Lexues

domenica, settembre 26, 2010

Fisheket e gjakut

Tregim nga E.Kaceli

Gjaku i të vrarit derdhej në asfaltin e nxehtë dhe krisma e breshërisë së “kallashnikovit” ende nuk ishte shuar mirë, dhjetëra njerëz kureshtarë rrethuan vendin e ngjarjes. Askush nuk e njihte viktimën.

Në qytetin e vogël ishte periudhë plazhi dhe njerëz nga gjithë veriu dhe verilindja e vendit mbushnin përditë rrugët me pluhur. Makinat luksoze dhe karrocat, krijonin një pamje irreale.

Në pluhurin e rrugës, njeriu i mbërthyer befas në ngrohtësinë e plumbave që i përshkuan trupin, rropatej në grahmat e fundit. Trupi vazhdonte ti dridhej. Sytë ishin drejtuar, në tmerrin e vdekjes, drejt hapësirës së mjegullt dhe tejet të nxehtë të diellit të korrikut. Me një hap të shpejtë autori i ngjarjes, siç e quan policia vrasësin, sapo kishte filluar të largohej. Në dorë arma me karikatoren e sapozbrazur. Ecte krejt i qetë. Krejt i qetë dhe i pa shqetësuar nga askush…

Britmat e dy grave e bënë të kthente kryet dhe një herë në drejtim të grumbullit të njerëzve që kishin rrethuar viktimën njëzetvjeçare. Ndërroi në ecje e sipër karikatoren e zbrazur me një tjetër të mbushur. Lëvizi shulin duke i dhënë fishekun e radhës. Ngriti armën në pozicion gati për zjarr, dhe vrapoi. Vrapoi.

Në vrapim e sipër filloi të mos shihte asgjë. Nuk po shihte asgjë. Vetëm hije njerëzore që i largoheshin si kolerës. Ishin pushuesit, në mund të quheshin kështu, që shmangeshin pa guxuar ta shihnin në sy njeriun që ngrinte lart një tytë arme. Njeriun, fytyra e të cilit ishte çartur në një pamje që të shtinte frigën.

Filloi ta zinte gjaku! Nën aromën e barutit, të gjakut, përzier me temperaturën e korrikut, kishte harruar të bënte zakonin shqiptar të vrasjes për gjakmarrje. Sipas traditës duhej të shtinte dy herë në ajër. Vetëm dy herë. Të merrte dhe diçka nga i vrari. Të hidhte diçka në tokë. Një shenjë. Tradita e thoshte, se ndryshe të zë gjaku. Dhe kur të zë gjaku don me thënë se nuk je në gjendje të ikësh. T’iu ikësh njerëzve. Nuk mund të marrësh arratinë. Bile dhe mund të vrasësh dikë tjetër në tmerr e sipër. Mund të humbësh rrrugën. Pleqtë tregonin dikur, shumë vite më parë, kur i kishin vrarë gjyshin, pa lindur nipi gjakmarrës, se dikush kishte vrarë veten prej zënies së gjakut… U kthye!

U kthye! -bërtit dikush nga turma.

Turma e njerëzve u largua në më pak se dhjetë sekonda. Trupi i viktimës ndodhej aty. Ndërsa shpirti filloi ti merrte arratinë në qiellin e korrikut. Gjaku dhe pluhuri përziheshin nën këmbët e autorit të ngjarjes. Ngriti armën, një “AK” të prodhimit kinez. Shtiu dy plumba në drejtimin ku po largohej shpirti i viktimës. U përkul mbi trupin e të sapovrarit. Nduku diçka në rrobat e përziera me gjak. Futi dorën e lirë në xhep dhe hodhi në tokë një monedhë hekuri, prerje të fundit të Bankës Shqiptare. Mori të njëjtin drejtim, ndërkohë që sirena e makinës së policisë filloi të therte rrugën me klithmën e saj trishtuese.

Njerëzit rrethuan viktimën më kureshtarë se në momentin e pasvrasjes. Nuk kishte nevojë për asnjë koment. Vrasja ishte kryer tradicionalisht.
Motivi?
Thjeshtë: Për gjakmarrje.
Viktima e njihte autorin dhe autori e njihte viktimën.

Policia filloi të largonte njerëzit. Ekspertët bënë fotografitë e rastit. Mblodhën dhe një turrë gëzhojash. Plot tridhjetë e dy copë. Një karikatore tridhjetëshe, plus dy fishekët e gjakut. Mbështollën trupin e viktimës me një batanie të palarë që nga dhjetë vrasjet paraardhëse për motive gjakmarrjeje. U nisën.

U nisën me dritat dhe sirenën ndezur në drejtim të Komisariatit të policisë, ku i prisnin nja tre korrespondentë lokalë në ethe për të mësuar diç më tepër për krismat në plazh…

4 commenti:

  1. "Fisheket e gjakut" mbase do t'i pershtatej me shume si titull tregimit. Pergezime Mond!

    RispondiElimina
  2. Ideja juaj me duket e persosur. Po ia ndryshoj titullin me shpresen se ky titull nuk eshte perdore ne ndonje tregim tjeter. Po e quaj "Fisheket e gjakut"

    RispondiElimina
  3. Fisheket e Gjakut, fisheke qe kane ngelur ne karikatorin e mosdijes se shqiptareve. Mond urime dhe komplimente.

    RispondiElimina
  4. mond te pyes ty dhe veten : e kush eshte pergjegjes e kush pagoi per gjithe kete ....?
    pergjigje sjap e natyrisht spres...

    RispondiElimina