Hapi derën e nevojtores. Hyri me gjithë vrullin dhe dëshirën për të bërë ritin e lashtë të pshurrjes. (Gjatë ditës së nxehtë të korrikut kishte pirë të paktën tre shishe birrë “Moretti” dhe po aq shishe me ujë të gazuar “S. Anna”. Termometri elektronik në hije shënonte 43 gradë celsisus. Puna e rëndë e karpentierit në soletën e fushës së re të sportit e rriste dhe më shumë temperaturën.)
Me duart e zhytura prej ndryshkut të hekurit, në vrull e sipër, zbërtheu
kombinoshet e punës. U bë gati të pshurrë… U ndal i tronditur. Në grykën e
nevojtores pasqyrohej fytyra e tij. Fytyra e një tridhjetë e gjashtë
vjeçari të lodhur nga vështirësitë e ambjentimit me ndryshimin e punës. Në
Shqipërinë e largët për vite me radhë kishte punuar në një zyrë të shtetit. ..
Në ujin e ndyrë të grykës së nevojtores pasqyrohej fytyra e deri në detaje!
Bulëzat e djersës të përzier me pluhurin
e hekurit të sapolidhur të soletës. Madje dhe një gërvishtje e lehtë e hekurit
në anën e majtë të fytyrës pasqyrohej me një ngjyrë të zbehtë. Nga dritarja e
ngushtë hynte vetëm një rreze dielli në nevojtoren ku era e keqe përzihej me
erën e djersës dhe me erën e mykut.
Rrezja e diellit përplasej nëpër muret e lyera keq. Për mungesë të
ndriçimit krejt fytyra dukej e zbehtë. Gryka e nevojtores i krijoi për një çast
intimitetin e vetimisë në tërë hollësitë e tij.
I harruar në soditjen e kësaj pasqyre, unike në botë, filloi të vërente se
gryka e nevojtores allaturka po zmadhohej gradualisht. Pasqyra në të njëjtën
kohë zmadhonte dhe përmasat e fytyrës së tij të zbehtë. Nevojtorja e ngushtë po
ngushtohej dhe më shumë. Gryka e nevojtores allaturka, me fytyrën e tij në
qendër, po merrte përmasa gjithnjë më të mëdha. Prej ngushtësisë filloi ti
merrej fryma. Në qafën e djersitur filluan ti shtohen bulëzat e djersës.
Nevojtorja filloi ti rrotullohej. Gryka e sajë të zhvendosej me një ritëm
gjithnjë e më të shpejtë. Mendtë po i merreshin…
Përpara se të humbte ndjenjat filloi të shurronte me gjithë dëshirën e çlirimit nga nevoja biologjike. Pikëlat e para filluan të prishin pasqyrën magjike. Pasqyrimi filloi të deformohej. Pasqyra u prish. Rrotullimi pushoi. Dhe gjithçka u shëndrrua në gjendjen e mëparshme…
Jeta na përballë me shumë gryka,e shumë pasqyra.Kemi vetëm 2 rrugë,ti sfidojmë,e tu përshtatemi.
RispondiEliminaJu falenderoj!
Elimina