Lexues

domenica, aprile 10, 2016

Duke pritë vdekjen... nga E. Kaceli


Prite të dielën
Nuk vjen. - të dielën është pushim
Vdekja të dielën nuk vjen.

Prite të hënën
E hëna është dita e parë e javës
e javës së mundimeve
                                  dhe stërmundimeve njerëzore
fillimi. -dhe Vdekja nuk vjen.
Vdekja nuk vjen të hënën
të hënë nis një shpresë
Dhe Vdekja prapë nuk vjen.

Prite të martën.
Prite. Ndoshta je me fat!
Fati ynë është Vdekja.
Vdekja -fati ynë i pralajmëruar!
As të martën nuk vjen
e marta është ditë, përgjithësisht e shenjtë.

Prite të mërkurën.
E mërkura është gri.
Vdekja ka ngjyrën e sajë. Vdekja nuk është gri!
Të mërkurën Vdekja të dërgon mesazh:
Rri i qetë! Të mërkurën nuk vij!

Të enjten. Do të vijë të enjten! Është ditë e zakonshme.
Vjen dhe të pret mundimin në mes. Dhe qeshjen!
Se ndodh qe njeriu qesh ne ditët e mundimeve!
Të enjten vjen Vdekja! Gëzohesh!
-Krejt kot. Krejt i marrë!
                                        -Harrove!
Vdekja as të enjten nuk mundet me ardhë!

Të premten. Vjen të premten. Ardhtë e bardhë!
E premtja është e zezë!
                                     -dhe vihemi në radhë...
Të presim Vdekjen
Të premten... E premtja është e zezë.
Vdekja është e zezë, (mashtruesja)
nuk vjen as të premten, në ditën që ka radhë!

Gdhihemi të shtunën. Të trembur. Erdhi fundi!
Kemi frigë. Vdekja do të vijë. Nuk ka shpëtim.
Nuk ka asnjë rrugëdalje. E presim.
E presim siç e pritëm të hënën, të martën, të mërkurën
të enjten, të premten... e presim të shtunën
Nuk vjen as të shtunën! E Pabesa!
Mortja e hëngërt Vdekjen!
E mallkojmë që nuk erdhi! E falim prapë:
Mbase të dielën... Përse të dielën...
Mbase të hënën, të martën, të mërkurën, të enjten,
të premten, të shtunën...

Kur vjen Vdekja. Kur vjen?
Kur vjen kjo e e hidhur! Kur vjen kjo e çmendur?
Kur vjen kjo e marrë!
Harron gjithëherë të vijë kur e presim
dhe vjen pa na dërguar fjalë...

Edmond Kaceli

Itali, prill 2016

martedì, marzo 01, 2016

Borë nga E. Kaceli

Bie borë në rrugën e shkretë
bie borë. Bie borë e lehtë,
                                         e ftohtë akull
e bardhë.
Bie borë e zbardhun prej rrugës së gjatë
Bie qetësi e bardhë...

Makina tek -tuk ndihen, dhe njerëz hiç
askush nuk shijon marrëzisht borën
Vetëm një qen i bardhë, hidhet mbi borën e ftohtë
Një qen i bardhë si bora
gjuan flokët e borës dhe qeshën
Qeshën, siç mund të qeshë një qen i marrë
një qen i çmendur prej borës së bardhë...

Qeshi dhe unë me krahasimin absurd
me trishtimin tim abdsurd,
                                          të marrë,
                                                        të çmendur
të rrallë.
Vetja më duket krejt si qen
si ai, qen' i marrë që qeshën me vete
duke rendë me vrap pas flokëve të ftohtë,
pas flokëve tmerrësisht të bardhë
të borës që mbulon gjithçka ngadalë,
                                                           fort ngadalë.

Bie borë...  E fohtë...E bardhë...
Tinëz afron nata...
Nata më e ftohtë se bora
natë aspak e bardhë...

Makinat kalojnë rrallë e më rrallë
Iku, u fsheh prej natës, dhe qen' i marrë...

Bie borë.
Bie borë e ftohtë
Bie borë e bardhë...

Është natë, eshtë natë, është natë
është natë pafundësisht e zezë
është natë pafundësisht e ftohtë.
Është natë deri sa drita të zbardhë...

fillim marsi 2016

martedì, gennaio 26, 2016

Politikani korrekt nga Edmond Kaceli

Në vend të një pamfleti:

Pasioni im për fotografitë macro dhe për ato çka e si mund  të interpretosh një foto është i madh. Kështu kjo fotografia e mëposhtme mund të titullohet ndryshe edhe "Politikani korrekt" (në shqipen e politikanëve shqiptarë mund të thuhet edhe "Politically correct).
Krejt e thjeshtë apo jo! Nuk ju ngjan me një plotikan të fryrë për bukuri nga ushqimi në degëzën ku u kacavjerr pasi doli nga faza e vezës dhe u bë larvë (troç krimb). I veshur me kostumin shumëngjyrësh të firmosur "United Color of...".



Eshtë politikan se ndryshon nga vezë në krimb, për tu bërë flutur, e për të rifilluar prapë ciklin si në krejt historinë politike shqiptare të këtyre viteve. Në të trija fazat, ajo e krimbit është më e bukura për ciklin e tij: Han, han, han dhe prapë han. Han në atë mënyrë sa fryhet tej mase, dhe me zor lëviz prej grykësisë dhe ushqimit të tepruar...!
Këtu fillon edhe "korrekt" -ësia e tij. Ushqimi, babëzia, grykësia, apo çfarëdo emri që ti vini është korrekte për politikanin tonë se vetëm kështu ai mund të plotësojë nevojën për riciklimin e tij jetësor...


Shënim: Kush mendon se në këtë foto njeh ndonjë politikan shqiptar, një të ashtuquajtur politikan të ricikluar,  a një politikan që sheh mundësinë të riciklohet e ka krejt gabim. Gabimi bëhet më i madhe edhe nëse i vë emrin. Politikani bën politikë ndërsa krimbi im ushqehet!