Kemi mbetë tek Ura e Varun e Nucit
Nuci i Manatisë është një nga personazhet ma tipikë të qytetit të Lezhës. Sa herë që shkoj në qytetin tim pyes per Nucin dhe parashikimet e tij fantastike. Parashikime apo thanie që kanë hyrë në thaniet historike të lezhjanëve. Këta të fundit shihnin në Nucin, dhe në marrinë e tij brilante, tiparin më të fortë të karakterit lezhjan: Satirën e ftohtë.
Unë po e risjell këtë fakt historik, të botuar në gazetën “Koha jonë” të datës 14 janar 2001.
Po e risjell, në origjinal, duke pasë parasysh se historia vazhdon me u përsëritë në të njëtën mënyrë groteske. Dhe me dyshimin e madh, personal, se kemi mbetë prapë, e prapë, tek Ura e Varun e Nucit. Tek ura me 13 korsi!
Për të qeshur dhe për të qarë nga Lezha
Urë e varur për kalimin e detit!
Lezhë- Ndërsa partia socialiste është e mbërthyer në krizën e brendëshme, dhe opozita me në krye partinë demokratike, është në krizë të jashtme, lezhjanët kanë filluar të mendojnë seriozisht për të nxjerrë popullin shqiptar nga kriza. Zgjidhja origjinale është dhënë nga i shumënjohuri Nuci i Manatisë. (Për informim: Nuci është themeluesi i partisë kombëtare "Gjendja ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri e Diasporë!". Partia e Nucit deri tani përbëhet nga fraksioni i Berberëve të qytetit, nga fraksioni i të Papunëve të prefekturës, nga fraksioni i Politikanëve dhe pijanecëve lokalë, nga fraksioni i Korrespondentëve lokalë të mediave Kombëtare dhe Ndërkombëtare, dhe nga disa fraksione të tjera që akoma nuk janë identifikuar mirë si të tilla.)
Sipas kryetarit Nuc, partia Gjendja Ekonomike është e angazhuar seriozisht për nxjerrjen e vendit nga kriza në këtë fillim viti. Partia po mbledh fonde dhe po kërkon burime finacimi nga të huajt që e quajnë veten shqiptarë, dhe nga shqiptarët që e quajnë veten të huaj, për ndërtimin e një ure të varur që do të lidhë Shqipërinë me bregdetin italian!
Sipas inxhinierëve projektues brenda dhe afër partisë, SuperUra do të ketë njërën këmbë në Shëngjin dhe tjetrën në Bari. Ndërkohë që hyrja do të bëhet nga Puka ku do të lidhen kavot siguruese.
Vetë kryetari Nuc ka deklaruar se "Ura e varur do të jetë me 13 korsi". Kur u pyet nga fraksionistët e korrespondetëve lokalë të mediave Kombëtare dhe Ndërkombëtare se për ç'arsye SuperUra do të jetë pikërisht me 13 korsi, kryetari Nuc sqaroi se “12 korsi do të shërbejnë për shqiptarët që dëshirojnë të ikin nga Shqipëria. Ndërkohë që korsia e 13-të do të jetë në dispozicion të atyre që dëshirojnë të kthehen, aksidentalisht, në Shqipëri!
Vetëm kështu mund të zgjidhet kriza, nëse problemi i SuperUrës së varur merret seriozisht!
E. Kaçeli
Nessun commento:
Posta un commento