Lexues

domenica, ottobre 19, 2014

Shëtitje në pyllin e heshtjes


Vetmuar deri në çmendje
më i vetmuar se vetëm,
krejt i vetëm shëtis
eci mespërmes
                        në pyllin e heshtjes
në rrugën e parrugë
vizatuar prej vjeshtës.

Gjethet janë ndryshkur
Gurët janë ndryshkur
Fjalët janë ndryshkur,
                                   gjithashtu
…në grykën e pafundit
Heshtja flet me dikë larg meje…

Në pyllin e heshtjes
ranë gjethet e fundit
gjethet e harresës
krejt kot,
              shiu mundohet të lajë
ngjyrën e përgjakun të vjeshtës...

Edmond Kaceli

Tetor 2014, diku në një pyll të Italisë

lunedì, giugno 09, 2014

Botë e trishtë


Një kontenitor plehrash është lagur gjatë gjithë ditës në shi
Një shi i mbytur në trishtimin e një dite që pret të kalojë
si miliona ditë të tjera, pa thënë asgjë
Në rrugën “Bricco Broncio”, S. Langhe, Piemonte
Shiu dhe trishtimi mbysin kujtimet e djeshme
Indiferenca njerëzore mbyt të sotmen dhe të nesërmen, pa kujtime

Një qen morracak pastron morrat nën shiun dhe mjegullën që kanë mbytur rrugën
Makina luksoze turistësh dhe motorçikleta të zhurmshme thyejnë ndonjë çast
indiferencën. Dhe ikin në rrugën e zhytur në mjegull. “Udhë të mbarë”
në u foltë për mbarësi ndonjëherë! Dielli ka ikur pa lënë adresë.

Era shkund pa kuptim pemët e lagura deri në palcë që dridhen së ftohti
Dy të fejuar mundohen të ngjallin humorin e një dite të shkuar kot
Vajza tund vithet e rrumbullakta, të lagura prej shiut. Ndjenjat janë zhytur në mjegull. “Bethoven’s Fur Elise” vetëm shton trishtimin në gjakun e lagur.
Qeni morracak shkundi shiun, mori bishtin me vete dhe iku pa thënë asnjë fjalë!

Kontenitori i mbushur përgjysmë me mbeturina vazhdon të laget…

lunedì, aprile 21, 2014

Drejtësi absolute

Unë shaj ty –dhe kam të drejtë.
Ti më shan mua –dhe ke të drejtë.

Unë dhe ti…

Unë dhe ti shajmë njëri- tjetrin…


Dhe kemi plotësisht të drejtë!

e.kaceli

lunedì, febbraio 17, 2014

Akull dhe qen që lehin…



Kishin uri qentë. Ishte ftoftë. Shume ftoftë.
Mish  pat ngri prej të ftoftit. Kockat ishin tretë prej viteve.
Qentë kishin uri…
Vendosëm t'iu hedhim shpirtin. Përfundimi...

Ftoftë është
Akull është
Qentë e uritun sillen rreth meje
Qentë e uritun sillen rreth jush
Sillen rreth padronit qentë e uritun…

Më lehin dhe mua,
                              dhe ty,
dhe padronit, njëherësh
Na skërmisin dhëmbët
Jargët deri në tokë, varg.

 Qentë e uritun lehin kundër gjithkujt
pa dallim.
Padroni (për shërbimin e lehjes)
Iu hedh kocka
Dhe qentë i lëpijnë.
Unë dhe ti buzë padronit
Si buzë mortjes që vjen prej të lehunave
dhe jargëve.
Mishi na është ngri prej të ftohtit.
Kocka nuk kemi
(Kockat kanë tretë viteve)


Qentë lehin.
Qentë përjargen.
Qentë po vdesin…

-Çfarë t’iu hedhim qenve në këtë akull!

-Iu hedhim shpirtin. Shpirtin i dashur,  iu hedhim!

Unë, (më i akullt se akulli përgjigjem):
Nëse iu hedhim shpirtin ne vdesim prej të ftohtit dhe
qentë vdesin gjithashtu se
shpirtin tonë nuk e hanë as qentë…

Përfundimi?


Itali, shkurt 2014