Lexues

martedì, dicembre 01, 2020

Fotografi: Ju prezantoj Delbrin Demaj! nga E. Kaceli


Arti i fotografisë në përgjithësi, dhe fotografia e natyrës së egër në mënyrë të veçantë, po merr një përhapje të pazakontë ndër shqiptarët kudo që jetojnë.

Kjo në sajë të teknologjive moderne të fotografisë që e kanë çuar këtë art të krijimit dhe fiksimit të imazhit, në majat më të larta!

Fotografia, në fakt, më shumë, është parë si pasion qysh prej krijimit! Ata më me fat arrijnë ta shëndrrojnë këtë në profesion apo edhe në nivele artistike që të befasojnë!


Ajo që më ka befasuar në këtë moment aktual të përhapjes masive të fotografisë ndër shqiptarët është numri, gjithmonë në rritje, i fotografëve të moshës më të vogël! Fotografët fëmijë janë fenomeni më i fundit i këtij procesi!

Janë këta fëmijë fotografë, si Joel Hila, Divjakë, vëllezërit Amal e Kejsan Mavriqi, Kamenicë etj. që po fillojnë të bëjnë diferencën qysh në hapat e para!

Një prej këtyre fëmijëve fotografë, është edhe vogëlushi nga Hajvalia, Prishtinë, Kosovë, Delbrin Demaj të cilin po kam dëshirë prej kohësh ta prezantoj!


11 vjeçari Demaj vijon klasën e gjashtë në shkollën "Shkëndia" Hajvali, komuna e Prishtinës. Pasionin për fotografinë në përgjithësi, dhe për fotografimin e jetës së egër  në mënyrë të posaçme, e ka marrë nga babai i vet fotografi i njohur shqiptar Lulzim Demaj.

Mësuesja e biologjisë, Sheribane Xheladini, thotë se Delbrini ka filluar të ketë një interesim dhe përparim jo të zakontë, për moshën, në lëndën e biologjisë. Veçanërisht kur spjegohet për faunën dhe gjallesat e egra! Në fokusin e Delbrin Demajt hyjnë portreti, peizazhi, e ma së shumti, pasioni kryesor, wildlife! Ku pas një konkurimi seleksionues ka arritë të marrë pjesë me një fotografi të këtij zhanri, në ekspozitën e përzgjedhur të shoqatës Wildlife Albanian Photographers të organizuar më së fundmi në qytetin e Prizrenit!



Delbrini thotë se i pëlqen të fotografojë martin peshkatarin, pupëzën, e më shumë shpendët grabitqarë. Këtyre të fundit iu ka mësuar edhe detajet e sjelljes që janë të domosdoshme për një fotograf të natyrës! Si hobby i dytë mbetet sporti i futbollit, ku shkon rregullisht në shkollën e futbollit pranë ekpit "FC Hajvalia 2020", duke shfaqë talentin e tij edhe në këtë fushë!

Babai i Delbrinit, fotografi sportiv dhe i natyrës së egër Lulzim Demaj, thotë se është shumë i kënaqur kur sheh që djali po kërkon të trashëgojë ketë profesion të bukur. Ai ndjehet i surprizuar nga përparimet e të birit në këtë hobby! Dhe është i lumtur kur shikon se pasioni e mban larg lojnave elektronike, që shpesh kthehen në mani për moshat e vogla!


Të surprizuar ndihemi edhe ne të tjerët kur shohim përditë realizimet dhe përparimet fotografike të vogëlushit nga Hajvalia,  Delbrin Demaj! Të surprizuar dhe me shpresën e urimin që të vijojë gjatë e me sukses këtë rrugë të bukur të trashëgimisë kulturore shqiptare!



domenica, ottobre 25, 2020

Personaliteti më i fotografuar në Shqipëri! nga E. Kaceli

A e keni pyetë veten ndonjëherë se kush është aktualisht personaliteti më i fotografuar në Shqipëri?Për t'iu ndriçuar pak po ju them se nuk është presidenti Meta, nuk është as kryeministri Rama! E nuk mund të jetë as Lulëzim Basha! Madje nuk është asnjë nga personazhet e politikës, kulturës, spektatklit apo bisnesit shqiptar!


