Lexues

giovedì, ottobre 11, 2007

KUR THIRREN FEREXHETË…

Edmond Kaceli
KUR THIRREN FEREXHETË…
-Përpara se të dalë një ligj për ferexhetë e femrave, më mirë do të ishte të bëhej një ligj për ferexhetë e shumicës së politikanëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë. Kështu së paku nëpër ekranet e TV-ve, nëpër gazeta a në internet, do të lexonim vetëm emrin, se fytyrën e pafytyrë do t’ua mbulonte më së miri perçja turke.

Ndue Ukaj: Për këtë temë në botën perëndimore bëhen debate të shumta, të gjithanshme dhe në përmasa të thella janë të angazhuara institute, bota akademike, elitat shoqërore, mediat. Ndërsa në Kosovë elitat, ato që duhet të reflektojnë ndjenjën e naltë të përgjegjësisë kundruall këtij fenomeni, rrinë duarkryq nëpër çatitë e qytetit të Prishtinës dhe vetëkënaqën me titujt e shumë që i mbajnë mbi supe. Ata nuk e thonë fjalën e tyre dhe ja lënë këtë problem serioz stihisë. Duke mos kuptuar se të qenit elitë nënkupton pikësëpari përgjegjësi të naltë, përgjegjësi para kombit dhe zhvillimeve shoqërore, çfarëdoqofshin ato. Ferexheja është një goditje kundër kulturës shqiptare, kundër identitetit shqiptar. Prandaj ajo duhet të ndalet nga shkollat dhe jeta publike shqiptare

Avni Dervishi:Pajtohem plotësisht me ty.
Ata që me të vërtetë ia duan të mirën Kosovës dmth ata që me të vërtetë dëshirojnë që procesi të përfundojë më shpejt me pavarësine e Kosovës duhet ta heshtin këtë debat.
Kur të bëhemi shtet, atëherë mund ta rifillojme debatin prapë.
Ne shqiptarët kemi shumë armiq. Nuk bën ta harrojmë këtë fakt.

I shkëputa në citim këto dy paragrafe nga shkëmbimi i ideve në mes dy intelektualëve shqiptarë të Kosovës, më së kjarti të shqetësuar për të ardhmen e kombit se cilido politikan i nivelit ligjëpërgatitës apo ligjëbërës në trojet ku flitet shqip.
Problemi nuk është vetëm për Kosovën. Ky do të ishte një e treta e së keqes shqiptare nga vetë shqiptarët. Problemi i mbajtjes së ferexhesë (asnjë fjalë nuk më duket më përfaqësuese se fjala turke), në ambjentet publike, është i lidhur ngushtë me trekëndëshin shqiptar: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni.

Çështja diku më hapët e diku më mbyllët, diku më egër e diku më butë, është hapur prej ditësh. Sa hapet në Shqipëri, (rasti i shkollares së përjashtuar në Durrës nga shkolla vetëm se paraqitej e veshur me simbolin fetar) fillon në Kosovë, e më pas do të shtrihet dhe në Maqedoni, ku edhe aty jetojnë në trojet e tyre shqiptarë që si kudo, kushtet historike a zgjedhja për besim, i detyruan të kthehen në besimin mysliman.
Çështja është e hapur dhe është e kotë të përpiqesh ta heshtësh. Sa më shumë ti lihet ky problem rastësisë aq më negativisht do të ndikojë në drejtim të mirëkuptim dhe bashkëjetesës fetare, model, të shqiptarëve. Kjo bashkëjetesë, model, fetare, nuk është aspak meritë e politikanëve shqiptarë por është dhe mbetet meritë e posaçme e të qenit shqiptar.

E keqja vjen, si gjithmonë nga politika: Përça e sundo. Këtë shprehje të vjetër latine, më së miri e kanë mësuar politikanët tanë të cilët nga njëra anë përziejnë shqipen me shprehje të cunguara, e të keqpërdorura, në gjuhët anglisht, frëngjisht, a italisht e nga ana tjetër fryjnë barkun e trurit me idetë e gjoja mbrojtjes së të drejtave fetare të marra, nëpërkëmbë, nga Askushi.
Pakkush më pak se politikanët tanë të përndritur është i shqetësuar për problemet e mbrojtjes së fesë. Feja e politikanëve shqip –anglisht –frënëngjisht –italisht –turqisht, folës është vetëm loja përfituese me ndjenjat fetare të myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve apo portestanëve shqiptarë.
Nëse vërejmë çastin kur rihidhet në tregun e politikës çështja e mbulimit të femrave shqiptare të besimit mysliman kuptojmë se sa antishqiptarë janë pjesa më e madhe e politikanëve tanë.

Ne mund të themi, kujt i dhimbset çështja shqiptare, mund të thotë: Pasi i zgjidhën të gjitha problemet mbarëkombëtare në Kosovë, Shqipëri Maqedoni e Çamëri, një mendje e përdritur, në fakt, disa mendje të përndritura bashkë, u kujtuan, se femrat shqiptare të besimit mysliman në Shqipëri dhe Kosovë kanë nevojë të vendosin ferexhetë. Përndryshe: shamitë, mbulesat e kresë, e pse jo mbulesat e fytyrës. Diskutimi dhe kërkesa për të bërë ligj një zgjedhje krejt personale u hodh në tregjet shqiptare të debatit, si çështje themelore e të drejtave të njeriut, si një hap pozitiv në drejtimin e bashkëjetesës fetare, deri që dikush e quajti dhe si një hap drejt integrimit europian që ndihmon çështjen kombëtare!

Jemi në Europë, mbi 40% e shqiptarëve të të gjitha besimeve jetojnë e punojnë prej vitesh në Europë, e kërkojmë të kthehemi në Turqi! Kur vetë Truqia ka përgatitur dhe po përgatit në mënyrë të shpejtë hyrjen fizike në Europë edhe pse e shtrirë në Azi! Them hyrjen fizike, se moralisht politikanët e Turqisë dhe populli turk e kanë shtruar rrugën e Europës dhe janë në Europë që me Mustafa Qemal Ataturkun –themeluesin e shtetit modern laik turk. Ky burrë i madh shteti per fatin e historisë tonë, nga origjina mëmësore ishte shqiptar.

Ataturkut (atë i turqve) i dihet babai turk dhe nëna shqiptare. Ndërsa politikanëve tanë që duan të nxjerrin ligje për mbajtjen e ferexheve iu dihet vetëm nëna.
Për këtë shkak, jo fort të vogël, ligjëbërësit tanë përpara se të nxjerrin një ligj për ferexhetë e femrave shqiptare, më mirë do të ishte të bënin një ligj për ferexhetë e shumicës së fytyrave të politikanëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, e Shqipërisë. Kështu së paku nëpër ekranet e TV-ve, nëpër gazeta a në internet do të lexonim vetëm emrin, se fytyrën e pafytyrë do t’ua mbulonte më së miri perçja turke, ajo e vjetra e viteve të sundimit otoman.

Nessun commento:

Posta un commento