Lexues

martedì, giugno 23, 2015

Interpretimi i votes nga Edmond Kaceli (analist)

Analist siç, shtate miljon shqiptare brenda dhe jashte kufinjve natyrale te dheut te shqipeve!

Zgjedhjet e fundit lokale me rezultatin e tyre treguan edhe nje here se politika shqiptare funksionon pak a shume siç eshte situata ne kete foto:
Dy partite aleate fituan shumice absolute! Nderkohe Partia Socialiste, ne sensin praktik ia futi Lidhjes Socialiste per Integrim.
Nga ana tjeter partia demokratike dhe aleatet e saje, duke fituar nje numer minimal bashkishe, bejne sehir pasi ia kane futur vetes. Diku i fshehur ne foto qendron edhe ndonje ia pavaruar qe nuk eshte ne gjendje t'ia fuse as te tjereve dhe as vetes.
Ne fund te fundit e gjitha partite i kane hipur lules! Dhe nuk do te ulen derisa lulja te thahet!

giovedì, giugno 11, 2015

Gara elektorale 2015 nga Edmond Kaceli

Gara elektorale 2015: Kush do te mberrije i pari!!!

venerdì, maggio 29, 2015

Zinxhiri i harruar nga E. Kaceli


Në qendrën e pyllit mblodhi anëtarët
kryetar' i Bio -social- erbivores
për një fjalim tepër programatik
shkruar nga "grand reformatores":

Pylli ynë i ndritur,
                             gjigand,
                                          madhështor
nga hapja e rrënjëve, deri në farëzim
e ushqen pa masë sektin erbivor
Pyll ynë i shenjtë -jetoftë në amshim"

Ndaj duke parë potencialin pyllor
nuk kemi nevojë ndërrimi tjetër
Mbështetur në kapacitetin stomakor
në pylli tonë do të gjallojmë si mbretër...

Ishte larg kryetari, më lag refomatorët
Zinxhirin ushqimor harronin. Të gjorët.

sabato, aprile 25, 2015

Rrugëve të dhimbjes nga E.Kaceli

Rrugëve të dhimbjes
rrugëve të mallit
shtruar me gurë të ashpër
shaluar makinat e heshtjes
si kuaj mistikë...

Ecim...

Rrugëtojmë...

Dhe ndiejmë frikë...


Itali -e shkruar në moskohë!

venerdì, aprile 10, 2015

Plehnat -poezi nga E. Kaceli


-Vargje të dëshpëruara 1

Të zhytun në mut
(të mbytun deri në fyt)
nuk guxojmë me hapë gojën
ani se,
           ani pse po vdesim ûjet...


shtator 1996- prill 2015

mercoledì, marzo 25, 2015

Parlamenti i rrëzuar nga E. Kaceli

Pamflet
Dhe prapë  në darkë kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të shohim ëndërra!

Ajo çfarë po ndodh këto ditë në Shqipëri, në politikën shqiptare, nuk ka përgjasim me anjë vend të botës.
Marr shembull të freskët nga Italia: Ministri i infrastrukturës Lupi, këto ditë, dha dorëheqjen për ti hapë rrugën drejtësisë italiane.
Ndërsa në Shqipëri është krijuar një mish -mash politike dhe drejtësie ku nuk e merr vesh i pari të dytin, i dyti të tretin, e me radhë duke u nisë edhe njëherë nga i pari!
Leshi i arapit është më pak i ngatërruar se rrëmuja që ka mbërthyer politikën dhe drejtësinë shqiptare.

Njëri akuzon tjetrin. Tjetri akuzon të parin dhe të tjerët. Dikush bën vëzhguesin duke pritë rrallën e breshërisë së akuzave. Populli nuk din ku të fshihet për tu ruajtë nga gëzhojat!
Drejtësia e munguar shqiptare e mbërthyer në morsën e politikës nuk është në gjendje të japë drejtësi.

