Poezi, fotografi, opinione, satirë, humor, polemikë, letërsi, e prapë poezi e prapë fotografi!
domenica, aprile 29, 2018
lunedì, aprile 02, 2018
Kombi, Kukësi i Kombit, rruga e Kombit, dhe Hajdutët e Kombit!
Opinion
Kombi, (nacion)i jam unë, je ti, jemi ne të gjithë. Kombi
shqiptar është gjithkund ku flitet sadopak gjuhë shqipe. Shqipe e pastër, e papërzier,
shqipe e ruajtur me shpirt nëpër dhëmbë nga koha që ka punuar aq shpesh kundër
shqipes dhe shqiptarëve!
Nacioni shqiptar është i shtrirë në trojet e veta në Greqi
(Çamëria); në Maqedoni (Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova); në Malin e Zi, si
vetë fati i shqiptarëve (Ulqini, Tivari, Tuzi,); në Serbi (Presheva, Bujanoci,
Metvegja); në Kosovë.
Shqiptarët janë të shpërndarë thuajse në të gjitha vendet
e botës! Një nacion, historia e vuajtjeve dhe ndarjeve për shkak të luftrave
dhe lakmive të fqinjëve mund të gjejë krahasim vetëm me historinë e hebrenjve!
Ky është Nacioni Shqiptar!
Kukësi është ai qyteti i vogël në Veri të Shqipërise. I
vogël si territor, i varfër, i harruar nga qeveritë e Tiranës! Askush nuk
fliste për Kukësin deri në ditën kur mahniti botën me pritjen e një milion të dëbuarve
nga Kosova! Në atë kohë u fol per Kukësin! Në atë kohë "zbuluam" historinë
e tij të përgjakshme, Lumën, Hasin, Krumën... Kukësi i vogël u kthye ne Kukësi
i Kombit! -Dhe pastaj u harrua!
Këtu nisi historia e rrugës së Kombit. Një ndër
investimet më domethënëse në drejtim të afrimit të dy pjesëve të ndara të Shqipërisë!
Lëvizja e lirë ndërmjet dy shteteve shqiptare, e ëndërruar edhe nga fëmijët,
filloi të bëhej realitet. Kjo rrugë menjëherë u shëndrrua në urën e munguar të
lidhjes mes dy pjesëve të Shqipërisë natyrale dhe historike!
Shqiptarët e Shqipërisë zyrtare dhe shqiptarët e Shqipërisë kosovare u ndjenë më të bashkuar se
asnjëherë tjetër! Këtë bashkim e bëri realitet të patjetërsueshëm Rruga e
Kombit!
Por emri i madh i kësaj rruge u përlye! U përlye qysh me
fillimin e hedhjes së zhavorrit të parë e deri me vendosjen e traut të pagesës!
Rruga e Kombit, Ura e Kombit, u kthye në një simbol vjedhjesh të pafundme.
Vjedhjeje dhe mosndëshkimeve!
Hajdutët e Kombit, njerëz të veshur me fuqinë e politikës
në Shqipëri e panë ndërtimin e rrugës, jo si një investim gjeostrategjik dhe
politik në të mirë të nacionit, por si mjetin më perfekt për të vjedhur pa ju
hyrë gjembi i ndëshkimit në asnjë gisht të këmbës apo të dorës hajdute!
E filluar me vjedhjen nëpërmjet taksës Majko, e vijuar me
shpërdorimin e milionave gjatë ndërtimit të rrugës, ku studimet dhe projektet bëheshin
mbas ndërtimit duke iu përshtatë parave të harxhuara pa asnjë kriter, vijoi ndër
vite me shpenzimet e pakontrollura për mirëmbajte.
Çetat e Hajdutëve të majtë, e të djathtë, ia rropën dhjetëra
herë asfaltin kësaj rruge, derisa e kuptuan se nuk kishte mbetë asgjë për të
vjedhur.
Kur e panë se kishte mbetë pak për të vjedhur, çeta e
hajdutëve të radhës në qeveri shpiku traun e pagesës dhe vjedhjen nëpërmjet
koncensionit!
