Lexues

martedì, novembre 04, 2014

Pamflet: Mos shkoooo, or trim!

Ditar
4 Nëntor 2014

Mos shkoooo, or trim!

-Reagim per vizitën e KM në Serbi

Në një pallat të bukur përrallor hyri një Trim. Në hyrje gjeti një virgjëreshë të bukur. Virgjëresha i tha: Gjithçka që do të gjesh në këtë pallat është e jotja. Në këtë pallat mund të realizosh çdo dëshirë tënden. Vetëm portën në katin e fundit mos e hap kurrë!
Por Trimi, kishte ndodhur shqiptar dhe kureshtar. Sytë dhe zemra i rrihnin vetëm për derën e fundit dhe pyeste vazhdimisht: Po atje çfarë ka?
Aktori i madh Koço Devole e ka përjetësuar gjithë këtë histori, para shumë vitesh, në një skeç të mrekullueshëm.
Trimi nuk duroi dhe hapi derën e fundit. Nga pas i dhanë një shkelm bythëve. Trimi kureshtar përfundoi nga kishte ardhë: Në rrugë të madhe.

Dikush mund të bëjë përngjasime me vizitën e Kryeministrit (shkurt KM) Rama në Serbi. KM nën petkun rozë të Rilindjes, hyri në pallatin e bukur kryeministror dhe i duket se ka çdo gjë të vetën. Madje krejt Shqipëria e katandisur në gjendjen që është, trajtohet si pronë e Rilindjes. Kurioziteti e shtyn të mendojë çfarë ka nga ajo dera në drejtim të një shteti tjetër, ballkanas, armik historik i Shqipërisë, dhe i çdo gjëje shqiptare.

Kështu, (marrëzisht  mund të thotë dikush) Kryetrimi Kryeministror (shkurt KK), ka vendosë të hapë derën e tij të pallatit të përrallave, derën nga ana e Serbisë.
Ndërkohë, me ndonjë përjashtim, të gjithë ia kanë thënë, dhe po ia thonë larg e larg ose drejtpërdrejt: Mos shko o Kryetrim Kryeministror! Mos e hap atë derë…!

Por Kryetrimi ka vendosë ta hapë derën…
Unë jam i sigurtë se ndryshe nga përralla, KM do të gjejë atje diçka: Në Serbi do të gjejë serbë!
Nuk jam i sigurtë nga ana tjetër se çfarë do të humbasë, dhe çfarë do të gjejë kur të kthehet në Shqipërinë e ndarë,  nga lakmia serbe, greke, malazeze, maqedonase…

Shko, shko, shkoooo, or Kryetrim Kryeminstër!


Edmond Kaçeli

domenica, ottobre 19, 2014

Shëtitje në pyllin e heshtjes


Vetmuar deri në çmendje
më i vetmuar se vetëm,
krejt i vetëm shëtis
eci mespërmes
                        në pyllin e heshtjes
në rrugën e parrugë
vizatuar prej vjeshtës.

Gjethet janë ndryshkur
Gurët janë ndryshkur
Fjalët janë ndryshkur,
                                   gjithashtu
…në grykën e pafundit
Heshtja flet me dikë larg meje…

Në pyllin e heshtjes
ranë gjethet e fundit
gjethet e harresës
krejt kot,
              shiu mundohet të lajë
ngjyrën e përgjakun të vjeshtës...

Edmond Kaceli

Tetor 2014, diku në një pyll të Italisë

lunedì, giugno 09, 2014

Botë e trishtë


Një kontenitor plehrash është lagur gjatë gjithë ditës në shi
Një shi i mbytur në trishtimin e një dite që pret të kalojë
si miliona ditë të tjera, pa thënë asgjë
Në rrugën “Bricco Broncio”, S. Langhe, Piemonte
Shiu dhe trishtimi mbysin kujtimet e djeshme
Indiferenca njerëzore mbyt të sotmen dhe të nesërmen, pa kujtime

Një qen morracak pastron morrat nën shiun dhe mjegullën që kanë mbytur rrugën
Makina luksoze turistësh dhe motorçikleta të zhurmshme thyejnë ndonjë çast
indiferencën. Dhe ikin në rrugën e zhytur në mjegull. “Udhë të mbarë”
në u foltë për mbarësi ndonjëherë! Dielli ka ikur pa lënë adresë.

Era shkund pa kuptim pemët e lagura deri në palcë që dridhen së ftohti
Dy të fejuar mundohen të ngjallin humorin e një dite të shkuar kot
Vajza tund vithet e rrumbullakta, të lagura prej shiut. Ndjenjat janë zhytur në mjegull. “Bethoven’s Fur Elise” vetëm shton trishtimin në gjakun e lagur.
Qeni morracak shkundi shiun, mori bishtin me vete dhe iku pa thënë asnjë fjalë!

Kontenitori i mbushur përgjysmë me mbeturina vazhdon të laget…