Lexues

domenica, maggio 11, 2008

EMIGRANTËT NË ITALI SKLLEVËR TË KOHËVE MODERNE

Nga Edmond Kaceli

Koha e skllavërisë nuk ka ikur ende. Skllevërit ekzistojnë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë për një periudhë të gjatë kohe. Nëse nuk më besoni mjafton të hidhni një sy të shpejtë në shtetin italian. Lexoni shtypin. Shikoni përrallat e treguara nga mass media italiane e shkruar dhe elektronike. Nëse nuk më besoni mua personalisht hidhni një sy sondazheve të shtetasve italianë. (Sondazhi i kryer nga qeveria rumene është fakti më tragjik i shtrembërimit të imazhit njerëzor të emigranit klandestin dhe joklandestin. Sipas këtij sondazhi 57% e italianëve kanë një opinion negativ ndaj emigrantëve. 61% ky opinion është i drejtuar ndaj romëve, e 33% ndaj rumenëve. 75% e italianëve mendojnë se në Itali ka shumë emigrantë. Një italian në gjashtë deklaron se ka pasë agresion, fizik ose verbal, nga një i huaj emigrant. Ndërkohë intoleranca është e ndarë në opinion në masën 61% ndaj romëve, të ndjekur nga shqiptarët 35% dhe ndaj rumenëve në masën 33%

E nëse nuk i besoni sondazhit të Institutit Focus Marketing për llogari të Agjencisë për strategjitë qeveritare të Rumanisë, i hidhni një sy politikës italiane. Ju mjaft mirë mund ti besoni Umberto Bosit dhe partisë së tij, që për shkak të luftës ndaj emigracionit pati fatin e madh të arrijë një numër të konsiderueshëm votash të mjaftueshme për të kërcënuar qeverinë e sa krijuar Berluskoni nr… (për dreq numri nuk më kujtohet)

Kjo fobi moderne, në fakt, është pjellë e politikës dhe pjellë e kulturës së mangët dhe e injorancës (69% e të intervistuarve nuk janë në gjendje të tregojnë një personazh të njohur të Rumanisë. E njohja e tyre kufizohet në njohjen e familjes diktatoriale apo të Kontit Drakula.)
Madje unë besoj se shumë prej tyre nuk njohin as edhe vetë historinë e Italisë (Mjafton ti pyesësh se çfarë kujton në Fori Imperiali a Roma, Colonna Traiana, realizuar mbi projektin e arkitektit Apollodoro di Damasco. Jo më ti pyesësh për marrëdhëniet e kahershme, (partneritetit apo okupacionit), shekullore ndërmjet Italisë, Ilirisë -Shqipërisë, Rumanisë apo popujve të tjerë që e kanë furnizuar Romën, nga jugu në veri me skllevër pune. Dhe që vijojnë ta furnizojnë edhe sot e kësaj dite me skllevër të kohëve moderne.

Dikujt mund ti duket i rëndë termi “skllevër pune”. Mua personalisht jo!
Duke ju renditur më poshtë disa argumenta nga jeta e emigrantëve jo klandestinë në Itali ju mund të më thoni nëse kam apo nuk kam të drejtë në padrejtësitë që i bëhen emigrantit jo klandestin ekstraitalian. Them ekstraitalian se në fakt rumenët janë komunitarë me të drejtat e plota të çdo komunitari europian.

1. Fitimi i të drejtës që qëndrimit
Një odise e vërtetë e shoqëron emigrantin derisa të arrijë të marrë të drejtën e qëndrimit në territorin italian. Një grumbull i pafund dokumentash që duhet të rinovohen një herë në vit, apo një herë në dy vjet. Radhët e pafundme përpara kuesturave të zëvendësuara me porcedurën e pafund të dokumentave nëpër xhiron e postës –Romë- kuesturë e anasjelltas. Të paktën një vit për të rinovuar permesson. E kur të vjen e rinovuar duhet të ripërgatitësh edhe njëherë të njëjtat dokumenta pasi e drejta e qëndrimit ka skaduar e duhet ta rinovosh!
E gjithë kjo për emigrantin do të thotë humbje kohe, dhunë psikologjike,(sa herë jemi bërë nervozë në dyert e kuesturës) e mbi të gjitha humbje financiare. Një familjeje normale prej katër personash, i kushton mbi pesëqind euro rinovimi i dokumentave. (Përfshirë fotografi, bashkimi i dokumentave, fotokopje, lënia e ditëve të punës, xhiroja në postë, taksa e postës, xhiroja në kuesturë, taksë shtetërore)

