Është
hera e parë që në Itali bëhet një ekspozitë shqiptare fotografike, e realizuar
nga ju. Mund të na tregoni mbi këtë iniciativë dhe si u prit ajo?
Në jetë,
përveç Zotit, kam besuar gjithnjë në veten dhe në rastësinë e fatit. Në këtë
sens, edhe ekspozita erdhi si rastësi. Një mik italian, Lido Ferrari, ekspert
elektronike, këshilltar në komunën Lequio Berria, në zonën e Langheve,
Piemonte, më hodhi idenë e një ekspozite fotografike pranë kësaj komune. Komuna
në fjalë realizon një herë në vit “Festën e Vullnetarëve”, që në fakt është një
ditë e shpalosjes së vlerave kulturore, artistike, letrare, e trashëgimore.
Gjatë kësaj ditë shoqatat e vullnetarëve, Italia është e shquar në Europë për
vullnetarinë shoqërore, ndihmojnë në realizimin e këtyre aktiviteteve si
ekspozita fotografike nga autorë vendas e të huaj, ekspozita pikture, koncerte,
panaire të librit etjj. Vlen të përmendet se kjo komunë, në këtë ditë,
organizon edhe konkursin e pikturës “pastel” me piktorë të ftuar nga vende të
ndryshme të botës, ku fituesit i blihet vepra dhe vendoset në koleksionin e
muzeut të Pastelit, që unë besoj është i vetmi, dhe më i madhi, i këtij lloji në
Itali, dhe ndoshta më gjërë.
Pra,
ftesa ishte, pa dyshim, një nderim për mua personalisht, për komunitetin e vogël
shqiptar të kësaj zone, dhe për vendin tim, që jo rrallë e prezantojnë si një
vend problematik, me njerëz të gatshëm të sjellin më shumë probleme se sa art
dhe kulturë!
Iniciativa
u prit me mjaft dashamirësi nga organizatorët dhe drejtuesit vendorë, që më vunë
në dispozicion, falas, sallën, personelin e duhur, stampimin e fotografive,
realizuan njoftimet në median e shkruar, në internet, posterat, fletëpalosjet,
e gjithçka tjetër që ndikoi pozitivisht në mbarëvajtjen e ekspozitës.
“Nga
Shqipëria në Langhe”… Është një rrugëtim që shpjegohet nëpërmjet fotografive?
Rrugëtimi juaj?
Jam
larguar nga Shqipëria thjeshtë për një zgjidhje timen personale. Nuk jam patriot
ose nacionalist i sëmurë, por e dua jazhtëzakonisht shumë, këtë dreq vendi që
quhet Shqipëri! Dhe si unë, besoj, shumë shqiptarë emigrantë e duan Shqipërinë,
pse jo, edhe më fort se unë. Bëj një punë normale, në ndërtim, që më siguron të
ardhura për një jetë normale emigranti (shtegtari).
Sa herë
që vij në Shqipëri, prej dëshirës për të pasë gjithherë me vete, diçka të re
nga vendim im, me aparatin fotografik, pjesë e pandarë e udhëtimeve të mija,
realizoj një numër të pacaktuar fotografish në situata nga më të ndryshmet. Kjo
më bën të ndiej më pranë vendin tim deri në udhëtimin e ardhshëm. Theksoj se
gjithherë ka diçka të re për të marrë me vete.
“Nga
Shqipëria në Langhe...” Shqipëria është e bukur edhe kur është keq! Ndërsa Langhet, janë zona më e
mrekullueshme e Italisë, më e qetë, me njerëzit më punëtorë, më piktoreske për
të jetuar, qoftë edhe si murator i thjeshtë, për të zhvilluar pasionin si
fotograf, apo për të shkruar poezi. Kjo më ka ndihmuar jashtëzakonisht në rrugëtimin
tim.
Detajet
dhe realiteti… Si ndërthuren këto në vizionin tuaj të shprehur në këtë
ekspozitë?
Në
ekspozitën time modeste, jam përpjekur ti ndërthur sa më mirë. Këndvështrimi im
është real: Shqipëria është e bukur në tërësi dhe në detaje, siç është
gjithashtu, e ashpër, e vështirë, problematike nga ana tjetër. Kështu, krahas
një peizazhi të Krujës, Lezhës, Durrësit etj. mund të gjesh në Shqipëri bunkerët,
lypësit, të papunët, ndërtimet mbytëse.
Kuptohet,
jam përpjekë ti jap më shumë theks të bukurës që ofron vendi im, se të shëmtuarën
mediat italiane janë të gatshme ta paraqesin edhe me tepri.
Cili ka
qenë reagimi i fqinjëve italianë kur janë përballur me vizionin tuaj për
realitetin shqiptar dhe mesazhin që keni dashur të përcillni?
Jam i kënaqur.