Koncensioni, kjo shfaqje korruptive që është
eksperimentuar me sukes në mjekësi, në energji, në kontrollin e automjeteve, në
dogana, në aeroport... Në çdo gjë të mundshme që mund të prodhojë shumë lek, për
firmat e lidhura me politikën, për hajdutët në pushtetin e radhës, e pak, krejt
pak lek për buxhetin e varfër të shtetit.
Në sajë të politikës hajdute jemi klasifikuar me nder e
lavdi, në top listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë!
Qeveritarët dhe politikanët shqiptarë, në vend që të
flasin për perspektiva zhvillimi e mirëqenieje, bëjnë plane të errëta se çfarë,
dhe si, mund të vidhet e stërvidhet, çka mund të ndahet e stërndahet.
Pa asnjë frikë se dikush mund ti ndëshkojë!
Në fakt edhe burgun, e forcën e ligjit, iu kanë dhënë me
koncension policisë, gjykatësve, e prokurorëve, për ta përdorur vetëm ndaj njerëzve
të varfër, ndaj njerëzve të thjeshtë.
Qofshin këta edhe protestuesit e thjeshtë, e të ndershëm
të Kukësit, që guxojnë të protestojnë kundër një trau, e një pagese të
pajustifikueshme, që kërkon t'iu ngrejë një mur simbolik, në kufirin simbolik
Kosovë -Shqipëri!
Për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë, shpresoj që
protesta, edhe e dhunshme, t'iu çojë pak mesazh hajdutëve të kombit (të majtë e
të djathtë), një mesazh të llojit:
Në mos paçi frikë nga Ligji, filloni të keni frikë nga
zemërimi i popullit!
Edmond Kaceli
Etichette:
çameria,
edmond kaceli,
hajdutet ne qeveri,
kosova,
kukesi,
mali i zi,
maqedonia,
ngjarjet ne kukes,
opozta,
protesta,
protesta ne kukes,
rruga e kombit,
shqiperia,
tetova
sabato, marzo 31, 2018
Dita e Ringjalljes...
Krishtit, për të vdekur, iu desht vetëm një ditë
-një ditë torturash
pa fund
Është dita e Ringjalljes
Ne vdesim përditë, prej vitesh vdesim
Vdesim -dhe nuk dimë ç'është Ringjallja!
Kohë vdekjesh nën torturën monotone të pritjes
Asnjë e papritur në vezën e Pashkëve!
Priftërinjtë dhe politikanët flasin përditë
-për Ringjalljen tregojnë të njëjtën përrallë!
I besojmë! -e kërkojmë të lajmë mëkatet tona
mëkatët tona që asnjëherë nuk i bëmë.
Nuk e di se ç'dreqin kanë të përbashkët me Ringjalljen!
As priftërinjtë e sotshëm me Krishtin e kryqëzuar nuk më
ngjajnë!
Politikanët na kryqëzojnë të gjithëve, duke na mbushë me
rrena ringjalljet
Priftërinjtë e të gjitha racave dhe feve nuk dinë ç'ka është
e vërtetë!
As ne nuk ngjajmë me Krishtin! -edhe pse kryqëzohemi përditë!
Të mbërthyer në kryq kërkojmë ti ikim dhimbjes
Ringjallja larg! Shumë më larg se vetë Largësia!
Është kohë Pashket! Ringjallja ka ikë në fund të botës!
Veza është thyer! Qingji i Pashkëve është therur...
-nuk mbetet tjetër zgjidhje:
Ngarko Kryqin e dhimbjes në shpinë! Nisu!
Të paktën ndjej të jesh pak Krisht në një ditë të vetme
-edhe pse je duke rrejtë veten deri në kryqëzimin tjetër!
Kohë Pashkësh, Itali, 2018
Edmond Kaceli
Etichette:
edmond kaceli,
gezuar pashket,
krishti,
kryqi,
mekatet,
pashket,
poete shqiptare bashkekohore,
poezi,
politika,
qingji,
ringjallja,
rrena,
vdekja,
veza e pashkeve
sabato, marzo 24, 2018
sabato, marzo 17, 2018
Arresti me burg ka zëvendësuar shërbimin e detyruar ushtarak!