2. Marrja e shenjave të gishtave
Personalisht nuk kam qenë kundër marrjes së shenjave të gishtave. Por kur më janë marrë një herë me bojë, ashtu siç i merrnin qëmoti, dhe vazhdojni t’iua marrin kriminelëve në Shqipëri, sa herë e kujtoj më vjen keq nga vetja. E kjo keqardhje u shtua kur mu morën herën e dytë, pa kaluar dy vjet, kësaj here në mënyrë elektronike.
Mendova, shumë kush mund të ketë menduar: Në Romën e lashtë, skllevërit, kriminielët dhe kafshët, matrikuloheshin (shënoheshin) me djegie, me prerje të veshit, apo me bojë e sot, kohët moderne kanë sjellë në pushtet kompiuterin që e ka qendrën në rrethinat e Romës.
Mirë se i morën por a ka pyetur kush se ç’rezultat kanë sjellë në luftën ndaj kriminalitetit joitalian? A kanë ndonjë statistikë, në përqindje se sa është ulur kriminaliteti, për efekt të marrjes së shenjave të gishtave?
Me ç’jam në dije edhe ndonjë krimnel i kthyer rastësisht, është reabilituar më pas me ndërhyrjen e avokatëve që këtu në Itali nxjerrin nga burgu e reabilitojnë dhe terroristët e Brigatave të Kuqe!

3- E drejta e qëndrimit të përhershëm
Karta e qëndrimit është tjetër Kalvar i mundimit për emigrantin. Si të mos mjaftonte kjo, qeveria Prodi, që na la shëndenë në një ditë të bukur me shi, e pati ulur afatin nga dhjetë në pesë vjet. E hajde pyet po deshe se përse quhet Kartë qëndrimi e përhershme?

4- E drejta për të protestuar
De facto kjo e drejtë nuk na është mohuar asnjëherë. Por nga ana tjetër asnjëherë nuk na janë krijuar kushtet për të realizuar këtë të drejtë. Nëse provon të ngresh zërin për një padrejtësi sado të vogël ndaj punëdhënësit (padronit) të nesërmen, a të pasnesërmën, më mirë ik e kërko një tjetër padron. Se ndryshe rrezikon qëndrimin në Itali pasi ke humbur punën!
Në të njëtën kohë mungon, sensi i protestës së organizuar tek emigrantët. Mungonte dhe tek skllevërit e Romës së Lashtë (!)
Nëse emigrantët do të ishin në gjendje të organizonin vetëm një ditë grevë në të gjithë vendin, ajo përqindje lartë e mosbesimi në rolin e emigrantëve të ndershëm në rritjen e ekonomisë italiane, do të binte ndjeshëm. Madje dhe në krahun e atyre politikanëve që çirren nëpër tribunat e politikës italiane për rrezikun e përhershëm të emigrantëve.

5- E drejta e votës dhe shtetësia
Janë një argument i gjatë e në këtë shkrim jam pak i kufizuar. Por mjafton të vë në dukje se në të gjitha sistemet ekonomike të dominuara nga skllavëria legale apo e fshehtë ( e papranuar publikisht) e drejta e votës dhe e shtetësisë historikisht ju është mohuar vetëm skllevërve.
Gratë nuk kanë pasë të drejtë vote por kanë pasë të drejtë nënshtetësie. Kriminelët e kanë fituar në kohë të drejtën për të votuar. Emigrantët për shembull, emigrantët italianë, kanë të drejtë prej vitesh të votojnë në Amerikë.
E në këtë kontekst nuk mund të bëhet fjalë për të drejtën për tu zgjedhur, larg qoftë në ndonjë këshill komune, ku për arsye të lëvizjes emigratore këtu në Itali, emigrantët, përbëjnë mbi 40% të banorëve!
Mirë kush ka ardhur nga një shtet joitalian, apo ka lindur në një shtet joitalian. Po fëmijët tanë që kanë lindur në tokën italiane, studiojnë në shkollat italiane, qysh prej foshnjores e deri në universitet? Mos duhet një ditë të bukur, ta shohin veten në një avion të linjës, të shoqëruar me policë dhe një letër që i nxjerr jashtë nga shteti ku lindën dhe u rritën vetëm se nuk kanë një kontratë pune të përhershme dhe një pagë minimale?

Cila është përgjigjia e politikës antiemigrant?
A ka politika ndonjë zgjidhje tjetër në perspektivë, apo do të vijojë të njohë emigrantin si një skllav modern që duhet të ulë kryet e të punojë, shpesh, edhe jashtë kushteve minimale të punës e sigurisë?
Apo gjithë kjo është vetëm një lojë politike për të marrë vota e për të zgjatur jetën në politikë, duke përdorur kartën e sukesshme të luftës kundër emigrantëve për të ardhur në pushtet?
Pse jo?
Politikanët italianë nuk janë në masë, aq të pandërgjegjshëm, e të papërgjegjshëm, sa të mos kuptojnë nevojën e emigrantëve dhe rolin e tyre pozitiv në ekonominë italiane.
Ne emigrantët, pa dallim race, kombësie, shteti prej nga vijmë, jokriminelë apo kriminelë nuk duam dhe nuk duam të jemi trajtuar si skllevër të kohëve moderne!

Nessun commento:

Posta un commento