Credit Lulzim Demaj
Me mbi 50 mijë vizitorë në vit, (shifër zyrtare), thuajse të gjithë të pajisur me një mjet fotografik, personaliteti më i fotografuar në Shqipëri mbetet Pelikani me Kreshtë i Parkut kombëtar Divjakë -Karavasta, i quajtur ndryshe edhe Pelikani Xhoni Malko!Vizitorë të shumtë nga Shqipëria, Kosova e nga bota e kanë fotografuar e vijojnë ta fotografojnë,  Xhonin -Mbretin e padiskutueshëm të Divjakës!
 
Credit Arian Mavriqi

Mbreti i Divjakës fotografohet më së shumti, edhe nga fotografët profesioniste, apo amatorë të zhvilluar, me pasion të veçantë natyrën e egër.
Fotografët e Wildlife-it nga vend të ndryshme të botës, duket sikur janë në garë se kush e nxjerr më bukur portretin e Xhonit!

Credit Gresa Berisha

Kësaj "sëmundjejet" nuk i shpëtojnë as fotografët të natyrës së egër të Wildlife Albanian Photographers. Të gjithë në garë për të fotografuar Xhoni Malko-n. Njëra shkrepje më e bukur se tjetra! E nëse mundohesh të zgjedhësh më të bukurën e ke të pamundur!
Fotografja nga kosova Vali Dermaku Mavriqi shkruan: Fotografia është përshkrimi i Dritës! E Pelikani Xhoni eshtë përshkrimi i Bukurisë!
 
Credit Vali Dermaku Mavriqi


Xhoni Malko -kështu e ka pagëzuar drejtoria e Parkut Kombëtar të Divjakë Karavastasë.
Pagëzimi dhe historia e Xhonit ka, si çdo histori personazhesh të famshëm, disa versione, prej të cilave dy janë në " konkurencë" hershme!
Sipas Drejtorit të Parkut Ardian Koci, emri Xhoni Malko i është dhënë prej emrit të djalit të fshatarit të zonës që e ka gjetur dhe ka njoftuar drejtorinë e parkut.
Por nga një eksplorim në faqen e Guidës(guidë e specializuar për natyrën e egër) Divjakë Karavasta, "Prezantohej një situatë ndihme për një pelikani të vogël të rënë në afërsi të zonës. Pasi i dhamë ndihmën e parë, e lëshuam të fluturojë. Pas disa ditësh morëm vesh që drejtori parkut, Ardiani, ka gjetur një pelikan të rrëzuar në zonën e Fierit."
Ndoshta zogu i i ri në moshë nuk ka mundur të ruajë ritmin e tufës gjatë fluturimit migrator, dhe ka rënë përsëri në zonën e Roskovecit, ku është gjetur nga banorët e zonës.
Gjatë rënies kishte dëmtuar njërin krah dhe nuk ka mundësi fluturimi, për këtë arsye drejtoria e parkut i ka realizuar një pellg me ujë të ëmbël, dhe i ka dhënë strehim të përhershëm Xhonit.
 
Versioni i dytë i emrit Xhoni ka dhe një tjetër histori, jo zyrtare, që qarkullon në Divjakë. Në ditën që Xhoni i vogël është dorëzuar në park, një tjetër Xhon i famshëm (jo sa pelikani ynë) ka vizituar Divjakën dhe parkun e sajë. Ka qenë John L. Withers II, ish ambasadori amerikan në Tiranë, që ka vizitur perlën e Shqipërisë Divjakën. Sipas burimeve të pakonfirmuara zyrtarisht pelikanit i është dhënë emri Xhoni në nderim të vizitorit të famshëm.

