Lexues

Visualizzazione post con etichetta festat e vitit te ri. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta festat e vitit te ri. Mostra tutti i post

giovedì, dicembre 29, 2016

Vitet e kinezëve dhe vitet e shqiptarëve!

Satirë nga E. Kaceli
  -Gëzuar populli inë i mrekullueshëm! - Kjoftë Largu

Kinezët, një popull i mrekullueshëm, në kalendarin e viteve i quajnë viti i Derrit, i Qenit, i Miut, i Gomarit, i Tigrit etj.
Në bazë të këtyre viteve populli i madh, mbi një miliardësh, feston ndërrimin e moteve dhe shkruan historitë e tij. Në bazë të këtyre viteve ata lexojnë të shkuarën dhe përgatiten për të ardhmen!

Po ne shqiptarët? (Një popull që me vështirësi llogaritore themi se bëhemi nja 7 miljon, duke i mbledhë shqiptarët anë e mbanë botës, krejt si ndihmat humanitare!) Si llogarisim vitet? Si e kujtojmë të shkuarën? Si duhet ta thërrasim të ardhmen?

Çështje e vështirë. E vështirë dhe e ngatërruar! E ngatërruar për një popull që fatin vet e lidhën si ai fshatari që lidhi gomarin për trenin e ndaluar në stacionin hekurudhor të Lezhës e iku të bënte pazar ...

Ne jemi krenarë. Jemi edhe të lezetshëm, edhe krenarë, edhe të lumtur. Sidomos të lumtur që jemi shqiptarë e jo kinezë! (Edhe pse kinezët një herë e një kohë ishin miqtë tanë të mëdhenj!)

Le të krenohen dhe festojnë kinezët vitin e Tigrit, Derrit, Qenit, Miut, Gomarit, etj. Ne shqiptarët në mundimin bosh për me u bà shtet, kemi kaluar (e festuar sipas stilit shqiptar) vitet e Merhumit, Kjoftë Largut, Gjarpërit me Syze, Doktorit, Pijanecit, Njeriut që Qesh, dhe vitet e këtij të Gjatit!

Në këtë ndërrim vitesh, ndërsa lutemi në fshehtësi të paktën të lulëzojnë vitet e Bukuroshit, urojmë njëri -tjetrin: Gëzuar 2017 -ën, Vitin e Vettingut!

E nën drejtimin e ambasadorit amerikan me origjinë të hershme kineze, këndojmë hymnin e pavarësisë nacionale: "Oh sa mirë me qenë shqiptaro -kinez, ole, ole, olelelllleee!"


domenica, dicembre 21, 2014

Shkretì

nga E. Kaceli

Në shkretinën e ditëve të shkreta
Një i çmendur mbolli një lule
Krejt me çudi rrugtarët e shkretinës e panë
(Me mbjellë një lule në shkretì!)

Në shkretinën e ditëve të shkreta
Ujë nuk kishte pasë kurrkund
(Në shkretinë uji asht një gjà e rrallë)



I çmenduri i shkretë
për me rritë lulen,
përditë shtrydhte zemrën nga pak.
                                                      Krejt pak
shtrydhte zemrën.
Lulja rritej,
                   rritej,
                            e rritej e shëndetshme.
(Zemra dhe trupi mpakej përditë e ma fort)

Në shkretinën e ditëve të shkreta, një ditë
Rrugtarët panë një lule të madhe, të bukur, bojë gjaku
Karvani i shkretanëve të rrugës së shkretinës u ndal. I pari i karvanit këputi lulen. E vuni si shèj në këmishën e bardhë.
E prapë karvani i shkretanëve u vu të ecë nëpër rrugën e ditëve të shkreta. Ndërsa për të çmendurin që dha shpirt për me rritë një lule në mes të shkretinës nuk i ra ndërmend askujt. Askujt. Askujt…


Itali, fundviti 2014