Pa dashtë ti bëj qefin vetes, reagimi ka qenë pozitiv. Në ekspozitë unë kisha vendosë edhe foto nga
zona e Langheve, por interesimin më të madh e paraqitnin për fotografitë nga
Shqipëria. Sidomos për anën e bukur të peizazhit shqiptar, të bregedetit të
mrekullueshëm të Shëngjinit, Durrësit, të historisë përfaqësuar nga kalaja e
Krujës, apo bunkerët e Enver Hoxhës.
Mesazhi
që jam munduar të jap, besoj me sukses, ka qenë: Këtu është Italia vendi juaj,
pak më tej është Shqipëria, një vend gjithaq i bukur, pavarësisht gjendjes së
amullt që po kalon.
Në
lidhje me këtë ekspozitë kanë shkruar edhe mediat italiane. E quani arritje,
apo një interes i shprehur prej tyre për Shqipërinë dhe artin shqiptar?
Po e lëmë
arritjen mënjanë. Mediat italiane, shpesh ndihen fajtore ose debitorë, ndaj
Shqipërisë dhe shqiptarëve, mendimi im personal, që shkruajnë për vendin fqinj
Shqipërinë, vetëm kur ndodh diçka negative, apo kur shqiptarët në Itali bëjnë
nga ato krimet që bëjnë edhe italianët. Por kur të keqen e bën shqiptari është
më shumë lajm se sa kur të njëjtën të keqe e ndoshta në masë më të madhe e bën
italiani.
Iatlia është
vend i artit dhe i kulturës, por kur artin dhe kulturën e sjellin të huajt, kjo
ndoshta përbën lajm me interes. Unë e quaj veten me fat nëse arrij të jap
sadopak kontribut në këtë drejtim.
Keni
menduar që të realizoni edhe ekspozita të tjera në vazhdim?
Përveç
meje, duket sa kanë menduar edhe të tjerët. Kam disa ftesa por kërkojnë
imepnjim, investim kohë. Unë shpresoj të mos jetë e fundit.
Edmond,
nuk jeni vetëm një fotograf I njohur, por në vendin tonë njiheni edhe si një
ndër gazetarët më të mirë pas viteve 90”. Mund të themi që e keni braktisur
këtë profesion, apo vazhdoni ta lëvroni, megjithëse jetoni jashtë?
Kam
pasur dy pasione të mëdha: Të shkruaj dhe të fotografoj. I kam dhe do të vazhdoj
ti kem. Është mallikimi i pasionit. Bekimit thonë edhe mund ti ikësh. Mallkimit
jo! Pasionin nuk mund ta brakstisësh se ndryshe vdes.
Këtë
pasion, falë internetit, është mëkat të mos e zhvillosh. Shkruaj, shkruaj, e
prapë shkruaj. Ky është motivi im. Sa herë kam kohë, sa herë kam diçka të re për
të thënë. Përveç bashkëpunimit on-line me gazeta të ndryshme elektronike, kam
dhe dy blogje personale.
Njëri për shkrime të ndryshme, poezi, tregime etj. link:
http://zekthi.blogspot.com/
Ndërsa
tjetri për fotografinë. Fotoblogu http://guardiamo.fotoblog.it/.
Fotoblogu
ka arritur një numër mesatar vizitorësh në muaj prej mbi pesëmijë vizitorësh.
Ku togfjalëshi më i kërkuar është “foto albania”. Në kohën e sotshme të kesh një
numër të tillë vizitorësh besoj mund të quhet sukses!
Letërsia
është gjithashtu një nga gjinitë e artit që keni lëvruar. Jeni autor i tre
librave, njëri prej të cilëve është botuar në gjuhën italiane. Mund të na
rrëfeni diçka më shumë në lidhje me këtë?
Gjithherë
kam ëndërruar të jem dikush në fotografi, apo në gazetari, deri në një farë
mase besoj i kam realizuar. Por letërsia, të zësh një vend në letërsi është maksimumi
i realizimit të një ëndërre. Të zësh një vend në letërsi është e vështirë.
Shpresoj ta arrij një ditë.
Deri
tani kam botuar tre libra me poezi.
“Simbiozë” -ka qenë libri i parë dhe diçka mbeti në
kujtesën e njerëzve.
“Kur u
mbaruan përrallat për fëmijë” –libri i dytë, i botuar pas përfitimit të një
aplikimi nga fondacioni “Soros”. Diçka më tepër mbeti në kujtësn e njerëzve.
“Il
passero ribelle” (Trumcaku rebel), në përkthimin e përsosur të Daniel Gazullit
(ndarë nga jeta pak kohë më parë). Libri është botuar nga një shtëpi botuese e
specializuar në botimet e poezisë, “Botuesja Letrare Ndërkombëtare” në kolanën
“Poetë italianë bashkëkohorë”. Vlen të
theksoj se libri u përzgjodh për botim nga një juri e specializuar poetësh dhe
kritikësh italianë, të cilëve natyrisht nuk ju bëhet i ditur emri i autorit.
Natyrisht
gjithë kjo më nxit të vazhdoj të shkruaj e ndoshta, pse jo, një ditë, do të
arrij të zë një vend në letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Nessun commento:
Posta un commento