Lexues

lunedì, ottobre 01, 2018

Dje: Nga na erdhën këta Partizanë?! Sot: Nga erdhën këta Horra!


Pamflet nga E. Kaceli

Kur mbushën sheshet ca zhelanë me yllin e kuq në ballë, që vrisnin e prisnin pa dallim feje, krahine dhe idejet, të gjithë kundërshtarët personalë dhe politikë; që dhunonin e përdhunonin çdo njeri të pasur apo çdo njeri me prejardhje të pasur a gjysëm të pasur; që shtypnin e torturonin intelektualët, priftërinjtë, hoxhallarët e njerëzit e Zotit; që mbasi vranë e prenë kundërshtarët, shkuan në hell edhe njëri -tjetrin në emër të idealeve; njerëzia pyeti me gjysëm zërit:
Nga na erdhën këta partizanë!

Sot, shumë, krejt shumë, vite mbrapa, më duket se ora e shqiptarit ka mbetë në vend numëro! Jemi po aty!
Me ndryshimin e vetëm se kanë zëvendësuar mushkat e transportit me makina të blinduara e xhama të zinj! Zhelet i kanë zëvendësuar me rroba të firmave të njohura! Gjatësinë mundohen ta plotësojnë me gjatësinë e celularit e tundjen e kobures. Trashësinë e mendjes me numrin e dashnoreve!

Qysh prej 44-ës, më kot mundohemi të ecim! Kemi mbetë në vendnumëro! Vetëm njerëzia, duke u lutur nën melodinë "dhunën e përditshme falna sot" pyet:
Nga na erdhën këta Horra!

Këta horra që na kanë zaptuar rrugët, lokalet, parqet, fshatrat, qytetet. Këta horra që kanë mbytë Shqipërinë. Këta horra që i ndeshim kudo dhe ulim kryet përpara tyre më shumë se përpara perëndisë!
Këta horra që një herë në katër vjet nën zhurmën dhe bujën e burrave të fortë, i veshim me pushtet absolut që nga kryeplaku i fshatit, kryetari i bashkisë, komunës, e deri sa i çojmë në parlament, apo në qeveri, për të na dhunuar, poshtëruar, e varfëruar, politikisht, moralisht, e mendërisht!

Ulim kryet si qengja të butë duke rrejtë veten se "Nuk kanë punë me mua!" Ulim kryet siç e kemi ulur gjithmonë! Ulëm kryet nën dhunën e Enverit, nën pushtetin e dhelprës Alia; ulëm kryet sa herë iu tek Fatos Nanos, apo Berishës: ulim kryet përballë Edi (Edvin) Ramës; i biem në gjunj Ilir Metës; puthim Lulëzim Bashën e kacarrojmë Lali Erin, duke i shpallë (Mo Zo ma keq!) Perëndi!

Në përuljen tonë të përditshme, në frikën e delirin që pjell pushteti, iu thurim edhe këngë! Këngë ku teksti është i njëjti tekst -servil i përulun, por vetëm iu ndryshojmë emrin
E sa herë na del gjumi nga kur bëhet publike trafiku, skandali apo dhuna e radhës, nga të afërmit e horrave, nga horrat, apo nga kryehorrat personalisht, pyesim të çmeritun, e me gjysëm zërit:
Nga na erdhën këta Horra!?
Hë pra nga na erdhën?!

Nessun commento:

Posta un commento