Pamflet
Të ndjekësh lajmet kohëve dhe orëve të fundit, që vijnë
me bollëk nga Shqipëria të bën përshtypje numri i madh i të proceduarve
penalisht ku masa e sigurisë, për pjesën më të madhe të tyre, është arrest me burg!
Nëse iu referohesh lajmeve të 24 orëve të fundit, psh,
janë arrestuar të paktën 40 persona për krime nga më të ndryshmet, e nga më të
larmishmet!
Larmia e arrestimeve është e habitshme!
Arrestime për mospagim energjie, për shkelje të
rregullores së qarkullimit (pa asnjë pasojë) për vrasjen e vjehrrës, për vrasjen
e burrit, për sherr në mes dy shokëve në
pije e sipër, për fyerje të policit (ndoshta polici ishte i dehur), për ndërtim
nevojtoreje pa leje, për faktin se ishe kamionist i një shoqëri transporti që
transportonte banane, e që vazhdon ti transportojë, për abuzim me tokat, për
shpërdorim detyre... për ngjarjet në Siri!
Për çdo gjë që Lideri Suprem sheh ëndërr dhe e parashikon
si krim, mund të ndiqesh penalisht, dhe turra e prokurorëve, që të sheh si
viktimën e radhës prej së cilës mund të përfitojë, të hedh si një thes me kërtolla(patate)
në dyer të gjykatës!
Kjo e fundit, e ndodhur përballë një presioni të jashtëzakonshëm
politik, e frikësuar nga politika, (ashtu nga mëkatet e veta) dhe pa baza të shëndosha
ligjore, është gati të presë atë letrën me vlerë (kështu e quajnë të
arrestuarit vlerësimin e masës së arrestit) që të lë në burg për një kohë të
pasaktësuar, në pritje të një gjyqi të paragjykuar, e që dreqi e di se si, e
kur do të përfundojë!
Vetëm një komb i sëmurë psikologjikisht si i yni, me një qeveri
të sëmurë moralisht, politikisht dhe psikologjikisht, si kjo e jona, sheh
burgun si zgjidhjen e vetme dhe efikase kundër korrupsionit, që për fatin tonë
të madh, na ka rreshtuar në 20 vendet më të kualifikuara, në gjithë botën!
Për hir të Dreqit, edhe unë besoj se dikush, se shumëkush,
e ka bërë hak burgun!
Por duke ndjekë parimin themelor të çdo shteti të së
drejtës në botën e qytetëruar, (përjashtohet Shqipëria nga ky qytetërim)
çdokush është i pafajshëm deri në provimin e fajësisë, kjo masa e arresit me
burg për çdo gjë, më duket jashtë mase, krejt jashtë mase, e pajustifikueshme!
Përndryshe humbet vlerën dhe qëllimin e vërtetë!
Në fakt në Shqipëri arresti me burg më duket se ka zëvendësuar
shërbimin e detyruar ushtarak!
Gjykata dhe pokuroria më duken si komisioni i dikurshëm i
ish -Degës Ushtarake që rreshtonte rekrutët paraushtarakë, të qethur, të rruar,
të larë, e të zhveshur lakuriq. Mjeku ushtarak kalonte me thupër në dorë dhe i
bënte të kolliteshin. Më pas dëgjoje fjalën: I aftë! -e komisioni shkruante
letrën: Arrest ushtarak!
Imagjinoni historinë e atij budallës nga Lezha që u
paraqit në komisionin e Degës Ushtarake të rrethit! Historia tregon:
Kryetari i Degës: Zhvishu!
Budalla: Y rrotë se asht marre! (Turp)
Kryetari (Bërtet): Kujt i thua rrotë!
Budalla: Më fal or rrotë!
Kryetari: Përjashtaaaa!
Budalla: Mirë o rrotë!
