Lexues

giovedì, giugno 27, 2024

Refleksion: Vampirët e Onkologjikut! nga E. Kaceli





Skandali më i madh ndoshta s'ka ndodhë ende në Shqipëri!
Por skandali i mjekëve të Spitalit Onkologjik, në këtë fund qershori 2024, ku mjekët i shohin pacientët terminalë si bankomat për të bërë pushime në Maldive, është unik! Unik por jo i fundit!
Unik në llojin e tij! Por kurrë nuk është skandali i vetëm në mjekësi!

Se ç'ndodh, të paktën me 80% të pacientëve, mjekëve, e personelit spitalor në atë vend të rrënuar moralisht, s'ka kronikë e zezë dhe e zezuar që ta tregojë!
Vampirët e Sistemit Spitalor Shqiptar të rrjepin shatëdhjetë herë për të shpallur të sëmurë, për të kuruar, për të gjysëm kuruar, apo për të siguruar një vdekje në kufijntë e normalitetit të vdekjes!

Në sjelljen e këtyre mjekëve njerëzorja ka marrë arratinë!
Vendin e kanë zënë monstrat, që sa të shohin në derë të spitalit harrojnë fjalën: Pacient!
Për këta vampirë me bluzë të bardhë, i sëmuri është vetëm burim i parave për të rritë babëzinë që ka shkuar deri në monstruozitet!
Asnjë lloj komenti, asnjë lloj fjalie, asnjë lloj mallkimi, asnjë lloj dënimi nga drejtësia shqiptare, nuk mjafton për të shëruar mjekësinë shqiptare nga kjo sëmundje e rëndë që është ngritur në Sistem!
Dhe kjo është  keqja!

(Shënim: Si gishtat e dorës nëpër spitalet shqiptare, mund të gjesh edhe mjekë -njerëz që janë si dhia e zezë, në mes të deleve të bardha shëndrruar në vampirë!)



Imazhet jane krijuar nga E. Kaceli, me ndihmen e IA

 

giovedì, giugno 06, 2024

Wildlife: Korçari i gjarpërinjve! nga E. Kaceli

Timber rattlesnake ( Crotalus horridus) lloj gjarper me zile 


Lindur në qytetin e Korçës, 49 vjeçari Edmond Themeli, emigrant që prej 2015-ës  në Usa. Djali i piktorit të shquar korçar Andrea Koço Themeli, mjeshtër i rrallë në gjininë e vështirë të grafikës!
Edmond Andrea Themeli, njihet në rrethin e fotografëve shqiptarë të natyrës së egër si Korçari i Gjarpërinjve. Një ndër ekspertët e paktë të herpologjisë (degë e zoologjisë që merret me studimin e reptilëve dhe amfibëve) në trojet shqipfolëse!
Mjafton të përmendet fakti se ka prekur, me duart e tij, mbi njëmijë gjarpërinj të llojeve nga më të padëmshmit, si bolla e shtëpisë, deri në gjarpërinjë më të rrezikshëm e më helmues si një lloj i gjarpërit me zile!

Mondi, (për miqtë), thotë se gjithçka ia kushton babait!
"Babai im, ishte shumë i dhënë pas peshkimit. Mbaj mend që më merrte me vete që në moshë shumë të vogël. Ndërsa ai peshkonte, unë, si fëmijë shumë kureshtar, kërkoja bretkosa të vogla, larva dhe qenije të tjera ujore. Mrekullohesha ti shihja si lëviznin, si ushqeheshin! Studioja sjelljen e tyre, dhe orët kalonin pa kuptuar, ndërsa kridhesha në vëzhgimet e mija."
Në këtë moshë ai pati edhe përvojën e parë me gjarpërinjtë, prej ku lindi dhe u zhvillua thuajse në profesion, admirimi i reptilëve dhe studimi jetës së tyre!
"Një ditë teksa babai ishte përqëndruar pas peshkimit vura re një gjarpër uji në bregun tjetër të lumit! Në pamundësi për ta parë më afër (nuk kishte ndonjë urë për tu hedhur në krahun tjetër) fillova të qaja nga inati.
Pas kësaj në ditët në vijim, ndërsa im atë peshkonte , unë "peshkoja"  gjarpërinj! Kryesisht te llojit Natrix, gjarpërinj uji, jo helmues.
Kështu me kalimin e kohës fillova të mësoj më tepër rreth natyrës së gjarpërinjve, të gjej specie te tjera, ti fotografoj, të luaj (në kuptimin figurativ) me to!
 
