Lexues

domenica, marzo 30, 2008

Pamflet :ZOTI NA RUAJTË POLITIKANËT SHQIPTARË! ZOTI NA RUAJTË QEVERINË SHQIPTARE!

-Për gjithçkaqë ka ndodhur, që ndodh, a që do të ndodhë në të ardhmen, në Shqipëri nuk është faji i qeverisë. Nuk është faji i pozitës. Nuk është faji i opozitës. Nuk është faji i politikës dhe i politikanëve. Faji është, dhe mbetet kopil, edhe atëherë kur autori i fajit është me prejardhje të kjartë kopilore. Faji është dhe mbetet kopil edhe kur faji bëhet nga vetë kopili.

Zoti na e ruajtë Shqipërinë!
Jo bre! Zoti na ruajtë qeverinë dhe politikanët shqiptarë! Se Shqipërinë e ruajnë këta të fundit. E ruajnë, e mbrojnë, e përparojnë me shumë dëshirë, pasion e vullnet. Ruajnë Shqipërinë dhe ruajnë banorët e mbetur në Shqipëri. Aq shumë i ruajnë sa prej dashurisë së madhe që kanë për ta ndonjëherë edhe i vrasin.
Edhe më budallenjtë e dinë se dashuria e tepërt vret ndonjëherë. Ndërsa dashuria e madhe që kanë politikanët dhe qeveritarët tanë të përndritshëm, që u ndrittë shpirti në atë botë sa më shpejt, aq e madhe është sa vret tash e parë. Vret më shpesh se duhet. Por gjithmonë në emër të dashurisë sublime!

Zoti na ruajtë politikanët shqiptarë! Këtu kam parasysh që Zoti, nëse ka kohë, duhet të na ruajë pesëdhjetë e kusur partitë, që i kanë hipur në kurriz Shqipërisë, e po ja lërojnë tokat mëmës Shqipëri (Në labërishten e vjetër fjala lërim nuk është për tokën).

Zoti i mbroftë, zoti na i ruajtë! –nëse i tepron koha! Se këta kryetarë partishë ditë natë mendojë për popullin, e duan popullin i tregojnë popullit ëndërrën sy hapur, për një jetë më të mirë, një herë në tre katër vjet. Shahen si zagarët me njëri -tjetrin e më pas shkojnë të gjithë, si zagarët mbas buçës, në të njëtin grazhd të prostitucionit politik. Në të njëjtin grazhd të korrupsionit material e moral.
Marrin në dorë frenat e korrupsionit të madh, frenat e korrupsionit të vogël, frenat e vjedhjeve të mëdha, frenat e vjedhjeve të vogla, e më pas vjedhin dhe vetë frenat ndërsa i thërrasin sho –shoqit, me jargët e yndyrës dhe alkooleve kontrabandë “Ti je hajdut!”

Zoti na i ruajtë politikanët tanë të pozitës, opozitës dhe politikanët që nuk i përkasin as pozitës, as opozitës, por ashtu si transeksualët shkojnë herë me njërën palë, e hërë me tjetrën, në emër të deklaratës universale të të drejtave të njeriut. Paçka se vetëm njerëz nuk janë politikanët dhe qeveritarët tanë. Janë diçka tjetër, –që Zoti i ruajtë!

Zoti e ruajtë Qeverinë Shqiptare. Sa herë që ndërrohet. Se kur nuk ndërrohet për një kohë të gjatë fillon e bie erë të ngjashme me parfumin që vjen nga shpërgënjët (panolinët) e fëmijëve kur nëna harron ti ndërrojë për një kohë të gjatë. Hundët e Nënës Shqipëri janë mësuar aq shumë me erën e politikanëve dhe të qeveritarëve tanë sa nuk e ndërron me asnjë nga parfumet e shtrenjta dhe jo të shtrenjta që qeveritarët dhe politikanët i hedhin fytyrës. Që nuk është fytyrë por diçka tjetër që i ngjan fytyrës.

Zoti na ruajtë Qeverinë! Zoti na ruajtë prokurorin e përgjithshëm! Zoti na ruajtë gjykatat! Zoti na ruajtë parlamentin dhe çka brenda ndërtesa e parlamentit! Zoti na ruajtë kryetaren e parlamentit! Zoti na ruajtë dhe Presidentin. Natyrisht zoti na ruajtë dhe Kryeministrin shqiptar!
Ky (këta) që është(janë) sot e zoti na ruajtë dhe ata që vijnë nesër!

Zoti na i ruajtë të gjithë bashkë, e të gjithë veç e veç! Se çdo herë që biem ngushtë a prej dashurisë politike, vritet (vriten) ndonjë (ndoca) shtetas të Shqipërisë këta udhëheqës materialë e shpirtërorë bëhen pjesëtarë të Urdhërit të Kalorësve të Fytyrave të Vrerosura, e na nderojnë, me gëzim të madh në varrimin tonë, duke na e lehtësuar hidhërimin!

Zoti na ruajtë politikanët shqiptarë! Zoti na ruajtë qeveritarët shqiptarë! Zoti na i mbroftë!
Zoti na i ruajtë nëse i ka tepruar koha dhe nuk ka punë tjetër!

Edmond Kaceli

Nessun commento:

Posta un commento