Edmond Kaceli
Tregim
Bora filloi të mbulonte ngadalë rrugët e asfaltuara, çatitë e shtëpive, makinat luksoze, pemët dhe plantacionet e pafundme të lajthive. I Vetmuari i Madh, kështu e quanin “albanezin” tridhjetë e shtatë vjeçar, banorët e lokalitetit Tre Cunei, në Langhe, Piemonte, filloi të ecte me hapa të ngadaltë në rrugën kryesore. Dëshira e tij për të shijuar vetminë…, bardhësinë e virgjër të borës, ishte një dëshirë e kahershme e mbetur qysh prej fëmijërisë në fshatin e tij të largët dhe të fohtë atje në veri të Shqipërisë.
Një dëshirë e marrë e kishte mbërthyer dhe atë mëngjez të ftohtë dhjetori në Piemonte. Bardhësia ishte e njëjtë. Gjithçka ngjante me fshatin e tij. Vetëm se në fshatin e lënë pas mungonin rrugët e asfaltuara mirë, shtëpitë luksoze dhe komode, makinat, energjia elektrike, njerëzit e përgjumur… të tjerat njëlloj dukeshin. Qeshi. “Jorgani i Borës fsheh të gjitha ndryshimet!”
Vijoi të ecte përmidis rrugës kryesore. Mbi bardhësinë e borës piemonteze vetëm gjurmët e shqiptarit që kishte lënë borën e vendlindjes së tij të largët… Krejt i qetë dhe i zhytur në melankolinë dhe mallin e kujtimeve që të jep bardhësia e borës. Heshtje. “Heshtje e bardhë!” –mendoi tek hapat e tij humbnin në qetësinë e mëngjezit…
…Në shtëpinë e ngrohtë u kthye rreth orës nëntë. I pangopur zuri vend afër dritares. Borë dhe bardhësi e pafundme. Mendimet kushedi ku ndodheshin kur nëpër rrugë u duk njeriu i parë të mbinte nga shtëpitë e përgjumura. Me një lopatë të gjërë plastike në dorë filloi të pastronte borën përpara hyrjes në shtëpinë e tij. Zhurma e lopatës kur takonte me shtresën e trotuarit filloi ti acaronte nervat.
Pak minuta më vonë dhe një tjetër me lopatë. Një tjetër … dhe një tjetër… Për gjysëm ore dukej se krejt lopatat e fshatit kishin marrë përsipër të largonin borën nga hyrjet e shtëpive, nga rrugicat, nga trotuaret. Bora e larguar, zhurma e lopatave, bisedat në dialektin piemontez për dimrin e ardhur përpara kohe, kërcitjet e hapave dhe gjurmët e lëna nëpër dëborë filluan të shpeshtoheshin. Prej së largu vuri re një dritë të verdhë që sa vinte dhe afrohej aq më shumë zhurmë bënte. Nëpër asfalt traktori i borës largonte me shpejtësi shtresën e bardhë. Pas tij dhe një traktor tjetër, një tjetër…
Bardhësia e borës filloi të zhytej. Pamja tashmë e tkurrur në grumbuj dëbore të përbaltur dukej krejt tjetër. Shqiptarit tridhjetë e shtatë vjeçar, nga Veriu i Shqipërisë së Largët, filloi ti dhimbej bora. I ngjitur pas xhamit të avulluar të dritares shihte i pafuqishëm. Shihte i pafuqishëm për të kundërshtuar, traktorët, lopatat, dhe njerëzit që lëviznin me shpejtësi. Njërzit të aftë për të shkatërruar çdo bukuri. Njerëzit që ndynin gjithçka.
Prej dhimbjes u shkreh në vaj…
Mondi vec nga titulli e klikova (hermesnews newsletter) dhe me pas pashe se kush ishte autori.
RispondiEliminaE bukur e theshte dhe njerezore deri ne palce.
Shpreha e dites per mua sot:
Ne e nisim dicka si pionere dhe perfundojme si sundues.
Nga Hungaria... Gusti
Ka raste kur tregime te tilla ...disi lakonike per,bledhin me shume se nje novele e tere.
RispondiEliminaMe pelqeu shume o Mondi e sidomos dyzmi mes autorit dhe personazhit . Flet autori dhe mendon personazhi, hedh fjale autori,por emocionohet personazhi
Ju falenderoj perzemersisht!
Elimina