Sipas specialistëve pelikanët jetojnë nga 15 deri në 25 vjet. Kjo mesa duket do ta shëndrrojë Xhonin në personazhin më të famshëm të fotografuar në Shqipëri e pse jo ndër individin shpend më të fotografuar në botë!

domenica, ottobre 04, 2020

Kënga e mërgimtarit... Nga Alketa Dinaku (Hila)

 

Më vranë ëndrrat më vranë shpresën
Në më të bukurin vend mbi dhé
Ma vodhën dashurinë e zemrës
Ngela rrugëve pa një strehë!
Më degdisën të këqinjtë
Shërbëtor ngela në botë
S'mu nda çanta nga kurrizi
Dhe pakë dhé nga kjo tokë
Unë kurrë su vlersova
Dhe pse lash ëndrra dhe mund
Dheun, çantën, ku s'shëtita
Dashuri s'takova kund
Në ëndërr vetëm shtëpinë
Rrugicat ku luaja me shokë
U sfilita! Mbijetova!
Por atdhe nuk gjeta dot!
Foto credit Arian Mavriqi
Model: Amali

sabato, settembre 19, 2020

Kështu thyhen kufinjtë! -Wildlife Albanin Photographers

nga Edmond Kaceli

Fotografia në shërbim të thyerjes së kufinjve virtualë në mes Shqipërisë e Kosovës! Madje edhe më gjërë. Fotografët shqiptarë të natyrës së egër kanë organizuar, e nuk po ndalen të organizojnë,  një sërë ekspozitash fotografike në Shqipëri e Kosovë.

Ekspozita të ngjashme janë realizuar edhe në vende të ndryshme të botës, veçanërisht nën mbështetjen e përfaqësive diplomatikë të Kosovës. Fotografitë e florës dhe faunës janë bërë pjesë integrale e pasaportës prezantuese të pasurisë që ofrojnë trojet shqiptare. Përmendim në mënyrë të veçantë ekspozitat pranë përfaqësive diplomatike të Kosovës në USA, Mbretërinë Bashkuar, Tiranë etj.

Ekspozita në Ambasadën e Kosovës, Tiranë credit S. Aliqkaj

Këto ditë drejtuesit e organizatës  WAPH kanë marrë një ftesë të posaçme nga Bashkia e kryeqytetit të Shqipërisë për tu përfaqësuar me një ekspo -fotografike në Tiranë.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë, në 5 vjetorin e krijimit të sajë, ka ftuar organizatën në hapjen e një ekspozitë me fotografitë më të mira të realizuara në Liqenin e Tiranës. Ftesa zyrtare është nënshkruar nga Drejtoresha e Agjencisë Eriada Fino.

Arian Mavriqi -kryetar i organizatës thotë: Ftesa nga Tirana është një tjetër surprizë e veçantë, siç është dhe Tirana e veçantë!

Për ne është kënaqësi, që në vazhdimësi, po marrim të tilla ftesa per ekspozita apo ekspedita! Kështu na jepet mundësia e takimit live ndërmjet miqve fotografë nga mbarë shqiptaria!

Përveç prezantimit te punës tonë, shkëmbejmë ide, dhe tregojme eksperiencat gjatë fotografimeve në terren. Ftesat dhe takimet e tilla japin frytet e tyre edhe te fotografët e rinj sepse promovohet dhe njihet puna e pasioni i tyre. Ky promovim ka shumë rëndësi për të ardhmen e tyre në lëminë e fotografisë së jetës së egër!

Liqeni i Tiranës  credit I.Sinani

Pas takimit-ekspeditë, dhe ekspozitës në Liqenin e Shkodrës, ekspozita e radhë e po organizohet në Parkun Kombëtar të Blinajës, Kosovë.

Fotografët kanë paraqitë së paku nga dy punime prej të cilave, nga një komision ekspertësh fotografë, zgjidhen ato më të mirat si pjesë e ekspozitës.

Ekspozita në Parkun e Blinajës, ka mbështetjen dhe bashkëpunimin e veçantë nga Presidenca e Kosovës, me pikësynim promovimin e turizmit dhe natyrës së egër shqiptare.


