Lexues

sabato, aprile 23, 2011

Botë virtuale nga Daniel Gàzulli

- Ese -

Marr përditë mesazhe nga vende të ndryshme të Europës, nga Amerika e deri nga
Australia. Mesazhe plot, fjalë, fjalë, fjalë, po kur nuk u shoh sytë, edhe fjalët më vinë të
shurdhëta.

Dal në shëtitje rrugëve të Lezhës, po veshtirë të gjej dike me pi një kafe e me
shkëmbye dy fjalë. Shumica e miqëve të vjetër janë përnda nëpër botë. Dikush ka pothuej
njëzet vjet që asht largue: ka shkue burrë i fortë e i bukur e tash asht mplakë. Shumë prej
tyne, mbasi kanë punue për vite në mërgim, më shkruejnë se janë në pension: dikush ka
pësue infarkt, dikush një sëmundje tjetër. Nuk besoj se u ka ardhë e keqja nga puna e
randë, po nga shpirti i plasun.

Disa të tjerë ikën ma vonë tek fëmijtë, shpirtplasun këtu, në Atdhe, shpirtplasun
atje, në dhé të huej. Mesazhet e tyne janë ma të ngrysuna. Pa punë, pa pension, barrë
për fëmijtë mundqarë, prindë të heshtun e të piklluem, si gjithë prindtë që u randën
fëmijëve.

Këta shkruejnë ma rrallë, shumë rrallë. Këtyne po, ma mirë që nuk ua shoh sytë:
kushedi ç’perde e randë do t’ua ketë zanë vështrimin.
Komunikojmë. Asht koha e internetit, një botë virtuale.

Po sytë më mungojnë. Vështrimet. Vetëm fjalë, fjalë, fjalë …

Shkruejnë. Ndonjeni ban edhe pyetje. Kur më bajnë pyetje, gjendem ngusht. Unë
e di ç’përgjigje presin ata. Po nuk kam si t’ua ushqej më kot iluzionet. Ata andërrojnë
Atdheun të lulëzuem. E unë, si t’u them? Edhe pse nuk ua shoh sytë, jo, nuk mundem me
i rrejtë.

Ma mirë ata që nuk pyesin. Tashti besoj e morët vesht edhe ju të tjerët: Ju lutem,
mos pyesni, më bani të ndjehem ngusht.

Nga Norvegjia më thonë se asht ftohtë. E di. Kam ba pak gjeografi. Më thonë se
asht ftohtë, sepse nuk duen të më thonë shumëçka tjetër. As pse ka pësue infarkt. As pse
ka dit që nuk e shikon të vetmin bashkatdhetar që e ka në të njejtin qytet. Asht ftohtë, më
shkruen. Si t’mos e besoj?

Nga Australia më shkruejnë se edhe atje shqiptarët zihen mes veti, nuk kanë punë
me vendasit. Mes vetit: sherr i madh.

Nga Italia, një mik i vjetër, që ka qenë disa vjet në Burgun e Burrelit, më jap
këshilla se si mund të ndërtohet shteti i së drejtës dhe ankohet se nuk ban dot operacion
prostatet: kushton shumë shtrejt. E pyes diçka për Berluskonin. Nuk më kthen përgjigje.
Tri herë e kam pyetë, po nuk më asht përgjegjë, më shkruen vetëm se çfarë duhet të
bajmë që të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Ç’hyn Berluskoni këtu?!

Një mik tjetër, prej shumë kohe në Amerikë, më këshillon t’i bind shqiptarët se asht
ma mirë të mesojsh tjetrin si zihet peshk, se sa t’i falish një peshk. E ka ba kaq për vete
kjo thanje e urtë, sa më kanë folë edhe shumë të tjerë se kambëngulë edhe me ata t’i
bindin shqiptarët të veprojnë në këte mënyrë: kështu ban Amerikani.
E pyeta një herë për luftën në Irak. A do të ketë fund një ditë. Nuk më ktheu
përgjigje.

Një mjeke në Francë asht e zemrueme me ata që shkruejnë keq për Shqipninë në
frëngjisht. E pyes: Shkruejnë ma keq se sa na për vete? Jo jo, më thotë, deri aty jo.

Komunikojmë.
Po fjala vjen e shurdhë pa vështrim.
Më ka marrë malli t’i shoh miqtë në sy.