(Në kuadrin e zëvendësimeve, krahasimeve, vrasjeve, shpërdorimeve,
vlerave, korruptimeve, drogërimeve, dhe arrestimeve mos t'iu shkojë ndërment të
krahasoni Kryetarin Qeverisë me Kryetarin e Degës Ushtarake, dhe të arrestuarin
me atë djalin e padjallëzuar të fshatit Zejmen që e shpallën të paaftë
ushtarakisht dhe vdiq si qerraxhi i nderuar kooperative!)
nga E. Kaceli
giovedì, febbraio 22, 2018
Fatkeqësi e përgjithshme
nga E. Kaceli
Kemi humbë në lidhje pa kuptim
në lidhje që kurrë nuk janë lidhje
që kurrë nuk ishin lidhje... As në të ardhmen!
Kemi humbë, kemi tretë...
Kemi harruar një lule, një erë,një pikë lagësht në mëngjez,
shijen e borës, akullin dhe diellin e bregdetit, frymëmarrjen,
fjalën, shijen e gjuhës, puthjen, përkëdheljen...
Në gjumë kompiuterash biem të flejmë,
çohemi, hamë, dhjesim, flejmë prapë!
Në ëndrra elektronike jetojmë
përditësohemi, shkëmbejmë lumturi, shumohemi...
Shumohemi krejt si nëpër gjendjet (status) boshe...
Rrugës kthejmë sytë kur ndeshim veten!
Mbërthejmë veten në befasi!-O zot!
Të trembur kthejmë kryet në anën tjetër!
Arratisemi prej gjithçkaje njerëzore
Prej vetes ikim, njësoj si të çmendurit e pashpresë!
Harrojmë tingullin e një zëri, një kënge,
shurdhuar në zhurma njoftimesh, gjendjesh,
heliogrifesh pa kuptim, shenjash, fytyrash,
krijuar në zyra të mbyllura prej qënieve të mirëpaguara
Nëpër zyra -kasafortash virtuale, aty
ku fatkeqë si ti, si unë, si ne të gjithë,
krijojnë Hiçin e Madh
Në qendër të Hiçit jemi ulë këmbëkryq!
Skllevër të Hiçit harrojmë gjithçka që ka vlerë
Fatkeqë, presim të nesërmen...
Nesër...
E nesërmja harron të vijë!
Itali, shkurt 2018
Etichette:
akull,
dashuri,
edmond kaceli,
elektronike,
foto,
foto edmond kaceli,
hiç,
kenge,
poete bashkekohore,
poezi,
poezia bashkekohore shqipe,
puthja,
smile,
status
sabato, febbraio 10, 2018
sabato, febbraio 03, 2018
Në Shqipëri ka një problem të madh!
Satirë nga E. Kaceli
Në Shqipëri ka një problem të madh! Një problem që po e gërryen
këtë vend të bekuar dita -ditës. Po e shkatërron nga brenda. Po e rrënon!
Ju mendoni se problemi më i madh është varfëria!
Jo! Shqiptarët, në varfërinë e tyre, janë njërëzit më të
pasur në botë!
Ju mendoni se problemi është kufiri detar me Greqinë apo
probleme të tilla të mëdha që shqetësojnë një nacion normal!
Jo! Shqiptarët janë në gjendje të jetojnë në fqinjësi të
mirë me gjithkënd. Janë aq dashamirë me të huajin sa kur të ftojnë për vizitë në
shtëpi të thonë (turqisht përzier me shqip): Hoshgjedën! Shtëpia është e mikut
dhe e Zotit! Për këtë arsye nuk e kanë pasë për gjë të shkatërrojnë të gjitha
shtëpitë e Zotit, për hatër të ideve që pruri një mik nga populli vëlla kinez!
Disa mendojnë se problemi më i madh i shqiptarëve është
opozita! E ky problem harrohet kur shqiptarët kuptojnë se opozita është thjeshtë
një pozitë e ardhshme! Që në rastin më të keq do të vijë në pushtet me një emër
të bukur, psh "rilindje"! Duke zëvendësuar, sipas një rrotullimi
perfekt, ciklin e zëvendësimit të komunistëve të kuq (rozë) me komunistët blu!