Liqeni i Blinajës credit L. Dragusha


giovedì, settembre 03, 2020

Triptik... nga E. Kaceli

 

VJESHTË

Prej pemëve bien gjethet.

Prej zemrave bien dashuritë e thara.


NËSE TI VDES…

 … mbi varrin tënd

(atëherë)

do të mbij unë –Lulja e Pikëllimit.

 

ËNDËRR

Helmuar prej dashurisë.

Helmuar prej ëndërrave.

Helmuar prej çdo gjëje të mirë

që jeta ma dha me tepri.

U rrëzova. Rashë.Me shpresë

për t’më ngritur ti.

martedì, settembre 01, 2020

Takim emocionant me Ujkun e Zi, specie e rrallë!

 

nga Edmond Kaceli

Emocionant ka qenë takimi i dy fotografëve të natyrës së Egër, me specien e rrallë Ujku i Zi, konsideruar si një nga bukuritë e rralla të natyrës në botë.

Fotografët shqiptarë nga Kosova, Arian Mavriqi dhe Besnik Jakupi, arrijnë të fotografojnë dhe të filmojnë, Ujkun e Zi, në zonën e Kamenicës, Kosovë. Lokacioni i saktë mbahet sekret për arsye të mbrojtjes nga gjuetia e paligjshme. Pasi ky lloj ujku, për shkak të ngjyrës së zezë, e rrallë në botën e ujqërve, kërkohet shumë në tregun e zi. E për këtë arsye gjuetia e tij në vendet e botës ku është i përhapur mbrohet me ligje të posaçme.

Fotografi Besnik Jakupi tregon: Ishte herët , rreth orës gjashtë të mëngjezit, ora kur bashkë me mikun dhe kolegun, Arian Mavriqi, dalim zakonisht për të fotografuar jetën e egër.Papritmas pamë diçka që u fsheh në mes arave me misër. Fillimisht kujtuam se ishte një qen apo diçka e tillë. Duke kontrolluar në zonën ku ishte fshehur, dalluam se përmasat, ngjyra dhe mënyra si por reagonte kundrejt nesh, nuk ishin të zakonshme për një qen. Arritëm të afrohemi deri në distancën diçka rreth 30 -40 metër. Vetëm atëherë krijova bindjen se kishim të bëjmë me të ashtuquajturin Ujku i Zi, specie e mbrojtur në Botë. Bindje që u përforcua më pas, nëpërmjet fotografive dhe video-s që arritëm të realizonim në ato momente magjike!


Fotografi Arian Mavriqi, thotë: Ishte një ndër daljet tona fotografike rutinë në komunën e Kamenicës, Kosovë. Në momentin e parë emocionet ishin të papërshkruara! Ndërsa ai shikonte, si me dyshim, në drejtimin tonë arritëm të realizojmë disa shkrepje të njëpasnjëshme. Për fat të keq ky lloj ujku, i rrallë, kërkohet shumë nga gjuetarët e papërgjegjshëm dhe në tregun e zi. Do të ishte humbje e madhe për natyrën e trojeve shqiptare. Shpresojmë në vetëdijësimin e shoqërisë që të ruhen këto pasuri tonat sepse një bukuri të tillë në vendet e tjera munden vetëm ta ëndërrojnë.



Sipas studimeve të Stanford University, USA, dhe laboratorit të gjenetikës, Itali, ish Instituti Kombëtar për faunën e Egër, (sot Istituto superiore per la protezione e la ricerca ambientale, ISPRA) ngjyra e zezë e vjen si pasojë e një kryqëzimi të quajtur të kundërt (ujkonjës ngjyrë gri me qen me ngjyrë të zezë), rreth 10 mijë vjet ma parë.