Në qendër të gjithë kësaj rrëmuje mbetet ajo që duhet me qenë ajka e politikës dhe e ligjëbërjes ne Shqipëri: Parlamenti shqiptar me përbërjen e tij.
Akuza ndaj Kryetarit të Kuvendit, akuza ndaj Kryeministrit, akuza ndaj deputetëve sponsor të PS-ë, ndaj deputetëve të Veriut, ndaj deputetëve të Jugut, ndaj ish -kryetarit të opozitës, ndaj kryetarit të opozitës, ndaj deputetëve të opozitës. Akuza ndaj partisë socialiste, akuza ndaj partisë demokratike, akuza ndaj LSI-së, ndaj partive të vogla...
Nëse deri më tash ka mbetur vetëm Presidenti i Republikës pa u akuzuar. Kjo për fatin e tij të mirë se askush në Shqipëri nuk pyet më për institucionin e Presidentit!

Akuza, kundër akuza, nga të gjitha palët, kundër të gjithëve!
Hyrje daljet pa kriter të politikanë në ambjentet e akuzës (prokurorisë), janë kthyer në një modë të re për politikën shqiptare. Në një modë për të fituar kohë televizive gjatë procesit të shkatërrimit të seriozitetit të organit të akuzës dhe të drejtësisë në përgjithësi.
Duke sjellë një përqasje me të akuzuarit e jashtëzakonshëm të atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë, numri  përbërësve të parlamentit shqiptar të akuzuar a të përfolur si të akuzuar të mundshëm, ia kalon atyre të parve! Dikush nga deputët ka mbi shpinë më shumë se dy akuza, duke bërë kështu që numri i të akuzuarve në parlament të kalojë edhe numrin e vetë parlamentarëve!

Nuk marr përsipër të paragjykoj, gjykoj apo jap mend, por nëse gjithë ky inflacion të akuzuarish dhe akuzash në Kuvend, apo të arrestuarish në ditët në vijim, besoj ka arritë të bëjë vetëm një gjë: Rrëzimin e Parlamentit shqiptar si organi ligjëbërës në Shqipëri.

Rrëzimi i parlamentit, praktikisht të rrëzuar,  është zgjidhja më e drejtë dhe më demokratike në çastin që po kalon politika dhe drejtësia në vend. Rrëzimi i parlamentit, është zgjidhja më e arsyeshme e konfliktit të interesit që parlamenti ka me organin e akuzës dhe në vijim me drejtësinë në Shqipëri.
Në një sistem demokratik modern: Të gjithë në shtëpi, ata që i kanë bërë vendin në burg e më pas në shtëpi! -do të ishte zgjidhja më e ndershme.

... Sapo më doli gjumi dhe u kujtova: Jemi në Shqipëri! Që e përkthyer në shqipen e sotshme don me thanë: nuk kemi drejtësi, nuk kemi politikë, nuk kemi burra shteti, nuk kemi demokraci...
Dhe prapë  në darkë kemi guximin të shkojmë të flejmë, e prapë marrim guximin të shohim ëndërra!

Edmond Kaceli

martedì, febbraio 10, 2015

Qyteti i Vogël nga E Kaceli

Mënjanë mesit të Botës
ngrihen muret e fryme të Qytetit të Vogël
muret, ndërtesat, mbytur vogëlsie
Në ujrat e vogëlsisë notojnë njerëzit
Më të vegjël se ndërtesat, se muret, se qyteti
Njerëzit e vegjël të Qytetit të Vogël.

Njerëzit e Qytetit të Vogël
që druajnë poezinë më fort se kolerën
që i ruhen poetit më fort se shejtanëve
Varrezave publike tek shfaqen netëve
                             me hënë turbulluese
(me shejtanet ndodh të bëjnë dashuri
netëve të dashurisë përvëluese)…

Shkon për të blerë diç, në tregun e vetëm
                                     të Qytetit të Vogël
Kërkon, psh, patate
-pa pritur, ndërkohë të kanë peshuar:
dy kile e 300 gram përgojuese
                                                të klasit të parë

E ngatërrohesh më keq se në pazarin e Tezeut
pa mundur të vrasësh njeri
me përjashtim të vetes…

Në Pazarin e Vogël të Vjetërsinave dhe Ndjenjave
shterpat dhe të tredhunit të numërojnë
dashnoret dhe kafet e pime
qeshin, tallen
Në gijotinën e fjalëve mbytëse
përcaktojnë radhën.

