Më besoni!- ka disa ditë që po mundohem ta ndaj atë dreq kungulleshe në dy pjesë jo të barabarta. Në çdo mundim timin, të shkuar kot, rezultati është i njëjtë.
Dy kunguj gjysma, dy gjysmakunguj, të barabartë. Të barabartë në mënyrën më perfekte.
Kanë vetëm nja dy tre ndryshime të vockëla e të parëndësishme.
Njëri është ngjyrë rozë, me nuanca që tentojnë nga boja e verdhë. (Rozë i zverdhëcitun)
Tjetri është ngjyrë blu, me tendenca që tentojnë nga ngjyra rozë. (Blu i dalë boje)
I pari, rri përherë Verdhacuk në fytyrë,- Kungull i Fytyrës së Vrerosur –sipas Servantes
I dyti, rri përherë i Qeshur në fytyrën e rrumbullt, – Kungull që Qesh- sipas Hygo
Ndryshimi i paktë. Thelbi po ai : Kunguj të baraz ndarë nga e njëjta kungulleshë!
Për hir të këtyre ndryshimeve të parëndësishme, në tregun e kungujve janë hedhur me të njëjtin çmim.
E duke pasë parasysh raportin kërkesë –ofertë, mijëra njerëz të ngjashëm me njëri -tjetrin, më shumë se ç’ngjajnë dy kungujt tanë, kanë dalë në tregun e perimeve për të blerë secili kungullin e vet. Thërrasin. Bërtasin. Çirren.
Thonë: Ky është imi! Me këtë fitohet! Ky fitoi! Tjetri vodhi! Hajdut! Vrasës! Kriminel! Kungulli im fiton! Fiton Kungulli im! Ngatërrova arkën! Ngatërrova kungullin! Numëro! Mos numëro se ta numëroj!
Aq shumë janë marrëzuar njerëzit –blerës, sa janë të gatshëm ta njësojnë veten me kungujt dhe të thërrasin e bërtasin, për dy kungujt e hedhur në treg duke i quajtur parakohe, Kryekunguj!
Në këtë tollovi, dreqi e merr vesh cili është më kungull se tjetri nga dy gjysmat e Kungulleshës. Cili është kryekungulli i vërtetë!
Dhe njerëzit –blerës –tifozë, janë gati të thërrasin për të ndarë Kungulleshën, kunguj a kryekunguj të tjerë.
Dikush nga Republika jonë e Kungujve bërtet që të vijnë disa ekspertë –kunguj (mos o Zot!) nga bota e qytetëruar. Këta ekspertë të thekur, prej mënyrës që përdorin, nuk janë as kunguj për mish, as kunguj për lesh.
Në këtë pikë hyjnë në lojë edhe disa Kryekunguj të tjerë, diç më të mëdhenj në peshë e në format!
Burime të mosvaruna thonë se njëri është Kryetari i Koalicionit të Kungujve, armik i përbetuar i koalicionit të dreqtuar nga Kungulli i Fytyrës së Vrerosur.
Në rangun e kungujve është edhe një tjetër Krykungull. Kryekungull i të gjithë kungujve dhe Kryekungujve, bij të Kungulleshës. Njëfarësoj Kryekungulli Suprem!
Burimet rreken të vërtetojnë se Kryekungullin Suprem nuk e pyet kush as’ sa për një kungull normal.
Ja pse kam mbetë dhe rikthehem prapë tek loja e Kungulleshës: Kam një Kungulleshë, e ndaj në dy pjesë... sa herë e peshoj, më dalin njësoj.
Të gjitha ato që shkrova ishin thjeshtë sa për të mbushur rreshtat se unë e di mirë shprehjen: Me zjarrin dhe me bijtë e Kungulleshës (Kungujt –pavarësisht nga madhësia dhe ngjyra) nuk luhet!
Dhe unë nuk luaj: Kam një Kungulleshë...
nga E. Kaceli
Mire ben , qe nuk luan , pasi aty ku nuk din rregullat e lojes apo me keq akoma , ku nuk ka rregulla fare ,me mire te mos luash sepse nuk je vetem i humbur ....
RispondiEliminasa pak shkruajne si ty . na ishte dikur vetem Noli
RispondiElimina