Lexues

domenica, gennaio 23, 2011

ARMIKU IM –Thirrje e panevojshme për luftë

Pamflet nga E. Kaceli

Kjo thirrje është dhe nuk është një ironi.
Ironi se ndër tiparet më madhështore tonat, si shqiptarë, është lufta.
Jo lufta ndaj armikut (armiqve). Armiqtë kohët e fundit kanë harruar se nà ekzistojmë si nacion.  Por lufta ndaj njëri –tjetrit. Lufta ndaj vetvetes. Një luftë e dhunshme që nuk kursen asgjë.

Nuk është ironi. Nuk është as lojë luftash që luajnë fëmijët e fisit a lagjes.
Është një luftë ku jemi përfshi të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Mblidhemi në salla e shajmë, shtyhemi, pështyjmë, godasim, fëlliqim, vrasim njëri –tjetrin. Armiq të denjë të vetvetes!

Ulemi të hamë bukë, e bëjmë të njëjtën gjë.
Shkojmë të flejmë, e bëjmë të njëjtën gjë.
Dalim në rrugë të madhe e bëjmë të njëjtën gjë në përmasa më madhore!

Le të dalim të gjithë në shesh pasnesër! Është shumë larg!
Le të dalim të gjithë në shesh nesër. Është shumë larg!
Le të dalim në shesh sot. Prapë është shumë, shumë larg!

Mos vazhdoni më tej leximin e këtij shkrimi. Le të dalim në këtë minutë në shesh.
Me të gjitha llojet a armëve që disponojmë. Se ka dashtë perëndia ( a dreqi vetë) boll të armatosur jemi, si popull trim luftarak.  Pse jo me difekte të theksuara mendore!
Kush nuk ka armë në dorë, mjafton të ketë të armatosun trurin! Se me thonj ia marrim shpirtin njëri –tjetrit, po të jetë nevoja!

E nëse nuk ju mjafton arsenali i armëve përdorni gjuhën! Gjuhën e bukur shqipe. Veçanërisht të bukur në koleksionin e pazëvendësueshëm të sharjeve, mallkimeve, fyerjeve. Jeni të lutun të mos harroni asnjërin nga dialektet, e sidomos gjuhën letrare të Kongresit të Dreqt Shkrimit!

Le të dalim në shesh! Le të dalim në Luftë. Le të fillojmë Luftën!

Ti je armiku im sepse je unë!
Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, ne duhet të dalim në duel, me të gjitha armët e mundëshme,  ti biem njëri -tjetrin. (Në daç në kuptimin figurativ, në daç në kuptimin fiziko –moral)
Kështu, sepse unë jam armiku yt, se jam ti! Unë jam më i mirë se ti. Unë jam ti.
Keshtu, sepse ti je armiku im, se je unë. Ti je më i keq se unë. Ti je unë!
(Rrotulloje dhe sille nga të duash)

Të dalim e të bëjmë luftë!
Vetëm me luftë, dhe vetëm me luftë, vendin ku jetojmë do ta bëjmë përditë e më të mjerë... ku... ku...lleshëm!