Lexues

giovedì, ottobre 25, 2007

Pamflet: NJË GOMAR ARRIN TË FLUTUROJË

POZITA: Gomari fluturon.
OPOZITA: Do të protestojmë afër organizmave ndërkombëtare.

SHQIPËRI. Gomari arriti të fluturojë. Ky ishte konkluzioni i mbledhjes së përbashkët të partive, që në ditët e mbrame arritën, pas stërmundimeve të mëdhaja, të krijojnë frontin “Bashkimi nëpër karrige”.
Një një komunikatë për shtyp të Mbledhjes Historike shpjegohej si, pse dhe kush Gomar arriti të fluturojë. Madje jepej edhe ora, minuti, dhe sekondi deri në të dhjetat, e momentit fluturues të kafshës tradicionale shqiptare.
Gjithmonë sipas komunikatës, dëshmitarët e vetëm që asistuan në okazionin e madh ishin kabineti qeveritar, kryeministri, përfaqësuesit më të lartë të udhëheqjeve partiake dhe zëdhënësit e këtyre partive që mbajnë pushtetin me të gjitha forcat familjare…

Agjencitë e huaja dhe tv-të perëndimore njoftuan edhe për pjesëmarrjen e përfaqësuesit më të lartë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Për çudinë e të gjithëve i vetmi rrjet televiziv që nuk u lejua të ishte i pranishëm qe TVSH-ja, pse, një mendje të gjitha partitë, iu hoq e drejta e transmetimit me arsyetimin se mund të çorientonte opinionin publik në favor të partive që kërkojnë të hipin nëpër karrige.

Po me vendim të njëzëshëm të bashkëthemeluesve të formacionit politik “Bashkimi nëpër karrige” qenia fluturake katërkëmbëshe u shpall “Anëtar(e) nderi” e grupimit.
Fluturonjësi në fjalë, sipas zëdhënësave të “Bashkimit nëpër karrige” me miratim, pa votim, e me konsensus të plotë të të gjitha partive anëtare, kishte vendosur të fluturonte në shenjë proteste ndaj shkeljeve të të drejtave të formacionit anëtar nderi i të cilit ishte shpallur. Në mënyrë të veçantë protesta drejtohej edhe ndaj dhunës që ushtrohej mbi të si intelektuali më përfaqësues i sojit të tij.

Ndërkohë burime të shtypit të mosvarun thonë se gomari fluturoi ngase Partitë në pushtet të përfshira në frontin “Bashkimi nëpër karrige” kishin prekur rëndë të drejtat elementare të fluturuesit. Ato, duke përgënjeshtruar njoftimin e partive të opozitës të mbledhura në formacionin politik “Bashkimi për në karrige”, se në Shqipëri nuk kishte fluturuar ndonjëherë asnjë qenie katërkëmbëshe, mundoheshin gjithashtu të sqaronin edhe organizmat ndërkombëtare pranë të të cilave ishte bërë prezent rasti i paprecedent, se kurrkund nuk mund të ndodhnin gjëra të tilla të habitshme.

“Do, apo nuk do, pozita, në asnjë vend të botës nuk kishte ndodhur të fluturonin katërkëmbëshat, pavarësisht se cilës forcë politike i përkasin”- thuhej në deklaratën e opozitës.
Opozita thekson se : Edhe në rast se gomari fluturon, së pari duhet të jetë një Gomar shumë Special, dhe së dyti duhte të ketë konsensusin e opozitës. Përndryshe fluturimi nuk ka vlerë shkencore, politike, ekonomike, a lajmore.

Në vijim të kundërdeklaratave pozitare dhe reagimeve të ashpra të “Bashkimit nëpër karrige”, pozitarët njoftuan për një protestë energjitike afër organizmave ndërkombëtare, në Helsinki, Nju Jork, Bruksel, Hagë, etj. Kundër ndërhyrjeve të brendëshme të opozitës në çështjen e fluturimeve dhe rekordeve kombëtare.
Me pjesëmarrjen e shumë prej tyre dhe sidomos miqve që thuhej se po iu shtoheshin shumë nëpër botën e qytetëruar. Burime të brendëshme pëshpërisin me siguri të lartë, se po përgatitet edhe një poster me kafshën e ndritur. Në qafë të personazhit mitik është varur tabela “Bashkimi nëpër karrige” dhe diviza “Drejt Europës për një fluturim të vërtetë”.
Akoma nuk kemi arritur të marrim konfirmim zyrtar, por, ka të ngjarë se nga një kopje e posterit iu është nisur me postë elektronike apo me DHL, Helsinkit, Komunitetit Europian, Këshillit të Sigurimt, etj. etj… Posteri shëqërohet edhe nga një rezolutë e klasifikuar “top secret”.

Fluturimin e përshëndetën me radhë Kryministri, Kryetarja e parlamentit, ministrat me dhe pa portofol, kryetarët e bashkive të pozitës, kryetarët e komunave të pozitës, krypleqtë e pozitës, familjarët e tyre dhe mbarë populli shqiptar i rrekur në fluturimin e tij 17 vjeçar drejt Europës.
Ndërsa presidenti i vendit ku sipas gjasave fluturojnë gomerët (sipas Kongresit të unifikimit të Shqipes) ruajti pozicionin e tij mbi partiak e asnjanës në lidhje me Fluturimin e Pasosur të qenies tipike shqiptare.

Zhvillime të reja interesante priten të mbushin eterin me lajmet më sensacionale, pasi nuk dihet nëse fluturuesi ishte gomar apo gomaricë…

Nessun commento:

Posta un commento