Të gjithë e dinë se shqiptarët e Shqipërisë kanë një
problem të madh! Por askush nuk është në gjendje të thotë me të parën, se kush është
problemi më i madh që shqetëson Shqipërnë dhe banorët e sajë!
Nuk është pozita! Nuk është opozita! Nuk është varfëria!Nuk
është pasuria! Nuk janë fqinjët!
Shqipëria ka një problem të madh! Një problem jashtëzakonisht
të madh! Shqetësues deri në ekstrem! Një problem të pazgjidhshëm! Një
problem...
Problemi më i madh i Shqipërisë është se në të jetojnë një
numër i konsiderueshëm shqiptarësh!
Dhe kjo nuk është gjë e vogël!
Etichette:
edmond kaceli,
kufiri detar me greqine,
marrveshja detare,
opozita,
pozita,
problemi i shqiptareve,
satire,
satire shqiptare,
satiriste shqiptare
domenica, gennaio 28, 2018
Sa turq ka vrarë Gjergj Kastrioti, Skënder Beu!
Satirë:
Qysh me fillimin e protestës së 27 janarit, plasi gara
marramendëse e shifrave të pjesëmarrjes!
Numërues të shumtë nga të dyja palët nisën, dhe vijonë,
një garë të shfrenuar që nuk do të ndalet deri në protestën tjetër të radhës!
Dikush numëron 5 mijë veta. Dikush mbërrin në shtatë -tetë
mijë! Kulmi i pjesëmarrjes mbërrrin në shifrën e bukur të 500 mijë protestuesve!
Ekspertë të matematikës llogaritëse, ekspertë të dronëve
dhe të numërimit me dron (pika dronit që shpikën shqiptarët!), ekspertë
statistikash, merren me llogaritjen e saktë duke na futur aq saktësisht në
qorrsokak sa harrohet, qëllimisht, thelbi i protestës, cilësia e pjesëmarrësve
në të, cilësia e folësve, lidervë, çka u tha e çka nuk u tha në protestë!
Askush nuk shpjegon përse gjithë ai presion policor
kontrollesh, krejt të pajustikuara e lajmesh të frikshme për rrëmuja. Kur dihet
dhe pranohet botërisht, se lidershipi aktual i PD-së, ka probleme të organizojë
protesta! Aq më shumë ti bëjë ato të dhunshme! Protesta që i ngjajnë shijes që
ka kafeja dekafeinato, birra analkolike, coca -cola zero, apo mishi pa yndyrë!
Askush nuk u mor me risinë e kësaj proteste! Për herë të
parë një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë udhëtuan drejt Tiranës
vetëm për të protestuar kundër një qeverie që iu premtoi shumë dhe iu dha asgjë!
Askush nuk merret me cilësinë e drejtuesve -pronarë të
partive të mëdha e të vogla (si Mediu, Ndoka e kompani) që në antarësinë reale
të tyre kanë maksimumi veten dhe ndonjë familjar të rangut të parë!
Por të gjithë merremi me garën e çmendur të numërimit të
njerëzve në protestë! Mirë që nuk na bie ndërmend të numërojmë edhe ata që iu
bashkuan protestës në FB! -se Twiter, Istagram e G+, nuk nuk kanë vlerë statistikore
në shifrat e protestuesve!
Numërime boshe në kohën e kolerës!
Këtyre matematicienëve të mbaruar dhe mjeshtërve të
statistikave do iu drejtohesha me një kërkesë serioze:
Meqënëse jemi në Vitin e Skënderbeut, të shpalluar me bujë
nga Kolera Aktuale Shqiptare, a mund të më thoni: Sa turq ka vrarë Gjergj
Kastrioti, Skënder Beu, gjatë luftës së tij 25 vjeçare?
Nuk po iu kërkoj të mi numëroni sipas betejave, por vetëm
totalin!
Dua një shifër të saktë! Kështu iu besojmë edhe aftësive
tuaja llogaritëse!
Hajt ma gjeni se iu kam xhan! Ju dua fort! Ju dua fort jo
vetëm unë, por edhe Skënderbeu!
