Lexues

lunedì, aprile 22, 2013

Vetminë mos ma merrni! nga E. Kaceli

Pash njëmijë zotat e kësaj Bote
                                                  dhe të Botës tjetër!
Pashë një mijë dreqnit e kësaj Bote
                                                        dhe të Botës tjetër!

Pashë gjithë zotat e të gjitha botëve!
Pashë gjithë dreqnit e të gjitha botëve!
Ju lutem
              Ju përgjërohem:
(Me shpirt ndër dhëmbë)
Mos ma merrni Vetminë!
Mos ma përdhunoni Vetminë!
Mos ma vrisni Vetminë!

Pashë Zotin që dua ti besoj
Pashë Dreqin që dua ti besoj
Ma lëshoni vetminë!
Mos ma mbani peng vetminë
Se më duhet
më duhet kur mendoj!

Albaretto Torre, It, prill 2013

martedì, aprile 02, 2013

Autobiografi duartokitësi

-Shpesh më duket se ecim krejt si ky kërmill i vogël, nëpër shkretinën e një rruge pa krye...

1966

Bob Sagren kërceu me shkop.
Theu rekordin e mëparshëm botëror.
Në duart e ashpra të babës përpëlitesha...

1986
Sergei Bubka kërceu me shkop.
Theu rekord botëror.
(Rekord'i i mëparshëm theu shkopin e vet)

199...
20...
Rekorde dhe shkopinj të tjerë thyhen.
Unë duartrokas.
Pandërprerje duartrokasim.

E. Kaceli

martedì, marzo 19, 2013

Kënaqësi absolute

Këtë e di. Edhe tjetrën s'ka nevojë,
e di. Di shumë. Aq shumë. Tjetër?
E di, e di, e di...

O ç'kënaqësi është të jesh idiot!

E. Kaceli nga libri "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë..."
Lezhë, 1998

domenica, febbraio 24, 2013

Ngutshëm ikin vitet... nga E. Kaceli

Vitet ikin. Ikin duke na lënë pas shijen e miqësive, të dashurive, të çasteve të bukura, të çasteve të trishtuara, të zhgënjimeve...
Vitet vijnë. Vijnë të na dhurojne miqësi dhe dashuri, forcojnë dashuritë e miqësitë e vjetra, krijojnë e dhurojnë miqësi e dashuri të reja. Vitet vijnë, duke na dhuruar çaste të bukura, çaste të dhimbshme, çaste të trishtuara. Vitet shkojnë e vijnë... Kjo është jeta ku bilanci i viteve që shkojnë mbetet i pandryshuar me bilancin e viteve që vijnë...

Ngutshëm, përherë në ikje,
ngutshëm ikin vitet
                                në rrugën e shkretinës
Të mbyllun me drynin e rëndë,
me drynin e ndryshkur të kohës
qëndrojmë si në Hiç
na shtyp peshë e rëndë e Hiçit
gati na mbyt...

Asgjë nuk është si dje
Asgjë nuk është si sot
Asgjë nuk është si nesër...

Avuj të ndyrë feste ndotin gjithçka
Edhe lirinë
Lirinë
          që,
                 marrëzisht,
                                    thonë: Ekziston...!

lunedì, febbraio 11, 2013

Asnjëherë nuk kam dashur...

Në kujtime jam ulur këmbëkryq
në shpirt -veshur kostum’ i vjetër
i gjenezës mëkatare
i qepur me penj të ashpër e të fortë
i qepur keq
nergut për shpirt rebel
shpirt -dreqi im
i pangimë asnjëherë dashurie…

Trupi drithërohet
shpirti drithërohet
në enigma kujtimesh:
Kam dashur
a s’kam dashur ndonjëherë?!…

giovedì, gennaio 03, 2013

Erdhën mushkonjat

nga E. Kaceli

Erdhën dallëndyshet.
Sipas një ligji të vjetër poetik
pranvera nuk pranon lajmëtar tjetër.
Po nuk erdhën dallëndyshet, logjikisht,
as pranvera nuk mund të vijë.
Ndërkohë
                  pranvera ka ardhë para kohe.

Pranvera ka gabuar përsëri...

Erdhi pranvera.
Sipas një ligji të vjetër natyral.

Erdhën...
Sipas një ligji të ri poetik:
Po nuk erdhën dallëndyshet, logjikisht,
mund të vijnë, p.sh. mushkonjta.

Erdhën mushkonjat.
Në ardhjen e tyre ndjejmë pranverën...