për njerëzit që kanë nevojë! Pas një kohe,
krejt të shkurtë, shpalli falimentin!
E duke marrë shembullin e mosuksesit të tij unë,
në blogun tim, ku pretendoj se jam krejt i lirë me shprehë marrinat e mija,
para do kohësh shkruajta:
Mendime të çmendura
Mendoj: Asgjë.
Bëj: Asgjë.
Them: Asgjë.
Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!
Mendoj: Asgjë.
Bëj: Asgjë.
Them: Asgjë.
Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!
Në mënyrë të çuditshme shumë njerëz gjetën
veten dhe më banë aq shumë lajka (like), sa për një çast mendova mëdyshas: Na
kanë lindë me ba asgja?!
E thashë me vete: Ndoshta mosha ka mbërritë me
ba të veten... Ndoshta kam nisë me u çmendë... ndoshta ke nisë me u çmendë
ti... ndoshta ka nisë me u çmendë ai?.. ajo?...
A kemi nisë me u çmendë nga pak, krejt pak, e
ma vonë ma shumë, të gjithë... Një çmendi marrinash virtuale,
fjalësh aspak të mençura e lajkash, lajkash pa fund... Një gjuhë e vetme, e ndërtuar
prej një fjale të vetme! E mjaftueshme për të ndërtuar Kullën e Babilonit. Kullën
virtuale të Babilonit. Kullën e çmendun të marrëzisë njerëzore!
Itali -fillim viti 2018
Nessun commento:
Posta un commento