Sipas shkencëtarëve gjenetistë italo -amerikanë, Ujku i Zi, lloj mjaft i rrallë, në mënyrë të veçantë në Europë, është variant melanik, i ujkut gri (Canis Lupus). Shkencëtarët spjegojnë se mutacioni melanik, është një mutacion i trashëguar që shfaqet me ndryshimin e ngjyrave në më të errëta, konkretisht të zeza në rastin tonë, në organizmat që normalisht kanë tjetër ngjyrë.

Evidentimi dhe fotografimi i Ujkut të Zi është një tjetër sukeses i jashtëzakonshëm, jo vetëm personal i fotografëve Jakupi e Mavriqi, por edhe i punës së palodhshme që organizata e Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër (Albanian Wildlife Photographers), me qendër në Kosovë, po bën në vijimësi për evidentimin e specieve të natyrës së egër që pasurojnë trojet shqiptare.

domenica, agosto 16, 2020

Krenat e Qeverisë diskutojnë situatën!

 

Photo of the week:

Krenat e qeverisë shqiptare diskutojnë gjendjen, dhe propozojnë variantet për zgjidhje në kufirin shqiptaro -grek!

Në rend:

  • Shkëlqesia e Tij, Kryeministri, Edi Rama, i pari vetëm.
  • Fort Shkurtësia e Tij, Nën Kryeminstri Erion Braçe
  • Gjeneralësia e Vet, Ministri i Brendëshëm Sandër of Lleshaj
  • Fort Lumturia e Tij, Minstri i Diasporës Pandeli Majko
  • Gjithë Dituria e Vet, Minister of Foreign Affairs of Albania Gent Cakaj me katër Universitete!
nga E. Kaçeli, zëdhënës i posaçëm

domenica, luglio 12, 2020

Në Shkodër lind Wild Europe - Nga Jetmir Troshani, Shkodër, Shqipëri

Credit Granit Hysenaj
E gjitha kjo nismë e re e Wildlife Albanian Photographers gjen mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tirane, Europe House në Shqipëri, të cilëve iu shkon një falenderim i veçantë!


Ka qenë një sukses i pazakontë aktiviteti përshendetës, i datës 12 korrik në Shkodër i organizatës shqiptare të fotografëve të jetës së egër! Takim i ëndrruar dhe menduar prej kohësh, që më së fundi u bë realitet, pranë liqenit të Shkodrës.

Gjej rastin, së pari, të falenderoj Bashkinë e Shkodrës dhe gjithë stafin përfaqësues, për mbështetjen, gadishmërinë dhe entuziazmin që ka shprehur dhe praktikisht ka realizuar duke na mbështetur, dhe duke na premtuar për të na rimbështetur edhe në nismat tona të ardhme. Një vlerësim i veçantë shkon për kryetaren e bashkisë së qytetit të Shkodres, zonjën Voltana Ademi, jo vetëm për konsideratën, por edhe pasionin e vëmendjen e saj ndaj natyrës dhe nismës sonë. Aspirata jonë është që këtë takim ta kthejmë në një traditë të mirëfilltë të përvitshme.

Pikërisht kam gjithashtu kënaqësinë e shtuar t’ju informoj se grupi organizativ i Wildlife - Albanian Photographers ka kohë që punon për shtrirjen e bashkëpunimeve të mëtejshme me fotografë të jetës së egër nga vende të ndryshme të Europës.


Përfshimja në këtë projekt -risi të rradhës kërkon rritje, jo vetëm të përgjëgjësisë, por edhe të një cilësie më të mirë të fotografisë. Jam krejt i sigurtë se edhe kësaj here, do të ecim me hapa dinjitozë përpara duke paraqitur shqiptarinë në dritën më të mirë të mundur, ashtu siç e meriton.

Për të rritur cilësinë e punës duhen gjetur mënyra bashkëpunuese të cilat mundësojnë ngritjen e nivelit të fotografisë tonë si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo artistike. Një nga format më efikase dhe aktuale për këtë është realizimi i ekspeditave fotografike.

