Pamflet
RROTA E ARTE DHE PRESIDENTI SHQIPTAR
Nga Edmond Kaçeli
A e dini se ndër shpikjet më të mëdha shpikja e Rrotës ka qenë ajo që e ka çuar njerëzimin përpara? Në sajë të Rrotës, dhe vetëm në sajë të Rrotës, njerëzimi është zhvilluar nga prehistoria deri në ditët e sotme. Nëse nuk e dini mbani vesh: Rrota është shpikja më e madhe. Rrota është shpikja e artë e njeriut. Rrota është fillimi dhe mbarimi i shkencës njerëzore. Rrota është filozofia e jetës në planetin tonë. Rrota është rrotë.
Ai që e shpiku nuk mbahet mend, ndërsa Rrota jeton dhe do të jetojë ndër jetë të jetëve duke vazhduar misionin e vënies në lëvizje të njerëzimit dhe të historisë së brezave.
Sa gjëra janë bërë me Rrotën! Kush nuk e ka përdorur të paktën njëherë në jetën e tij Rrotën? Apo ndonjë mekanizëm që i përngjason rrotës! Kush prej nesh nuk është ndjerë pjesë e mekanizmave shumërrotësh që na rrethojnë në jetën e përditshme.
Prej mëngjezit nën zgjimin e orës, (edhe orët elektronike kanë ndonjë mekanizëm që i përngjason rrotës), përgjatë gjithë ditës, e deri sa shkojmë në darkë të hamë, (edhe tenxheret e gjellës i ngjajnë rrotës), na shoqëron Rrota. Biles Rrota na shoqëron edhe kur shkojmë të flejmë gjumë për tu zgjuar sërish nën efektin dhe presionin e Rrotës së ditëve që sillen sipas Parimit Universal të Rrotës.
Banorët e vendit të shqiponjave, si popull me zgjuarësi natyrale, ishin nga të parët banorë të rruzullit që e përdorën Rrotën. Burimet etruske, pellazgjike, e më vonë ilire e vërtetojnë përdorimin e Rrotës dhe të efekteve të sajë. Banorët e vendit të shqiponjave vazhdojnë ta përdorin me shumë sukses edhe në ditët e sotme Rrotën dhe gjithë efektet e sajë pozitive. Në jetën e tyre të përditshme, si shumë popuj të tjerë të Globit, shqiptarët e ndjejnë Rrotën deri në thellësi të shpirtit bujar. Në jetën e përditshme Rrota e Artë (këtu e në vazhdim po e vlerësojmë shpikjen më të madhe njerëzore) ka zënë dhe do të zërë një vend parësor.
Pa Rrotën shqiptarët nuk arrijnë të bëjnë asgjë. Nuk arrijnë të flejnë me njëri –tjetrin. Nuk arrijnë të çohen në mëngjëz. Nuk arrijnë të shkojnë në punë… nuk … nuk…
E nuku më i madh i shqiptarëve është se pa Rrotën nuk bëjnë dot as politikë.
Lidhja e rrotës me politikën? Krejt e thjeshtë:
Në jetën e një vendi të vogël, apo edhe të madh. qeverisja e vendit i ngjan një mekanizmi shumërrotësh, të ndërtuar nga mekanizma të tjera shumërrotësh por në shkallë më të vogël. Më thjeshtë akoma. Fillohet me partitë politike që kanë në krye një kryetar apo një president. Të paktën mbi pesëdhjetë mekanizma të tilla politikë.
Vazhdojmë me qeverinë dhe qeveritarët. Ecim më tej: parlamenti, kryetari, krejt pushteti legjislativ pushteti gjyësor… Dhe kryemekanizmi i të gjithë mekanizmave shumërrotësh të qeverisjes: Presidenti.
Aq shumë e duan shqiptarët këtë kryemekanizëm (larg qoftë nëse e thërrasim me emrin Kryerrotë) sa të gjithë u turrën të zënë vend në karrigen e këtij Kryemekanizmi. Kush nuk është në gjendje të turret mbështet nga pas (shqipja është gjuhë e ngatërruar në kësisoj shprehjesh) të parin kandidat që i bie ndërmend.
E bijtë e shqiponjës duke harruar prejardhjen e tyre shqiponjore harrojnë hallet e përditshme dhe kthehen në adhurues të se parës Rrotë që iu del në rrugë. Janë gati të ndeshen, të vriten, të përleshen, vetëm e vetëm se kundërshtari i tyre adhuron një tip tjetër rrote. Zot na ruaj, në ethet e përgjithshme të luftës për Rrotën e Artë, harrojnë se të gjitha rrotat janë njëlloj të rëndësishme. I mençur, nuk mund të them fatlum, ishte dhe mbetet ai që e shpiku i pari, të tjerëve vetëm iu duhet ta vënë në përdorim ose ta adhurojnë Rrotën. Rrotën e Artë.
Itali qershor- korrik 2007
Nessun commento:
Posta un commento