Satirë E. Kaceli
Shqiptarët që prodhojnë marrina me shumicë nuk është e
panjohur në tregun ndërkombëtar të marrinave. Bile ne prodhojmë me aq sasi, e
cilësi, sa marrinat kthehen në budallëk, që është shkalla më e lartë e
zhvillimit budallor të një nacioni.
E nacioni ynë është i lashtë. Aq i lashtë sa shpesh pyes
veten: Këtë shkallën e lashtësisë kush e përcaktoi që na ra për hise! Apo na e
dhanë të huajt në shenjë mirënjohjejet për
marrinat që bëjmë, e që e kalojnë kufirin natyror të shqipeve!
Ne shqiptarët kemi dhe një veçori tjetër: E prodhojmë
marrinë, e ushqejmë, e rrisim derisa e bëjmë gomarllëk, dhe kur fillon të pëllasë,
kthehemi dhe e besojmë ne që e prodhuam!
Në këtë javën dixhitale që sapo shkoi, dy marrina më tërhoqën
fort, për nga shkalla e intelektit me të cilën u realizuan dhe u trumbetuan!
E para: Trump me
origjinë shqiptare!
I dhanë adresën, prejardhjen, fshatin e humbur ku lindën
të parët, dhe ku vijonë të lindin stërkushërinjtë e stërlargët të Presidentit
amerikan. E stisën me aq klas gomarllëkut sa të nesërmen ai që e publikoi herën
e parë e publikoi sërish, duke thënë se
e mori nga një burim origjinal dhe i besueshëm!
Çorbë digitale më të prishur nuk më kishin zënë sytë!
E mendova, e mendova, e mendova (ndonjëherë edhe mendoj!)
Fola në telefon dhe me mikun tim Donald Trump! (Pse nuk më besoni! -Është me
origjinë shqiptare, dhe unë jam shqiptar. Nuk patëm asnjë problem të vogël se
ai nuk di shqip e unë nuk di kokërr fjale në anglisht! U morëm vesh me shenja,
folëm me gishta, siç dimë ne shqiptarët!)
Hej dreq hej, ky chek -up i Beqes paska
krijuar probleme të rënda në shëndetin mendor të një race që quhet shqiptar dhe
këput broçkulla prej mëngjezit e deri në darkë!
E dyta: Policia që duam është më e besura në zinxhirin e trashë të
institucioneve shqiptare! Këtë e paska thënë KE (Komisioni Europian) nëpërmjet
një anketimi! Populli i beson me shumë policisë se çdokujt tjetër në Shqipëri!
I shkreti popull që duhet të besojë çmos!
Sa shumë i beson populli atyre policëve që ruajnë e
mbrojnë Republikën Popullor Shqiptare të Hashashit; (sa shumë i beson populli
atyre policëve që me urdhër e me ligje absurde, fusin një fakir në burg për parkim të gabuar të
makinës apo për rryp sigurie, e rrinë gju më gju me atë që ka vra të paktën tre
vetë nga ky popull i thjeshtë!
Anketimin e ka bërë KE, e anketimi na nxjerr se ne i
besojmë policisë! Në ta mbajtë "suma" mos i beso anketimit! (Unë i
besoj!)
Nëse KE, BE, a dreqi në qiell, a i biri i dreqit në tokë,
e ka bërë një anketim të tillë, ku policia shqiptare del institucioni më i
besueshëm në Shqipëri, unë bashkëorigjinasi i Trump-it jam kryetari i KE-së, i BE-së,
madje dhe kryetari i dreqit! E nëse policia është më e besueshmja merreni me
mend se në ç'dreq gjendjet është katandisë Shqipëria prej institucioneve të
tjera!
Ndërkohë që shkruaj, shpresoj të mos dalë, të paktën për tre orët në
vijim, një budallëk më i madh, se do të mi humbte aktualiteti! Aktualiteti që
thotë se në Shqipëri çudia më e madhe zgjat tre orë!
A pas këtyre tre orëve: Qentë le të lehin, karvani shkon
përpara! (Enver -Ramiz -Fatos- Sali -Edvin- Karvani)
Edmond Kaceli
Nessun commento:
Posta un commento