Lexues

mercoledì, febbraio 22, 2017

Shpërgâjtë dhe politikâjtë

Pamflet nga Edmond Kaceli

Politikanët janë si shpërgâjtë e fëmijëve duhet me i ndërru sa herë iu vjen era!
Këtu po iu jap disa versione të marra nga gjuhë të ndryshme (nuk është se i di të gjitha gjuhët, por rroftë sa malet interneti!)

Italisht: Politici e pannolini hanno una cosa in comune: entrambi vanno cambiati regolarmente, e per la stessa ragione
Anglisht: Politicians and diapers have one thing in common. They should both be changed regularly and for the same reason
Spanjisht:  (Tingëllon më bukur) Los políticos y los pañales tienen en común. Ambos deben ser cambiados con regularidad, y por la misma razón
Portugalisht: (i mveshet shkrimtarit portugez José Maria Eça de Queirós (1845-1900) Os políticos e as fraldas devem ser mudados frequentemente e pela mesma razão".
Kinezçe: Nuk mbërrita me e gjetë një gjë të saktë në gjuhën kineze pasi nuk ndoqa udhëzimet e atij shokut politikan, që njëhere e një kohë na këshilloi të mësonim gjuhën e bukur kineze!

E përbashkëta është se në të gjitha gjuhët kjo thënia e famshme iu mveshet personaliteteve të shquara si : Benjamin Franklin, George Bernard Shaw, apo Mark Twain.
(Për nga karakteri dhe krijimtaria artistike më e besueshme është se kjo thënie përkthyer në të gjitha gjuhët e botës, duhet të ketë autorësinë e Mark Twain-it!
Edhe pse në filmin "Njeriu i vitit" (2006) aktori Robin Williams thotë: Dhe kujtojuni, zonja e zotërinj, një frazë e vjetër e një të panjohuri thotë: Politikanët ngjajnë me shpërgâjtë e fëmijëve, duhet me i ndërrua shpesh për të njëjtën arsye!

Kjo frazë më erdhi ndërmend sot në ditën e disatë të protestës së opozitës (që iku nga pozita se u qelb në kohën e sajë), e reagimit, (nëpërmjet mosreagimit) të qeverisë, e cila vjen më shumë erë se shpërgâjtë e fëmijëve të mbushuna plot e përplot. E kur shpërgâjtë mbushen plot duhet të ndërrohen!

Problemi është se në Shqipëri kemi një hall të madh! Shumë të madh! Duke qenë një vend i vogël kemi një numër të kufizuar personazhesh që kujtojnë se kanë lindë të merren me politikë! Personazhe që nuk i ulen gomarit të politikës duke kujtua se është kalë rrace me gjak të pastër arab!
Nga krahu tjetër, ne, populli, që nuk jemi prift, që i ulim e i ngjisim në shpinë të gomarit duke iu vënë shpinën tonë si shkallë shërbimi, ashtu siç perandorët kinezë përdornin shpinën e nënshtetasve të tyre në kohërat e lashta!
Halli shtohet kur këtë grusht politkâjsh e ushqejmë, e majmim, dhe e ndërrrojmë, (kur e dhjet fort), tash 26 vjet!

Tash 26 vjet janë ushqyer, janë shqyer, e shlyer, e dhier, e ridhier aq shpesh sa nuk dimë me kë ti ndërrojmë! E nuk e marrim mundimin të kërkojmë të tjerë për ti zëvendësuar, vetëm përkulim e thyejmë shpinën!
E ashtu me shpinë të thyer, e të përkulur fort, vetëm i riqarkullojmë dhe u ndiejmë erën. Iu ndiejmë erën me shpresën se nuk do të qelben si deri një ditë ma parë!

A se harrova, për arsye, mosreklamimit, pavarësie, e paanësie nuk po jap emra, e as nuk po përcaktoj se kush nga shpërgâjtë e majta, të djathta a të qendrës është dhier më shumë, dhe është qelbë më shumë!...

lunedì, febbraio 20, 2017

Kur gomari u bë i mençur për pak çaste!

- Fabulë për të gjitha kohërat

Mikluesit i thanë: Je këngëtar!
Mos u tallni! -tha me një zë vajtimtar.
Pëlliti fuqishëm.
Shtoi: Jam GOMAR.

Dhe filloi të këndonte si më parë!