Ti ikën prej pazarit me
qesen plastike plot përgojuese
me një kokërr patate sa një lëmsh Ariane
me fytin e tharë
në djegie…

Në Qytetin e Vogël sundojnë
Zyrtarët Shpirtxhuxhë
Zyrtarët vogëlakë,
                               trutharë,
                                             barkaliqë
Zyrtarët me kollaret e lidhura trashë
Zyrtarët, që , për hir të modernizmit,
                                                          shpërlajnë
Fytyrat e duhanta me parfume grashë.

E zyrave shëtisin Minifundet e sekretareve
Minifundet zgjedhëse të ngjyrës së kollareve
Kështu bindet populli (i lumtur) se shtetarët
Nuk janë kurrsesi impotentë ndaj grave
E gratë e shkreta, gratë e pafaj,
në orarin zyrtar, në krahë dashnorësh
shkrihen në vaj…

Brenda mureve të trasha të Qytetit të Vogël
sa gjëra të vogla ndodhin
Ndodhin se njerëzit ecin vogëlsisht
                                 dashurojnë vogëlsisht
                                 lindin vogëlsisht
vogëlsisht marrin frymë njerëzit
në Qytetin e Vogël
prapë të marrin Frymën
prapë të mbysin Dashurinë
prapë të mbysin Lindjen
prapë…

E për çdo ditë, e më vogëlsisht.


1996-2015

giovedì, gennaio 22, 2015

Trishtim në rrugët e qytetit tim... nga E. Kaceli

Pikon shiu rrugëve të përbaltuna të qytetit tim të trishtë
Era e ndan shiun në miliona pika të shrregullta
Si njerezit
                  -që mbarten nga njëra kafene në tjetrën duke vrà ditën
në llum kafeje e tym fjalësh pa fund
duke helmuar ditën, veten dhe njëri –tjetrin…
















Pikon trishtimi rrugëve të mbytuna nga shiu
                                                                      në qytetin tim
Pikon malli, më shumë se trishtimi dhe shiu (bashkë)
Dhe shiu, bashkë me erën, bashkë me mallin, në qytetin tim
Në qytetin tim çatishpuar prej rrezeve të diellit që ikin, ikin dhe ikin
Ikin për të mos u kthyer kurrë më…


Shqipër, i Lezhë, shtator ‘94 – Itali, janar 2015

domenica, dicembre 21, 2014

Shkretì

nga E. Kaceli

Në shkretinën e ditëve të shkreta
Një i çmendur mbolli një lule
Krejt me çudi rrugtarët e shkretinës e panë
(Me mbjellë një lule në shkretì!)

Në shkretinën e ditëve të shkreta
Ujë nuk kishte pasë kurrkund
(Në shkretinë uji asht një gjà e rrallë)



I çmenduri i shkretë
për me rritë lulen,
përditë shtrydhte zemrën nga pak.
                                                      Krejt pak
shtrydhte zemrën.
Lulja rritej,
                   rritej,
                            e rritej e shëndetshme.
(Zemra dhe trupi mpakej përditë e ma fort)

Në shkretinën e ditëve të shkreta, një ditë
Rrugtarët panë një lule të madhe, të bukur, bojë gjaku
Karvani i shkretanëve të rrugës së shkretinës u ndal. I pari i karvanit këputi lulen. E vuni si shèj në këmishën e bardhë.
E prapë karvani i shkretanëve u vu të ecë nëpër rrugën e ditëve të shkreta. Ndërsa për të çmendurin që dha shpirt për me rritë një lule në mes të shkretinës nuk i ra ndërmend askujt. Askujt. Askujt…


Itali, fundviti 2014