Lexues

martedì, febbraio 10, 2015

Qyteti i Vogël nga E Kaceli

Mënjanë mesit të Botës
ngrihen muret e fryme të Qytetit të Vogël
muret, ndërtesat, mbytur vogëlsie
Në ujrat e vogëlsisë notojnë njerëzit
Më të vegjël se ndërtesat, se muret, se qyteti
Njerëzit e vegjël të Qytetit të Vogël.

Njerëzit e Qytetit të Vogël
që druajnë poezinë më fort se kolerën
që i ruhen poetit më fort se shejtanëve
Varrezave publike tek shfaqen netëve
                             me hënë turbulluese
(me shejtanet ndodh të bëjnë dashuri
netëve të dashurisë përvëluese)…

Shkon për të blerë diç, në tregun e vetëm
                                     të Qytetit të Vogël
Kërkon, psh, patate
-pa pritur, ndërkohë të kanë peshuar:
dy kile e 300 gram përgojuese
                                                të klasit të parë

E ngatërrohesh më keq se në pazarin e Tezeut
pa mundur të vrasësh njeri
me përjashtim të vetes…

Në Pazarin e Vogël të Vjetërsinave dhe Ndjenjave
shterpat dhe të tredhunit të numërojnë
dashnoret dhe kafet e pime
qeshin, tallen
Në gijotinën e fjalëve mbytëse
përcaktojnë radhën.

Ti ikën prej pazarit me
qesen plastike plot përgojuese
me një kokërr patate sa një lëmsh Ariane
me fytin e tharë
në djegie…

Në Qytetin e Vogël sundojnë
Zyrtarët Shpirtxhuxhë
Zyrtarët vogëlakë,
                               trutharë,
                                             barkaliqë
Zyrtarët me kollaret e lidhura trashë
Zyrtarët, që , për hir të modernizmit,
                                                          shpërlajnë
Fytyrat e duhanta me parfume grashë.

E zyrave shëtisin Minifundet e sekretareve
Minifundet zgjedhëse të ngjyrës së kollareve
Kështu bindet populli (i lumtur) se shtetarët
Nuk janë kurrsesi impotentë ndaj grave
E gratë e shkreta, gratë e pafaj,
në orarin zyrtar, në krahë dashnorësh
shkrihen në vaj…

Brenda mureve të trasha të Qytetit të Vogël
sa gjëra të vogla ndodhin
Ndodhin se njerëzit ecin vogëlsisht
                                 dashurojnë vogëlsisht
                                 lindin vogëlsisht
vogëlsisht marrin frymë njerëzit
në Qytetin e Vogël
prapë të marrin Frymën
prapë të mbysin Dashurinë
prapë të mbysin Lindjen
prapë…

E për çdo ditë, e më vogëlsisht.


1996-2015

giovedì, gennaio 22, 2015

Trishtim në rrugët e qytetit tim... nga E. Kaceli

Pikon shiu rrugëve të përbaltuna të qytetit tim të trishtë
Era e ndan shiun në miliona pika të shrregullta
Si njerezit
                  -që mbarten nga njëra kafene në tjetrën duke vrà ditën
në llum kafeje e tym fjalësh pa fund
duke helmuar ditën, veten dhe njëri –tjetrin…
















Pikon trishtimi rrugëve të mbytuna nga shiu
                                                                      në qytetin tim
Pikon malli, më shumë se trishtimi dhe shiu (bashkë)
Dhe shiu, bashkë me erën, bashkë me mallin, në qytetin tim
Në qytetin tim çatishpuar prej rrezeve të diellit që ikin, ikin dhe ikin
Ikin për të mos u kthyer kurrë më…


Shqipër, i Lezhë, shtator ‘94 – Itali, janar 2015

domenica, dicembre 21, 2014

Shkretì

nga E. Kaceli

Në shkretinën e ditëve të shkreta
Një i çmendur mbolli një lule
Krejt me çudi rrugtarët e shkretinës e panë
(Me mbjellë një lule në shkretì!)

Në shkretinën e ditëve të shkreta
Ujë nuk kishte pasë kurrkund
(Në shkretinë uji asht një gjà e rrallë)



I çmenduri i shkretë
për me rritë lulen,
përditë shtrydhte zemrën nga pak.
                                                      Krejt pak
shtrydhte zemrën.
Lulja rritej,
                   rritej,
                            e rritej e shëndetshme.
(Zemra dhe trupi mpakej përditë e ma fort)

Në shkretinën e ditëve të shkreta, një ditë
Rrugtarët panë një lule të madhe, të bukur, bojë gjaku
Karvani i shkretanëve të rrugës së shkretinës u ndal. I pari i karvanit këputi lulen. E vuni si shèj në këmishën e bardhë.
E prapë karvani i shkretanëve u vu të ecë nëpër rrugën e ditëve të shkreta. Ndërsa për të çmendurin që dha shpirt për me rritë një lule në mes të shkretinës nuk i ra ndërmend askujt. Askujt. Askujt…


Itali, fundviti 2014