E. Kaceli
nga vëllimi "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë", enti botues "Gjergj Fishta", Lezhë 1998

Botim i mundësuar nga fondazioni "Soros" Shqipëri

lunedì, gennaio 30, 2017

Unë -kryetar i KE-së, BE-së dhe mik i ngushtë i Donald Trump!

Satirë E. Kaceli

Shqiptarët që prodhojnë marrina me shumicë nuk është e panjohur në tregun ndërkombëtar të marrinave. Bile ne prodhojmë me aq sasi, e cilësi, sa marrinat kthehen në budallëk, që është shkalla më e lartë e zhvillimit budallor të një nacioni.
E nacioni ynë është i lashtë. Aq i lashtë sa shpesh pyes veten: Këtë shkallën e lashtësisë kush e përcaktoi që na ra për hise! Apo na e dhanë të  huajt në shenjë mirënjohjejet për marrinat që bëjmë, e që e kalojnë kufirin natyror të shqipeve!
Ne shqiptarët kemi dhe një veçori tjetër: E prodhojmë marrinë, e ushqejmë, e rrisim derisa e bëjmë gomarllëk, dhe kur fillon të pëllasë, kthehemi dhe e besojmë ne që e prodhuam!
Në këtë javën dixhitale që sapo shkoi, dy marrina më tërhoqën fort, për nga shkalla e intelektit me të cilën u realizuan dhe u trumbetuan!

E para: Trump me origjinë shqiptare!
I dhanë adresën, prejardhjen, fshatin e humbur ku lindën të parët, dhe ku vijonë të lindin stërkushërinjtë e stërlargët të Presidentit amerikan. E stisën me aq klas gomarllëkut sa të nesërmen ai që e publikoi herën e parë  e publikoi sërish, duke thënë se e mori nga një burim origjinal dhe i besueshëm!
Çorbë digitale më të prishur nuk më kishin zënë sytë!
E mendova, e mendova, e mendova (ndonjëherë edhe mendoj!) Fola në telefon dhe me mikun tim Donald Trump! (Pse nuk më besoni! -Është me origjinë shqiptare, dhe unë jam shqiptar. Nuk patëm asnjë problem të vogël se ai nuk di shqip e unë nuk di kokërr fjale në anglisht! U morëm vesh me shenja, folëm me gishta, siç dimë ne shqiptarët!)
Hej dreq hej, ky chek -up i Beqes paska krijuar probleme të rënda në shëndetin mendor të një race që quhet shqiptar dhe këput broçkulla prej mëngjezit e deri në darkë!

E dyta: Policia që duam është më e besura në zinxhirin e trashë të institucioneve shqiptare! Këtë e paska thënë KE (Komisioni Europian) nëpërmjet një anketimi! Populli i beson me shumë policisë se çdokujt tjetër në Shqipëri! I shkreti popull që duhet të besojë çmos!
Sa shumë i beson populli atyre policëve që ruajnë e mbrojnë Republikën Popullor Shqiptare të Hashashit; (sa shumë i beson populli atyre policëve që me urdhër e me ligje absurde,  fusin një fakir në burg për parkim të gabuar të makinës apo për rryp sigurie, e rrinë gju më gju me atë që ka vra të paktën tre vetë nga ky popull i thjeshtë!
Anketimin e ka bërë KE, e anketimi na nxjerr se ne i besojmë policisë! Në ta mbajtë "suma" mos i beso anketimit! (Unë i besoj!)
Nëse KE, BE, a dreqi në qiell, a i biri i dreqit në tokë, e ka bërë një anketim të tillë, ku policia shqiptare del institucioni më i besueshëm në Shqipëri, unë bashkëorigjinasi i Trump-it jam kryetari i KE-së, i BE-së, madje dhe kryetari i dreqit! E nëse policia është më e besueshmja merreni me mend se në ç'dreq gjendjet është katandisë Shqipëria prej institucioneve të tjera!

Ndërkohë që shkruaj,  shpresoj të mos dalë, të paktën për tre orët në vijim, një budallëk më i madh, se do të mi humbte aktualiteti! Aktualiteti që thotë se në Shqipëri çudia më e madhe zgjat tre orë!

A pas këtyre tre orëve: Qentë le të lehin, karvani shkon përpara! (Enver -Ramiz -Fatos- Sali -Edvin- Karvani)

Edmond Kaceli