Shumë shpejt një e tillë do të realizohet në Rrjoll-Velipojë, e cila do të inaugurohet nga tre fisnikët tanë Ruzhdi Ibrahimi, Lutfi Muaremi dhe Vebi Sulejmani, të cilët pa dyshim do ta kurorëzojnë me sukses, duke na sjellë jo vetëm risi në lloje, por edhe në shkrepje cilësore.

Në këto ekspedita qëllimi gjithnjë është shkëmbimi i eksperiencave trajnuese dhe edukative me shpresën për të arritur lartësinë e një niveli të denjë ndërkombëtar e të barabartë me fotografët e evidentuar të natyrës së egër në Europë.

Kujtoj, ky takim, patjetër është fryti i një ëndrre që filloi në Kamenicë e Pejë, Kosovë, në Mars të vitit 2018 me Granit Hysenin, Besnik Jakupin dhe Arian Mavriqin, të cilëve më pas iu bashkova edhe unë, dhe shumë e shumë fotografë të tjerë të talentuar shqiptarë të natyrës së egër!

Ne së bashku, kemi vendosë të guxojmë përtej së tashmes, për t’i dhënë jetë një qëllimi edhe më të madh, pikërisht daljen përtej kufijve ekzistues, duke përfshirë edhe fotografë të jetës së egër nëpër Europë. Ky rrugëtim i ri dhe i përbashkët do të quhet “Wild Europe”.

Ndërkohë që një pjesë e ekipit organizator do të vazhdoj të udhëheqë nismat e Wildlife - Albanian Photographers, pjesa tjetër në lidhje të vazhdueshme do të punojë në kurimin e suksesit të këtij projekti të ri, i cili në kohë ka për qëllim të lidh të dy grupet në një entitet të vetëm.

Në tërësi, bashkëpunimet tona të ardhmen, pandryshueshmërisht vazhdojnë të synojnë mbrojtjen dhe promovimin e jetës së egër në trojet tona shqiptare dhe më gjërë, nëpërmjet syrit artistik të fotografëve tanë si brënda ashtu dhe jashtë kufijve të trevave shqipfolëse.

Shkoder, korrik 2020 Credit Raim Kurtaj

domenica, giugno 28, 2020

Shkodra në fokusin e fotografëve të jetës së egër!



Përgatiti: Edmond Kaceli, Itali

Për herë të dytë gjatë këtij viti qyteti i Shkodrës rimbledh fotografët e natyrës së egër nga trojet shqiptare, si dhe nga vende të ndryshme të botës ku ata ndodhen.
Ka qënë fotografi Jetmir Troshani organizatori i  këtij mitingu madhështor me pjesëmarrrjen maksimale të të gjithë fotografëve shqiptarë të natyrës së egër nga trojet shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi) e kudo që ndodhen nëpër botë për arsye të emigrimit! Aktiviteti realizohet me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.

Nëpërmjet kësaj nisme -thotë Arian Mavriqi, kryetari i organizatës Wildlife Albanian Photographers (WAPH)  me qendër në Kosovë, duam të promovojmë Shkodrën dhe pasurinë e Liqenit të Shkodrës. Shkodra për ne është si një shtëpi e dytë! Liqeni dhe mikpritja shkodrane të ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për fotografimin e jetës së egër!

Ndërsa shkodrania Aurora Piroviq, anëtare e organizatës, thotë se ekspedita të tilla në Liqenin e Shkodrës promovojnë dhe janë vlera, jo vetëm për fotografët, por edhe për turizmin e kryeqendrës së Veriut të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë. Gjithashtu rritet edhe sensibiliteti i qytetarëve ndaj Zonave të Mbrojtura të Natyrës siç është edhe Liqeni i Shkodrës.

Takimi përshëndetës dhe aktiviteti i fotografimit të natyrës së egër në Liqen dhe në zonat përreth tij, do të jetë përgjatë gjithë ditës së 12 korrikut. Në takim janë të ftuar të marrin pjesë jo vetëm anëtarët e organizatës por edhe kush është i pasionuar pas Wildlife-it apo natyrës!