Ndërsa buzëqesh po ti kërkosh përvojat më të rrezikshme me gjarpërinjtë!
"Besoj ka qenë kur kapa nepërkën e parë ( Vipera ammodytes )!
Mbaj mend, me një shok fëminije. Pasi dolëm nga shkolla, e mbajtëm frymën diku në një përrua që ndodhej pak a shumë afër fabrikës së qelqit, në afërsi të fshatit Mborje. Duke kërkuar buzë përroit, me shpresë se do shihnim ndonjë gjallesë! Papritur më zuri syri një gjarpër duke notuar. Deri në atë moment kisha parë nepërkë vetëm në foto e libra.
Të them te drejtën nuk pata shume frikë, por si për çudi gjunjët filluan të më dridhen. Isha shumë nervoz. Sigurisht për një fëmijë nuk është e lehtë të ngacmosh gjarpërinj helmues. Madje është e rrezikshme ti ngacmosh! Mbaj mend përdora një shkop për ta kapur ashtu siç kisha parë në tv, dhe me sukses munda ta kapja.
Më vonë fitova një farë eksperience, dhe si të thuash nuk kisha më frikë! Përkundrazi më pëlqente, më emociononte, çdo sekondë e harxhuar në gjetjen dhe prekjen e këtyre zvarranikëve.

Mondi nuk ruan statistika të veçanta! E ka vështirë, thuajse të pamundur të thotë një numër të saktë të gjarpërinjve që ka kaluar nëpër duar! Por duke u nisur nga fakti që përvojën e ka nisur që në moshën 5 vjeçare thotë: "Kam kapur mbi një mijë ekzemplarë gjarpërinjsh të llojeve nga më të ndryshmet, e në vende të ndryshme, kryesisht në Shqipëri ashtu edhe në Usa!"
 
Përvoja dhe kurioziteti i pafund i ka sjellë dhe takimin me llojet më të rrezikshme të gjarpërinjve më helmues! Një e tillë ka qenë përvoja me një lloj të gjarpërinjve me zile Timber Rattlesnake ( Crotalus horridus ) që për habi u soll krejt paqësor, pavarësisht rrezikshmërisë dhe helmit vdekjeprurës!
 "Gjarpëri nuk demonstroi asnjë sjellje agresive, nuk u shqetësua kur e mbajta lart në ajër duke e kapur në pjesën e fundit të trupit, afër bishtit, a thua se kjo ishte dicka shume normale për të!
Që prej asaj dite mund të kem parë e prekur, rreth tetë individë të së njëjtës specie, e  në përgjithësi kishin një sjellje të qetë, me përjashtim të disa momenteve kur dukeshin disi të shqetësuar nga prania ime. Në këto raste bënin zhurmën kërcënuese, me zilet në fund të bishtit, si paralajmërim për të mos rrezikuar më shumë!
Ky besoj ka qene kontakti më i rrezikshem, mbase!"
Vlen të përmendet se shumë lloje të rrezikshme të gjarpërinjve me zile, sidomos disa specie qe jetojnë në Texas, California, Arizona …etj janë Diamondback Rattlesnake (Crotalus atrox ) si edhe llojet e gjarpërinjve koral, konsiderohen shume helmues.

Gjarpëri, kjo krijesë mistike, që e ka shoqëruar njeriun që prej Krijimit, të gjall frikë dhe instiktivisht të ngjall ndjenjën e vetmbrojtjes, duke e vrarë gjarpërin, edhe kur nuk të sulmon! Ndërsa Korçari ynë, Edmond Themeli e mendon ndryshe! Krejt ndryshe!
"Për mendimin tim gjarpërinjtë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në natyrë! Në Usa, këtu ku jetoj, shumica e specieve të gjarpërinjve janë jo helmues, dhe si të ngjashmit e tyre, e kam fjalën për speciet që gjenden në Shqipëri, gjarpërinjtë e ujit, bollat etj, ushqehen me brejtës, amfibë, peshq, zogj, apo insekte!
Kështu pra janë miqtë më të mirë të fermerëve, për faktin se shfarosin sasi të mëdha minjsh e brejtës te ngjashëm, që dëmtojnë të mbjellat!
Nga ana tjetër dihet botërisht se nga helmi i gjarpërinjve prodhohen ilaç të pazëvendësueshme për kurimin e njeriut!
Gjarpërinjtë janë kafshët më të keqkuptuara! Si shumica e kafshëve të egra i shmangen kontaktit me njeriun. Por aksidente ndodhin, fatkeqësisht, kur i shkelim pa dashur, dhe kur gjarpërit nuk i ngelet rrugë tjetër veçse të vetëmbrohet!"
Themeli mendon se baza është edukimi i njeriut që në moshë të vogël me mënyrën e sjelljes kur shohin ndonjë gjarpër në habitatin e vet.

Por Korçari i Gjarpërinjve,  Edmond Themeli, ka përveç pasionit për gjarpërinjtë në mënyrë të veçantë, edhe botën e egër në përgjithësi, i pëlqen të fotografojë, të lexojë në kohë të lirë, i kushtohet artit të pikturës, vizatimit, trashëguar nga babai, dëgjon muzikë,  këndon... Pra është i dhënë pas natyrës, dhe pas artit në të gjitha format e tij!