Lexues

sabato, ottobre 11, 2025

Haluçinacionet e të veshurit me rrobën e ushtarit poemë nga E. Kaceli



Kushtim: Brezit tim, lindur, rritur dhe jetuar në një kohë fatkeqe

1.
Tela.
Tela.
Tela.
Tela me gjemba
Tela të akullt, të ngrirë
Përsëri, ngado, gjithkund
Vetëm Tela!

2.
Këpuca është tepër e fortë
Nën të shtrihet një konservë
e ndryshkur (si koha)
Mbuluar myshk
Një këmishë gjithë zhul:
Urdhëron këpucën
Shtypën konservën
Këmisha
Nëpër tokën e plasun
përplasen sporet

3.
Të gjithë kanë rënë të flejnë
Askush nuk sheh më, asnjë ëndërr.
Vetëm helmeta. Helmeta
Helmeta -koka të prera
Helmeta -në radhë për dy
me hap rreshtor lëvizin
Lëvzin,
           lëvizin....
Lëvrijnë...
Grubullohen një një pirg
të madh, sa nuk përshkruhet
Një pirg me koka të prera
O Zot! Ç'llahtarë!

4.
Pak ujë!
Pak ujë!
Pak ujë!
O njerëz të mirë! Ushtarit pak ujë!
Vetëm një pikë! Të njomë
buzën e çarë...
Ujë nuk gjendet
Njerëzit e mirë janë shterrë
buzët lëvizin nëpër mjegull
duke trembur ç'gjejnë përpara
Në ujë, ushtari, mbytet
E nuk ngopet.

5.
Çanga.
Ah! -çanga
Çanga prej pesë minutash kreu
detyrën e fijezimit të muskujve
gazrat e natës -rëndojnë
mbi supet e varuna
Dritaret!
Të hapën ato! -e pamundur!
Pa urdhër, asnjë veprim!
Ndëshkimi rrëzohet si Shkop i Damokleut
mbi kryet e urdhërthyesit
Koka çahet.
Trutë, krimba të përgjakun
përbaltin dyshemenë e larë
me ujë të ftohtë
me zhele të grisura

6.
Sallë gjashtë me pesë
njëzet e katër veta tymtojnë
Cigare thithin. Helm
Djegin vetëveten. Helm.
Helmojnë vetëveten. Helm.
Flejnë ditë e natë vetëveten
Një vetëvet'e  barabartë me
njëqind cigare e gjysëm
një mbi një
Pa filtër.

7.
Zeronjeriu shtrin hapin zerogradë
Zerograda shtrin hapin zeronjeri
Zeroshpirti merr frymë vështirshëm
Një, dy, tre... zeroherë
Në zeroditë
hapen zeroplagë
kullon zerogjak
vriten zeroshpirtë
Zerograda, Zeronjeriu, Zeroshpirti
marrshojnë krah për krah
Zeroherë.

8.
Mjegull jeshile
trupa të mjegulluar
mjegullime trush
Fytyra të mjegullta
mjegullnajë zërash
urdhëra mjegulle
Shpirtna të zhytur në mjegulli
9
.
Po kruhemi
Shpina kruhet
Jo nga morrat
morrëzimi i shtatit tash
nuk ngjall dëshirën minimale
                              për kruajtje
As krevati me tel gabian
as dyshekët e çimkëzuar
në menynë e kruajtjes
                     nuk hyjnë
Kruhemi.

10.
Prej orëve të hershme të mëngjezit
në të vontat orë të darkës
tre -katër radio ulërijnë
dy mangnetofonë i çirren TVSH-së
(Ekran ngushtuar prej mugësës së 220 voltëve
si një kafshë historike jashtëmode)
Tërë gjuhët e botës në kapanon përzihen
Një gjuhë e vdekur fle gjumë,
marrëzisht në komodinën time
Shqipja me varrë të zëna kore!

11.
Vajzat po kalojnë!
Vajzat?! -Ha, ha, ha!
Ç'janë vajzat?!
Prej ç'planeti ushtarak vijnë?!
Nervat nuk ndijojnë
poshtë blindazhit jeshil
flejnë të vyshkura
organet ndijore
Gjenitalet e thata, varen
në vendin që u përcaktoi, marrëzisht,
                                          evolucioni
-Ushtarë marshoni!

12.
Në djathin e darkës
Një tufë krimbash lozonjarë
paskan ngrehur çadrat e ushtrisë krimbërore
Të majmur, dyllë të verdhë,
lëvrijnë në rregullsi krimbike
pa u shqetësuar për ndërhyrjen kirurgjikale
të dhëmbëve tanë njerëzorë
për protestë
-a nuk di për ç'dreq!
mospërfillës
Krenarë 
Akuzave tona u përgjigjen
me brejtje...

13.
Këmbët kanë ftohtë
Duart mërdhijnë
lëngjet e stomakut dhe trurit
ulin aktivitetin
nën minimumin e lejueshëm
Barometri shoqeror: Zero gradë
                                     nën zero
Thellë
në mbytje
rropatet zemra
Përpiqet të vdesë...
Nuk mundet.

14.
Gjërë e gjatë shtrirë
në krevatin e përnatshëm
Sipër meje
telat e fortë të krevatit të shokut
paralele dhe meridiane
I shtrirë në një pjesë të Globit
Shpina dhemb prej thikash
I shtrirë
Prehje nuk gjej...

15.
Çohem i trembur
Mesnatë
Zëra të largët
Të qarat kumbojnë në veshë
Prej gjumit në  ç'gjumë
prej ç'ëndërrës në ç'ëndërr
Me ndonjë zgjim të rrallë,
të dobësuar të arsyes
44 djaj ëndërrvrarë
flejnë gjumin e shkretuar

16.
Një bollë zvarret në rrugë
në rrugën ngjyrosur me baltë
me njollat e baltës në trup
zvarret bolla
A ne të përbaltur
zvarremi para vetes
Se ku?
Se për ku?

17.
Në një top futbolli
kam hyrë. Jam kërrusur
Të gjithë qëllojnë gjashtëkëndëshat
                                            e topit
Gjymtyrët e mija godasin pa mëshirë
Përplasem nga një këmbë në tjetrën
Pa mëshirë
Pa ndjenjë
Hakmerren ndaj meje
Lodër e pafajshme futbolli

18.
Majë reve
Kaluar
Dridhem emocionesh
                                   të pakuptimta
Pluskojnë në qiellin e blutë
mrragla -njerëzit poshtë reve zvarriten
Unë dhe retë të gjithëpushtetshmit
Shpirti i qiellit
Pluskojmë
Ndjellim shi.

19.
...Viti 2500
Epoka e Pushtimeve Ndërgalaktikore
arkeologët e tokës studjojnë
në mes të tjerave
Banjot e Shkollës Ushtarake Pukë
Fosilet shpalosin historinë
Copa gazetash
letra të bardha dhe letra bixhozi
faqe rregulloresh ushtarake
në përbërjen kimike të mutit fosil
strukturën ushqimore përcaktojnë
kompiuterat

"Në këtë shekull mund të kenë jetuar
disa qenie, të cilat, sipas të gjitha
probabiliteteve, kanë pretenduar
të vetëquhen, në mënyrën më të paskrupullt
Njerëz!
Materiali fosil, datuar,
sipas metodës radiokative, i përket
viteve nëntëdhjetë, që përkojnë me fundin
e shekullit të 20-të."

Pukë, shtator 1990 -Lezhë, dhjetor 1992