Liqeni iu pret me krahe hapun! (credit J.Troshani)
Karabullaku, nje nder shpendet simbol te Liqenit. (credit Ruzhdi Ibrahimi)
Herën e parë, në muaji shkurt të këtij viti, ka qenë nisma e fotografit shqiptar me banim në Zvicër, Ruzhdi Ibrahimi, që në një ekspeditë të sukesshme në Liqenin e Shkodrës mblodhi fotografët e organizatës Wildlife Albanian Photographers duke vënë në pah bukuritë e faunës së këtij liqeni të njohur në të gjithë Ballkanin e më gjërë!





Peshkatari (credit J. Troshani)
Liqeni Shkodrës: Pasqyra e tij ujore gjendet në një lartësi 6 metra mbi nivelin e detit, dhe ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² me një gjatësi brigjesh prej 57 km i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Zi, ku me 1983 e shpalli Park Kombëtar liqenin. Ka një breg shumë të larmishëm të tipit të ultë të "marsheve" në veri dhe shkëmbor në jug. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i bardhë. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshiqsh e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Europë . Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin jug-lindor shtrihet Shkodra, nga ku merr edhe emrin. (cit.Wikipedia)

domenica, giugno 21, 2020

Ura e Mesit, Shkodër në syrin e fotografit Jetmir Troshani



-Përgatiti Edmond Kaceli, Itali

Këto dy foto, janë realizuar nga mjeshtri shkodran i fotografisë me banim në SHBA, Jetmir Troshani.
Tërheq vëmendje si prezantimi në versionin bardhë e zi ashtu edhe realizmi me ngjyra.
Teknika e realizimit është ajo me ekspozim të gjatë, teknikë të cilën autori e zotëron në shkallën më të lartë të mundshme.


Lidhur me teknikën me ekspozim të gjatë mjeshtër Troshani thotë: Fotografia me ekspozim të gjatë, asht nji nën-zhanër i fotografise artistike që realizohet me anë të shkrepjes të hapun t’aparatit për të paktën ma shume se 1 sekond. Në kët mënyrë gjithçka që lëviz përgjatë kësaj kohe të shkrepjes, shndërrohet në nji mjegullshkrimje artistike, ndërsa objekteve të palëvizshme i kristalizohen detajet, tue ofrue nji experiencë pamore unike, nji ndjesi perceptive mes reales dhe surreales.
Kjo lloj fotografie realizohet si gjatë ditës ashtu dhe natës, dhe në të dyja rastet për mendimin tem, fotografitë kane efektin e vet magjepës.

Dhe magjepsja vërehet kjartësisht në këtë realizim artistik të fotografisë së Urës së Mesit, ku Jetmiri ka shpalosë jo vetëm bukurinë e njërit prej simboleve të shumta të Shkodrës por edhe magjinë e artit të tij fotografik!


Ura e Mesit, ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë . Me gjatësi 108 metër, gjërësi 3.40 metër dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri, Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.
Në bazë shikohet qartë se nuk është lineare. Por merr një anim prej 14° drejt anës së ulët rreth 5 m në të djathtë të harkut të madh. E detyruar nga shkëmbijt e shtratit të lumit. Mund të shohim prej teknikave të ndërtimit se Ura e Mesit ka dy faza ndërtimi. Faza e parë pau ndërtimin e harkut qëndror dhe 3 tjerëve pranë, dy në të majtë e një në të djathtë. Në fazën e dytë të ndërtimit, Kiri mbuloj urën dhe si pasojë u ndërtuan harqet e vogla si ndihmesë në secilin skaj. Sot ura ka 13 harqe. Më i madhi në qendër, ka një pasqyrë prej 21.5 m, i mbajtur nga brinjë dyfishe me gjërësi 1,08 m. Ura ka pësuar shumë dëme nga koha, moti dhe vërshimet e lumit, por në Maj 2010 u mundësua përfundimi i rinkonstriksionit të urës dhe përshtatja për këmbësorët. (cit. Wikipedia)