Lexues

domenica, giugno 04, 2017

Me nder me thanë një... Kandidat!

Satirë nga E. Kaceli

Asnjëherë më shumë se kësaj radhe, në garën për parlamentin shqiptar nuk janë parë e dëgjuar kaq shumë kandidatë për deputetë. Aq shumë, sa duket se parlamenti do të ketë, pak me thanë, nja dy mijë anëtarë në katër vitet e ardhme!
Mjafton të hedhësh një sy rreth e rrotull dhe kupton se Shqipëria, më shumë se vendi i shqiponjave është dhe do të jetë vendi i ... kandidatëve për deputet! E krahas tyre kësaj radhe, e reja e fundit e marrëzisë, është edhe kandidimi i kandidatëve për kandidaturën e kryeministrit të ardhshëm!

Çdo lloj dallkauku, budalle, i forti i lagjes, i katundit, a më gjerë ka gjetë një parti, e është shënuar kandidat! Madje edhe mendon se do të fitoj! Ndryshe përse është kandiduar?
Është mbushë vendi me turlilloj kandidati të varun, të pavarun, të mos varun e të hiç varun, që varen diku e askund!
Diku me strajcën e lekëve, diku me thesin e miellit, diku me Ungjill në dorë e diku tjetër me Kur'an kërkojnë votën, dhe shtyjnë njerëzit e thjeshtë të japin Besën për votën!
Një çmenduri tipike e racës së shqipeve!

Dhe mos pyesni sa njohin veten këta kandidatë? Sa e njohin shkallën e tyre të intelektit dhe aftësitë e tyre politike! (Dikush thotë se kjo sëmundje kandidatësh vjen si pasojë e kultivimit dhe konsumit të hashashit që për katër vitet e mëparshme njohu bumin e madh! Ndoshta!)

Dikur qytetarët, e njerëzit e sojshëm, kishin një shprehje për fshatarin e shkretë(në sensin e dashamirësisë negative): Me nder një katundar!

Po sot? Sot, duke pa se çfarë lloj malli, e në çfarë sasie po garohet për deputet, gjasat po duken se shprehja e mësipërme po zëvendësohet me "Takova me nder me thanë një... Kandidat për deputet!"

Nessun commento:

Posta un commento