Lexues

giovedì, settembre 06, 2007

Miqve të mij nëpër botë

Shpërndarë nëpër katërqind anët e Botës
Në rrugët pa fillim, në rrugët pa krye, në rrugët pafund
Mbërthyer ne kurthin modern, në burgun modern të kohës moderne
Shpërndarë si pikat e ujit në shkretinën teknologjike
Duke ikur nga vetvetja, prej njëri -tjetrit ikëm…

Ikëm. Ikëm. Ikëm.

Ikëm. Në Mbretërinë e Moskthimit -thesaret e tretur gjetëm.
Ikëm. Në Mbretërinë e Harrimit -thesaret e gjetur tretëm.
-kurrë më për ti gjetur…

Ikëm. U shpërndamë
Pika uji për të njomë shkretinat e botës
mundim i marrë. Mundim absurd.

Në mes të rrugës pa krye, pa fund
Në mes të rrugës pa mes u ndalëm
Pamë njëri –tjetrin ndër sy: U puthëm. U deshtëm. U shamë. U çmallëm.
U ndamë prapë – në dyert e burgut modern të Botës zumë radhën.

… Të bindur në fatin e pafat, Sizifë të trishtimit
u larguam, u shpërndamë, u tretëm në katërqind rrugët e Botës
në katërqind rrugët pa krye, pa fund të Botës
në rrugët pa kthim të harrimit.

1 commento: