-Tregim nga E. Kaceli
Lajmi më interesant i vitit u dha. TV-ja lokale, Tv-të qendrore dhe të gjitha gazetat lokale e qendrore me korrespondentë në Qytetin e Ftohtë, e publikuan lajmin me shumë zhurmë e nota interesante. Interesante deri në tragjike. Një dukuri jo e zakontë. Një lajm –ngjarje që asnjë prej Qyteteve të Ftohta nuk e ka provuar ndonjëherë. Dukuria thuhej se, prej vitesh që nuk mbaheshin mend, ishte tipike për dy ose tre qytete të Brezit të Ngrohtë. Një zemër është çmendur.
Po. E vërtetë. Një zemër është çmendur.
Në fillim gazetarët dhe njerëzit e zakonshëm plasën në diskutimin mëdyshas se kujt seks i përkiste Zemra. Diskutimin e mbylli vetëm Fotografi i Pasionuar pas Fotove Artistike. Zemra e fotografuar fshehtas i përkiste një gruaje rreth dyzet vjeçe. Kuptohet të panjohur. Përballë faktit se zemra i përkiste një gruaje dhe jo një burri nuk iu nënshtrua kurrsesi gazetari i vetëm i të vetmes Gazetë të Pavarur Lokale. Ai nuk pranoi të merrte në shqyrtim fotot i bindur në idenë e tij. Më kot u mundua Piktori më i Madh i Qytetit të Ftohtë që në ato ditë kishte arritur të hapte një ekspozitë personale në Kryeqytet. (Gazetat politike dhe të pavaruara të kryeqytetit e vlerësuan menjëherë si “magjistar të njohjes së ngjyrave). Më kot.
Për të mos tretur në harresën e rrëmujshme të fakteve dhe kundërshtive po tregojmë, shkurt, ngjarjen, me stërmundimin e përfshirjes së të gjitha versioneve. Për hir të së vërtetës!
Në mëngjezin e ditës së hënë të muajit dhjetor (muaji më i akullt i Qytetit të Ftohtë) një zemër femre ishte çmendur. Çmendur përfundimisht. Çmendur në mënyrë të pakthyeshme. Banorët e Ftohtësirës, të shquar për indiferencën ndaj ngjarjeve, dhe jo pse çmendja e Zemrës përkonte me festën e Krishtlindjeve, nuk i vunë aspak rëndësi ngjarjes.
Nëpërkëmbur prej indiferencës së njerëzve dhe të ftohtit, Zemra e Çmendur shëtiste pa ia varur askujt. Ndezur flakë, çante nëpër rrugë. Vetmuar. Shkonte e vinte sa në njërën rrugë në tjetrën; sa në njërin trotuar në tjetrin; sa nga rruga në trotuar, e prapë në rrugë; sa nga njëri lokal në tjetrin; duke lëvizur gjithashtu nëpër lulishten e vetmuar dhe të vetme të Qytetit të Ftohtë, ku çifte njerëzish i bënin lajka njëri –tjetrit, si një dhuratëz simbolike apo kartolinë.
Diçka bërbëliste me vete Zemra e Çmendur. Diç të papërcaktuar mirë. Një gjësend të pakjartë. Veç bërbëliste. E pikëla të zbehta gjaku, në kontrast me ngjyrën e kuqe flakë, pikëzoheshin në intervale të shrregullta mbi vendin ku kalonte.
Për habi të ndonjë kalimtari, sapak kurioz, piklat e gjakut shëndrroheshin në një masë të vogël gërryese, që gërryenin si me tyrielë vendin mbi të cilin pikoheshin.
Papritur Zemra e Çmendur ndali. Ngriti kryet. Pikëlat e gjakut pushuan së pikuari. Para Zemrës një djalë rreth të tridhjetave. Aspak simpatik. Pa asnjë shprehje të veçantë në fytyrë. Ia nguli sytë Zemrës së Çmendur. Me një vështrim therës. Therës deri në dhimbje. Zemra u drodh, por nuk e dha veten. Qëndroi përballë Djaloshit më e ngrirë se të gjitha statujat greke të antikitetit. U kundruan në heshtje për rreth pesë minuta. Pesë minuta që filluan t’iu bënin njëfarësoj përshtypjeje të dyshimtë kalimtarëve të Ftohtë.
Djaloshi u drodh. Por nuk e dha veten. Përse duhej dhënë vetja? Djaloshi u drodh përsëri. Po tradhëtohej në brendësi. Po çahej nga brenda me një të krisur pa zhurmë. Po çahej. I detyruar prej rrethanave të mbrapshta, në heshtje, po çahej duke përjetuar dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një qenie njerëzore. Një qenie njerëzore e ndeshur befasisht në rrugën e një Qyteti të Ftohtë, me Njerëz të Ftohtë, me një Zemër të Çmendur, që deri në ato momente pikonte gjak.
Ndoshta (kush mund të thoshte) ndoshta edhe Zemra e Përgjakur po jetonte të njëjtin ankth. Ankthin e agonisë që sjell krisja. Se tashmë Zemra e çmendur e kishte ndalur gjakun dhe qe shëndrruar në një enë. Në një Enë të Kristaltë në formën e zemrës. Në një enë të mbushur me njësoj lëngu që i ngjante aq shumë gjakut të pastër të një femre të dashuruar. Të dashuruar deri në çmendje. Krisja fillonte heshtas, që në flluskat e vockëla të ajrit prej të cilave thonë se përbëhet gjaku i njeriut të dashuruar.
Të dy dashnorët, Djaloshi dhe Zemra e Çmendur, përballë njëri –tjetrit, përjetuan, për ato pesë minuta, krizën më të ankthshme të Qytetit të ftohtë. Të dy dashnorët u drodhën.
Zemra vuri re se Djaloshi po shëndrrohej në një enë të kristaltë në formën e një njeriu. Absurde. Djaloshi shihte se Zemra nuk qe gjë tjetër veçse një Enë e Kristaltë në formën e Zemrës!
… pas atyre pesë minutave fatale, secili vazhdonte rrugën në drejtim të kundërt. Të ftohtë, krejt të ftohtë ndaj asaj që do të shkruanin gazetat nesër…