Me respekt maksimal për të gjithë ata që protestojnë ashtu
edhe për ata që nuk protestojnë!
nga
Edmond Kaceli
Etichette:
edi rama,
edmond kaceli,
gjergj kastrioti skenderbeu,
lulezim basha,
opozita,
protesta,
qeveria,
satire,
satire shqiptare,
viti i skenderbeut,
vrasje
sabato, gennaio 13, 2018
Koha e marrinave! (Marrëzive)
Esse nga E. Kaceli
Hej dreq! -kohë e ligshtë paska ardhë lum miku
virtual!
Ka ardhë një kohë e vështirë. Koha e
marrinave!
Koha që në mënyrën ma paradoksale e quajmë:
Kohë moderne!
Kohë interneti! Kohë rrjetesh sociale! Kohë...
Kohë dreqi!
Kohë krizash mendore! –them unë.
Të gjithë hiqemi, edhe unë, (pra të gjithë),
sikur jemi mentarët ma të mëdhenj të momentit, e mentarët ma të mëdhenj të ditëve
që ikin. Parashikuesit ma të mëdhenj të ditëve që do të vijnë!
Shkruajmë...
Shkruajmë marrina për 24 orë rrjesht. Mundohna...
Stërmundohna! -me i shitë në Tregun e Fjalës si kryevepra të mençurisë botnore!
Në Tregun e Lirë të Fjalës së përçudshme, të
fjalës së përdhosun!
Inflacioni i Fjalës së Marrë është, ku e ku,
ma i madh se inflacioni i secilës pare (monedhë) që shpiku njeriu.
Njeriu! Njeriu! -ky shpikës i madh, që nxjerr
rregulla e ligje, për të kufizuar lirinë e vet! Njeriu, që shpik përditë mënyra
të reja për vetvrasjen duke kujtuar se po sfidon Kohën! Kohën që Zoti ia ka
dhanë për përdorim të përkohshëm. E njeriu –shpikës mendon si me ia falë Qoftë
Largut!
Njeriu që gjithçka ka shpikë e mundohet të
shpikë, vetëm ilaç për marrinat nuk i shkon ndërmend me studiua, me e zbulua,
me e nxjerre në treg!
Klasike historia e biznesmenit që hapi një
shitore ku shkruante: Shesim mend për njerëzit që kanë nevojë! Pas një kohe,
krejt të shkurtë, shpalli falimentin!
E duke marrë shembullin e mosuksesit të tij unë,
në blogun tim, ku pretendoj se jam krejt i lirë me shprehë marrinat e mija,
para do kohësh shkruajta:
Mendime të çmendura
Mendoj: Asgjë.
Bëj: Asgjë.
Them: Asgjë.
Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!
Mendoj: Asgjë.
Bëj: Asgjë.
Them: Asgjë.
Kështu jeta vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm që ecë përmbrapa!
Në mënyrë të çuditshme shumë njerëz gjetën
veten dhe më banë aq shumë lajka (like), sa për një çast mendova mëdyshas: Na
kanë lindë me ba asgja?!
E thashë me vete: Ndoshta mosha ka mbërritë me
ba të veten... Ndoshta kam nisë me u çmendë... ndoshta ke nisë me u çmendë
ti... ndoshta ka nisë me u çmendë ai?.. ajo?...
A kemi nisë me u çmendë nga pak, krejt pak, e
ma vonë ma shumë, të gjithë... Një çmendi marrinash virtuale,
fjalësh aspak të mençura e lajkash, lajkash pa fund... Një gjuhë e vetme, e ndërtuar
prej një fjale të vetme! E mjaftueshme për të ndërtuar Kullën e Babilonit. Kullën
virtuale të Babilonit. Kullën e çmendun të marrëzisë njerëzore!
Itali -fillim viti 2018
Etichette:
biznes,
edmond kaceli,
esse,
faliment,
kha e marrinave,
kohe marrezish,
kulla e babilonit,
mik,
poete lezhjane,
poete shqiptare bashkekohore,
shitore,
shpikje
Iscriviti a:
Post (Atom)


